Petkov: Bullgaria ka tre kërkesa të qarta për Maqedoninë, punojmë së bashku nëse Evropa mund të jetë garantuese

Bullgaria ka tre kërkesa të qarta për përparim në çështjen me Maqedoninë e Veriut, tha kryeministri bullgar Kiril Petkov në një konferencë të përbashkët shtypi në Sofje këtë mëngjes me komisionerin e zgjerimit të BE, Oliver Varhei, transmeton Portalb.mk.

Duke iu referuar akuzave të Partisë “Ka një popull të tillë” që dje u largua nga qeveria, se Petkov po ndjek një politikë të jashtme të veçantë dhe dëshiron të heqë veton, kryeministri bullgar tha se ato që ka dëgjuar ditët e fundit janë akuza të rreme. 

“Që në mëngjes dhe ditët e fundit dëgjoj akuza të rreme se qeveria bullgare ka pasur dy politika të jashtme dhe çfarë nuk kam dëgjuar. Dua të sqaroj se Bullgaria ka tre kërkesa të qarta për përparim në temën e Maqedonisë së Veriut”, tha Petkov.

E para, tha ai, është respektimi i pozicionit kornizë të Bullgarisë të miratuar në parlament. E dyta është përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe kërkesa e tretë, thotë kryeministri, është zbatimi i Marrëveshjes për fqinjësi të mirë.

“Këto ishin diskutimet tona më parë dhe tani, dhe po punojmë së bashku të shohim nëse BE mund të jetë garantues i këtyre tre kushteve,” tha Petkov.

Varhei, nga ana tjetër, tha se vetëm një vend po i bllokon negociatat, ajo është Bullgaria dhe pa pëlqimin e saj nuk mund të vazhdohet më tej.

“Nuk mund të vazhdojmë procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE pa miratimin e të gjitha shteteve anëtare. Akoma jam në pritje të mbështetjes nga një vend, ndërsa ky vend është Bullgaria, dhe po punojmë për këtë me të gjitha këto takime dhe bisedime që kam pasur me ju këtu dhe në Shkup”, tha komisioneri evropian.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button