Pyllëzohen rajonet erozive në komunën e Dibrës

Në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë ka terrene të mëdha erozive që shqetësojnë qytetarët të cilët jetojnë në afërsi të këtyre vendeve. Bëhet fjalë për terrene që kanë rrezik potencial, ndaj nevojitet një aktivitet i mirë nga ana e organeve kompetente.

Në këtë drejtim Njësia dibrane “Stogovo, e NP “Pyjet e Maqedonisë” në saj të këtij rreziku me programin vjetor parashikon në të gjitha këto lokacione pyllëzim në vende përkatëse.

Udhëheqësi i njësisë në Dibër, Rami Lata thotë se pjesë të tilla erozive ka në shumë vende të dy komunave.

“Në saj të kësaj situate, vjet është realizuar aksion i pyllëzimit me bagrem në bashkëpunim me të punësuarit e “Banjat e Dibrës-Capa” dhe Njësisë vendore në fshatin Kosovrast të poshtëm, me pyllëzimin e një pjese në terrenin e hotel “Termal” dhe pjesë tjera të fshatit Kosovrast. Si prioritet janë edhe lagja “Vakov” , meqë në saj të rrëshqitjes së dheut janë dëmtuar një numër i madh i shtëpive , më pas lagja “Varosh” , ku persona të pandërgjegjshëm kanë prerë drunj të shumtë dhe kjo rrit edhe më shumë rrezikun në këtë pjesë ku jetojnë qytetarët”, thekson Lata.

“Gjatë dy viteve të kaluara pyllëzuam me dhjetëra hektarë, me rreth 10 mijë fidanë të drunjve të ndryshëm .Terrenet erozive paraqesin një rrezik të madh ndaj prioriteti ynë është pyllëzimi që mos kemi dëme në shtëpi dhe në njerëz”tha Axhija Kurtovski, kryetar i njësisë vendore në fshatin Kosovrast.

“Pyllëzimi i rajoneve erozive do të realizohet në disa faza. Me përmirësimin e kushteve të motit fillon aksioni i parë. Në ndërkohë së bashku me Policinë e pyjeve ka kontrolle të mëdha sa i takon prerjes ilegale të drunjve e cila tanimë në kohë të fundit është më pak prezent në saj të kontrollit të madh nga ana e policisë së pyjeve”, përfundoi Lata.
.

Lajme të ngjashme

Back to top button