Sot do të vazhdojë debati i komisionit parlamentar për zgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues

Komisioni parlamentar për zgjedhje dhe emërime sot duhet të vazhdojë debatin për përcaktimin e kandidatëve të propozuar për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

Për momentin, komisioni ka pranuar propozimin e shumicës në Kuvend që Fatmir Skënderi të jetë gjyqtari i ri kushtetues, ndërsa duhet të emërohen tetë gjyqtarë të tjerë.

Pas zgjedhjes së Fatmir Skënderit për gjyqtar kushtetues, deputetët e Komisionit debatuan për kandidaten për gjyqtare kushtetuese të propozuar nga VMRO-DPMNE, profesoren universitare Rodna Zhivkovska, por propozimi ende nuk është miratuar.

Deputetët duhet të shqyrtojnë edhe biografitë e prokurorit publik republikan Ljubomir Joveski dhe Tanja Vasiq Bozaxhieva, e punësuar në Ministrinë e Drejtësisë si këshilltare shtetërore për legjislacion civil, të propozuar nga partitë në pushtet. Me propozim të VMRO-DPMNE-së, do të shqyrtohen kandidaturat e profesorit universitar Savo Klimovski, gjyqtarit në pension Branko Sekulovski, prokurorit Todor Vitlarov, gjyqtarit nga Gjykata Administrative Vesna Jovanovska dhe Vojisllav Dimovskit, prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike në Ohër, propozuar nga VMRO-DPMNE.

Përndryshe, gjykata Kushtetuese aktualisht ka vetëm pesë gjyqtarë nga nëntë të parashikuar. Me përbërje të paplotë ndodhet për rreth një viti, pasi në fund të majit të vitit të kaluar, iu përfundoi mandati edhe tre gjyqtarëve: Sali Muratit, Elena Goshevës dhe Nikolla Ivanovskit. Në mesin e janarit të këtij viti, nga ana tjetër, mandati i përfundoi edhe gjyqtarit Jovan Josifovski.

Me këtë, Kushtetuesja është në prag të kuorumit për mbajtjen e seancave, ndërsa deri më tani ka hasur vazhdimisht në pengesa për të marrë vendime për pikat që janë në rendin e ditës të seancave, duke qenë se i duhet shumica e nëntë votave të parashikuara. Disa herë, përmes njoftimeve dhe deklaratave të kryetares, gjyqtares Dobrila Kacarska, nga atje bëjnë thirrje se situata është e rëndë dhe kanë kërkuar nga deputetët plotësimin e vendeve të lira.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button