SHBA, qindra të akuzuar për krime në trazirat në Kapitol

Më shumë se 800 persona në të gjithë SHBA-në janë akuzuar për trazirat e 6 janarit në Kapitol, raporton Anadolu Agency (AA).

Autoritetet federale vazhdojnë të bëjnë arrestime të reja pothuajse çdo javë.

Akuzat kundër atyre që janë përfshirë në trazirat variojnë nga vepra të nivelit të ulët për ata që sapo kishin hyrë në Kapitol deri në akuza konspirative kundër ekstremistëve të së djathtës ekstreme.

Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland është zotuar se do të mbajë përgjegjës “të gjithë autorët e 6 janarit, në çdo nivel”.

Autoritetet kanë arrestuar persona në pothuajse të gjitha 50 shtetet në lidhje me trazirat. Mes tyre janë ish-oficerë policie dhe veteranë ushtarakë të SHBA-së, fitues i pesë medaljeve olimpike në not dhe djali i një gjyqtari të New Yorkut.

Qindra persona të tjerë që u futën brenda por nuk morën pjesë në ndonjë shkatërrim apo dhunë përballen vetëm me dënime kundërvajtëse që përfshijnë deri në 6 muaj burgim.

Më shumë se 250 persona janë akuzuar për sulm ose pengim të zbatimit të ligjit, përfshirë më shumë se 85 të akuzuar për përdorimin e armëve vdekjeprurëse ose të rrezikshme ose për shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore ndaj një oficeri.

Çështjet më të rënda janë ngritur kundër anëtarëve të dy grupeve të ekstremit të djathtë “Oath Keepers” dhe “Proud Boys”.

Sulmi në Kapitol ndodhi më 6 janar 2021, kur një grup i madh protestuesish që mbështesnin presidentin e atëhershëm të SHBA-së, Donald Trump, sulmuan Kapitolin, duke kaluar barrierat e sigurisë dhe duke pushtuar pjesë të ndërtesës për disa orë.

Trazirat u nxitën nga komentet e bëra nga Trump në një tubim të mëparshëm. Ndërhyrja ndërpreu një seancë të përbashkët të Kongresit për të numëruar votat e Kolegjit Zgjedhor dhe për të konfirmuar fitoren e Joe Bidenit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, e cila çoi në evakuimin dhe mbylljen e ndërtesës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button