Mbi lakminë

“Për lakminë, e gjithë natyra është shumë pak” ka thënë që në kohën antike Seneka. Diçka të ngjashme ka konstatuar edhe Mahatma Gandi me thënien e tij të njohur: “Natyra dhuron mjaftueshëm për të kënaur nevojat e çdo njeriu, por jo edhe lakminë e çdo njeriu.” Përfundimisht, njëri ndër mendimtarët më të shquar të kohës moderne, Stephen Hawking ka konstatuar “Njerëzimi është në rrezik të zhdukjes si pasojë e dy gjërave: lakmisë dhe injorancës.” E më të rrezikshmit nga të gjithë janë ata që për ta kënaqur lakminë e tyre, e shfrytëzojnë injorancën e të tjerëve, dhe në fund përfundojnë të dënuar me 6 vite burgim.

Dje Gjykata penale Shkupi 1 me aktgjykim të shkallës së parë shpalli fajtor ish kryeministrin lider i mëparshëm i VMRO-DPMNE dhe sekretarin e atëhershëm të partisë për ndërtim pa leje të selisë së kësaj partie në qendër të Shkupt, si dhe për blerje jo të rregullt të ndërtesave të 30 shtabeve të kësaj partie në vendbanime të ndryshme në RMV. Sipas aktgjykimit, marrëveshja është bërë me ndërmarjen e ndërtimeve Beton, e cila ka realizuar pjesën më të madhe të ndrëtimeve lidhur me projektin Shkupi 2014, dhe të cilës Gruevski në atë kohë ia ka shitur një pjesë të tokës ku gjendej selia e partisë në Shkup. Ndërmarja është dashur që si kundërshpërblim t’a ndërtojë ndëretesën e selisë. Sipas aktakuzës në këtë rast, partia ka dhënë tokën në vlerë prej 1,25 milion eurove ndërsa ka marë pallat prej 6.9 milion eurove si dhe 2 milion të tjera për të rregulluar çështjet rreth madhësisë së pallatit. Partia në këtë çështje figuron si investitor bashkë me ndërmarjen e ndërtimit, ndërsa sipas aktakuzës ka pasur edhe donacion joligjor nga ana e ndërmarjes për ndërtim. E gjithë kjo rezulton me vendimin gjyqësor sipas të cilit partia në fjalë ka fituar pronë në mënyrë joligjore, ish lideri i saj dënohet me 6 vite burgim, ish sekretari gjeneral me dënim me kusht, ndërsa vendimi gjyqësor parasheh që ndërtesa e selisë të konfiskohet.

Në kohën kur VMRO-DPMNE me në krye Gruevskin i bëri këto investime, kjo parti llogaritej si partia më e pasur në Evropë, duke e kaluar edhe partinë CDU të cilën në atë kohë e udhëhiqte Angela Merkel. Një parti në një shtet të vogël si Maqedonia e Veriut ndërtoi një pallat për ta pasur për seli. Pallati kushtoi me miliona euro dhe u zbukura me dyshme të shtrenjta parketi, me tablo të ndryshme artistike, me kandelabra të kushtueshme e me një sërë objektesh megallomane që e shprehnin hapur lakminë e personave që ishin në krye të kësaj partie. Nga ajo që dëgjuam nga ministri i atëhershëm i finansave, doli që vërtet “nuk kemi për bukë, e shpenzojmë për çokollata”.

Ajo që është shumë indikative në këtë rast është nevoja për të pasur një investim kaq madhështor në një seli partie. Të gjithë e quanin këtë seli “Pallati i bardhë”. Ky “pallat” ishte objekti më i mbrojtur gjatë gjithë protestave që u realizuan në kohën e “revolucionit laraman”. Protestuesit nuk lejoheshin as të afrohen në këtë pallat që njihej botërisht si qendra e fuqisë në shtet. Nuk ishin institucionet shtetërore që udhëhiqnin me shtetin, ishte ky pallat vendi ku vendosej gjithçka, prandaj i njejti ruhej me të gjitha forcat.

Ajo që ky pallat në prag të konfiskimit e përfaqëson është lakmia për më tepër. Gjithnjë për më tepër. Sepse lakmia është gjithmonë të kesh edhe pak më shumë se që të mjafton, e pastaj edhe pak më shumë. Sepse lakmia nuk ka fund. Për ata që janë robër të lakmisë asgjë asnjëherë nuk mjafton, gjithmonë duhet diçka më tepër.

Ky pallat e përfaqëson gjithashtu edhe injorancën që ka lidhje të ngushta me lakminë. Sepse ata që vazhdimisht e votuan këtë parti dhe ia mundësuan realizimin e një pasurie të tillët të paligjshme, asnjëherë nuk e panë të arsyeshme të pyesin se prej nga i mori gjith ato të ardhura partia sa të bëhet investitor në patundshmëri milionëshe? Kjo për shkak se shumica e atyre që ishin dëshmitarë të pasurimit kriminal të njerëzve në krye të asaj partie kishin vetëm një ëndër: të bëhen si ata.

Lakmia e shohim se vazhdon të jetë shkaktar për humbje të mëdha. Revolucioni laraman ishte protestë ndaj lakmisë dhe padënueshmërisë. U dënuan shumë njerëz pas ndryshimit të pushtetit, dhe kjo është gjë e mirë, që tregon se askush nuk është i mbrojtur dhe gjithkush mund të përfundojë i dënuar nëse ka fakte se ka bërë veprimtari kriminale. Por ajo që mbeti si humbje morale është se për lakmi u dënuan dhe po dënohen edhe të tjerë, nga ata që premtuan se do të udhëheqin më mirë, nga ata që hodhën gurrë e drurë e akuza mbi lakmitarët e së kaluarës e në fund përfunduan edhe vet si lakmitarë të mëdhenj, të dënuar e të turpëruar.

Është pikërisht ashtu si ka thënë Hawking: Lakmia dhe injoranca janë rreziku më i madh dhe kërcënim shkatërrues për njerëzimin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button