Deklarata e Lavrov tregoi se Ballkani i Hapur u ideua në Serbi, vlerësoi deputetja Mimoza Kusari-Lila

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila thotë se deklarata ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov se Rusia mbështet Ballkanin e Hapur, tregoi se kjo nismë u ideua në Serbi.

Në një intervistë për “Euronews Albania”, Kusari-Lila u shpreh se Ballkanin e Hapur, Serbia kërkon ta shfrytëzojë si një mekanizëm për të rritur ndikimin rus dhe kinez në rajon.

“Ne e kemi ditur se kjo iniciativë e ka burimin në Serbi. Është një mekanizëm të cilin Serbia, si një prej vendeve me numrin më të madh të popullsinë në Ballkanin Perëndimor, do e shfrytëzonte për ndikimin rus dhe kinez. Kjo deklaratë e Lavrov duhet t’u bëhet si pyetje liderëve të tjerë, përveç Vuçiç që e ka ftuar në Beograd”, u shpreh Kusari-Lila.

Sipas saj, Kosova nuk mund të përfshihet në këtë nismë rajonale, kur Serbia nuk e trajton si një shtet të barabartë.

Ajo shtoi se Kosova është e fokusuar dhe e angazhuar në Procesin e Berlinit, qëllimi i së cilës është barazia midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në Ohër të Maqedonisë së Veriut do të mbahet sot dhe nesër nisma rajonale, Ballkani i Hapur. Në këtë nismë, do të marrë pjesë për herë të parë edhe Mali i Zi, pasi disa ditë më parë, kryeministri Dritan Abazoviç konfirmoi pjesëmarrjen e tij.

Ndryshe, ministri i punëve të jashtme ruse, Sergej Lavrov shprehet ndër të tjera se Ballkani i Hapur ishte një iniciativë serbe dhe se Rusia e mbështeste këtë pavarësisht kundërshtimeve të Brukselit.

Sot dhe nesër në Ohër do të mbahet samiti dyditor i iniciativës “Ballkani i Hapur”, në fokusin e të cilit do të jenë kultura dhe turizmi. Në njoftimin zyrtar të Qeverisë, sqarohet që nesër priten të nënshkruhen disa marrëveshje dhe memorandum për bashkëpunim në sfera të ndryshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button