Kovaçevski: Besoj se Mali i Zi dhe BeH në të ardhmen do të jenë pjesë e nismës “Ballkani i Hapur”

Me rastin e samitit dyditor të nismës “Ballkani i Hapur”, që mbahet sot dhe nesër në Ohër, kryeministri Dimitar Kovaçevski përmes një postimi në Facebook tha se çdo takim i ri i anëtarëve dhe miqve të “Ballkanit të Hapur” ofron bashkëpunim më të fortë, komunikim më të lehtë dhe kushte më të mira për zhvillimin e ekonomisë, transmeton Portalb.mk.

Në këtë samit, siç shtoi kryeministri, të ftuar do të jenë Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina, për të cilat ai shtoi se beson se në të ardhmen do të bëhen pjesë e kësaj nisme të suksesshme.

“Sot fillon Samiti i Ballkanit të Hapur, ku përfshijmë bashkëpunim të ri në fushën e turizmit, kulturës, arsimit dhe rrjedhës doganore. Të gjitha këto janë të një rëndësie të madhe për kompanitë dhe qytetarët e rajonit. Me çdo takim të ri të anëtarëve dhe miqve të “Ballkanit të Hapur”, ne ofrojmë bashkëpunim më të fortë, komunikim më të lehtë dhe kushte më të mira për zhvillimin e ekonomisë”, ka shkruar kryeministri në Facebook.

Sot dhe nesër në Ohër do të mbahet samiti dyditor i iniciativës “Ballkani i hapur”, me fokus kulturën dhe turizmin, ndërsa në samit do të marrin pjesë kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski dhe i Shqipërisë Edi Rama, presidenti serb Aleksandër Vuçiq, ndërsja pjesëmarrjen e tij e ka paralajmëruar edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Ndryshe, themeluese të kësaj nisme janë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa është kundërshtuar nga tri vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja.

Kjo nismë është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Kur u prezantua nisma e “Ballkanit të Hapur”, asokohe Mali i Zi me Qeverinë e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), nuk pranoi të merrte pjesë në këtë nismë rajonale.

Megjithatë, kryeministri i ri, Abazoviq e mbështet konceptin e kësaj nisme.

Kosova dhe Bosnja e Hercegovina nuk e mbështesin këtë iniciativë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button