Përleshje fizike mes deputetëve në Shqipëri (VIDEO)

Deputetët, Gent Strazimiri dhe Armando Penga janë përfshirë në një përleshjeve fizike sot në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Përplasja ka ardhur pas një debati të ashpër në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve.

Gjithçka ka nisur në Komisionin e Ligjeve, kur deputeti Strazimiri ironizoi kontrollin që deputetët socialistë po kryejnë në Shërbimin Informativ Shtetëror, duke iu drejtuar minsitrit Naço me pyetjen: “Përse Xhemal Qefalia dhe Pirro Lutaj nuk shkojnë në KLD për të inspektuar siç kanë bërë në SHISH?”.

Kjo ka ngjallur debat, ndërsa jashtë ambienteve të Komisionit të Ligjeve, Qefalia i ka kërkuar Strazimirit të mos e përmend më emrin e tij. Vetë deputetët Piro Lutaj dhe Xhemal Qefalia nuk kanë qenë të pranishëm në momentin që deputeti Strazimiri ka ironizuar duke përdorur emrin e tyre.

Mes deputetëve që kanë ndërhyrë për të ndarë sherrin ka qenë edhe deputeti socialist Armando Prenga i cili është përfshirë në konflikt fizik me Strazimirin.

Madje sipas raportimeve të “A1 REPORT, Prenga ka hequr dhe rripin e pantallonave, por agravimi i situatës është ndaluar nga deputetët e tjerë të cilët kanë dalë të gjithë në koridorin e komisioneve parlamentare. Nga pamjet shihet dhe xhaketa e shqepur e deputetit socialist Prenga.

Kronologjia e ngjarjes

Ndërsa në Komisionin e Ligjeve raportonte ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, për 3 pr/ ligje për Forcat e Armatosura, jashtë sallës së Komisionit të Ligjeve dy deputetë, Strazimiri i Partisë Demokratike dhe Qefalia i Partisë Socialiste janë konfrontuar fizikisht me njëri-tjetrin në derën e tualetit të kryesisë së Kuvendit.

Shkak për këtë përplasje fizike është bërë ironia e deputetit demokrat Gent Srazimiri teksa më herët raportonte ministri i Drejtësisë Nasip Naço për funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në seancë të thirrur nga deputeti Armando Subashi.

Strazimiri duke iu drejtuar me pyetje ironike ministrit Naço, ka përmendur ndër të tjera edhe ermin e deputetit Qefalia.

Gent Strazimi: Zakonisht në të tilla raste, kur komisioni i Ligjeve ngarkon Armandon të thërrasë dikë për punë problematike, historia konkludon që caktohet Xhemali me Pirron të venë të bëjnë një inspektim atje , pastaj bëhet një peticion nga masat që të shkarkohet, dhe është shkarkuar, rasti i Zana Xhukës. E shikoni si zgjidhje këtë që të shkojë në KLD Xhemali me Pirron të bëjnë një inspektim pastaj të vijë një flet rrufe nga populli dhe të shkarkohet KLD-ja. është kjo një nga mundësit apo jo?!

Fatmir Xhafa: Bëni pyetje më serioze zoti Strazimiri.

Gent Strazimiri: Pyetja është kjo… serioz nuk jeni ju. Përpjekje për të vendosur nëseriozitet këtë mbledhje po bëj.

Fatmir Xhafa: Si ajo kërkesa që keni sjellë ju për grup kontrolli punëtor të Ministria e Brendshme për gjobat silleni, silleni se do shqyrtojmë këtu.

Gent Strazimiri: Grup kontrolli nuk bëjmë dot se e keni ju për racë, ne jemi e kundërta.

Fatmir Xhafa: E keni sjell, e keni aty. Për sa i përket racave z. Strazimiri, racat mbahen me shumë gjëra dhe nga e para varen nga morali.

Por, deputeti socialist Xhemal Qefalia, i cili ishte shkëputur për pak momente nga mbledhja, është njoftuar me telefon që deputeti Strazimiri e ironizoi në komisionin e Ligjeve. Mësohet se, Qefalia në ato moment ka qenë në tualet, dhe vetëm pak momente më pas në derën e tualetit të kryesisë është gjendur edhe deputeti Strazimiri.

Qefalia e kap për faqe Strazimirin duke i thënë: Të kam thënë o çun mos ma përmend më emrin.

Pas këtij momenti duket se ka nisur dhe përplasja fizike mes tyre. Strazimiri i është përgjigjur me shuplakë Qefalisë, ndërsa ky i fundit ja ka kthyer me grusht.

Për të shuar sherrin, por që në fakt e ka ndezur më keq, deputeti socialist Armando Prenga ka përfunduar duke rrahur me rripin e tij të pantallonave Strazimirin, të cilin mësohet se e ka shtrirë në tokë.

Ka qenë kryetari i grupit socialist, Gramoz Ruçi ai që ka ndarë palët dhe ka marrë në “mbrojtje” deputetin demokrat Gent Strazimiri. Për disa momente ky i fundit ka ndenjur në zyrën e Ruçit ku mësohet se kreu i grupit të PS i ka thënë të ikë dhe të qetësohet.

Ndërsa deputeti demokrat Kastriot Islami mësohet të jetë shprehur duke bërtitur në korridorin e Kryesisë së Kuvendit: I ka çuar Rama për ta rrahur!

“Sulm për t’i mbyllur gojën opozitës”

Lidhur me këtë incident ka reaguar ish-Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli: Sulm banditesk kundra deputetëve të opozitës sot në Parlament! Sot është kryer një sulm banditesk i narkotrafikanteve që kanë hyrë në parlament kundra opozitës! Një sulm i organizuar prej disa ditësh nga Edi Rama dhe realizuar nga njerëz të inkriminuar dhe të përfshirë në trafiqe! Një sulm që kërkon t’i mbyllë gojën opozitës . Kjo që ka ndodhur sot dëshmon qartë se binomi Rama-Meta janë jo vetëm përfaqësues të interesave të trafikanteve dhe korrupsionit, por edhe të banditizmit të ulur këmbëkryq në parlament./ Shekulli

 

Lajme të ngjashme

Back to top button