KOP26: A janë kombet në rrugën e duhur për të përmbushur qëllimet e tyre klimatike?

Qëllimet e reja për reduktimin e emetimeve të gazeve serrë, reduktimin e përdorimit të karburanteve fosile dhe përfundimin e shpyllëzimit ishin, ndër të tjera, çështjet rreth të cilave liderët botërorë të COP26 ranë dakord, shkruan Meta.mk, trasnsemton Portalb.mk.

“Kombet po takohen sërish në Bon, Gjermani për të diskutuar përparimin që nga nënshkrimi i Paktit të Klimës në Glasgou shkruan “BBC“.

Çdo vit, qeveritë në mbarë botën takohen në samit për klimën të quajtur Konferenca e Palëve (Cinference of the Parties- COP). Samiti i 26-të u mbajt në Glasgou vitin e kaluar, ndërsa i 27-ti do të mbahet në Sharm el-Sheik të Egjiptit në fund të këtij viti.

Ndërkohë, Konferenca e Bonit për Ndryshimet Klimatike po mbahet diku në mes të dy samiteve kryesore për të rishikuar progresin.

Por, a i mbajnë shtetet premtimet e tyre?

Emetimet e gazeve serrë: Rënie e mundshme këtë vit

Çfarë u ra dakord? Në Glasgou, vendet ranë dakord t’i nënshtroheshin planeve më ambicioze të klimës, duke përfshirë reduktimin e emetimeve të dyoksidit të karbonit (CO2).

Pse është e rëndësishme? Dyoksidi i karbonit është gaz serrë që shkakton ndryshime klimatike. Emetimet duhet të reduktohen për të ruajtur rritjen e temperaturës prej 1,5 gradë Celsius. Tejkalimi i këtij pragu mund të shkaktojë një “katastrofë klimatike”, kanë paralajmëruar shkencëtarët e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Çfarë është bërë? Vendeve iu dha afat deri në shtator për të paraqitur plane të reja, por deri më tani vetëm 11 nga 196 vende e kanë bërë këtë.

Megjithatë, një analizë prej para pak kohësh sugjeron se Kina shënon rënie të vazhdueshme të emetimeve që nga vera e vitit 2021. Kjo mund të ketë ndikim të rëndësishëm, pasi Kina është përgjegjëse për 27 për qind të emetimeve në botë.

foto: Chris LeBoutillier në Unsplash
foto: Chris LeBoutillier në Unsplash

Lëndët djegëse fosile: Kriza energjetike e kërcënon përparimin

Çfarë u ra dakord? COP26 përfshiu një plan për të reduktuar përdorimin e qymyrit, i cili është përgjegjës për 40 për qind të emetimeve vjetore të dyoksidit të karbonit. Liderët botërorë kanë rënë gjithashtu dakord t’i japin fund subvencioneve joefikase për naftë dhe gaz. Bëhet fjalë për pagesa shtetërore me të cilat çmimi i karburanteve fosilike ulet artificialisht.

Pse është e rëndësishme? Organi i OKB-së për shkencën e klimës, IPCC, thotë se lëndët djegëse fosile janë përgjegjëse për 64 për qind të emetimeve të CO2 në botë.

Çfarë është bërë? Aktualisht janë 34 vende që konsiderojnë të ndërtojnë impiante të reja me qymyr, nga 41 në fillim të vitit të kaluar.

Kina, përdoruesi më i madh i qymyrit në botë, ka rënë dakord të ndërpresë të gjitha fondet për “të gjitha projektet e energjisë që ndërlidhen me qymyrin jashtë shtetit”.

Megjithatë, India, konsumatori tjetër më i madh i qymyrit, njoftoi në prill se po rrit prodhimin e qymyrit dhe do rihap 100 centrale.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, subvencionet e karburanteve fosile u rritën edhe në vitin 2021. Megjithatë, Sabrina Muller, analiste politike në Shkollën Ekonomike të Londrës, e sheh këtë si masë afatshkurtër për t’u larguar nga gazi rus.

Shpyllëzimi: Brazili pengon përparimin global

Çfarë u ra dakord? Më shumë se 100 vende, që i posedojnë rreth 85 për qind të sipërfaqes pyjore në botë, janë zotuar të ndalojnë shpyllëzimin deri në vitin 2030.

Pse është e rëndësishme? Kjo konsiderohet jetike, duke pasur parasysh se pemët thithin rreth 10 për qind të dyoksidit të karbonit të emetuar çdo vit.

Çfarë është bërë? Gjysma e pyjeve të botës i përkasin pesë vendeve – Rusisë, Brazilit, Kanadasë, Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, kështu që veprimet e tyre mund të bëjnë dallim të madh.

Në prill, presidenti amerikan Xho Bajden nënshkroi një urdhër për të mbrojtur pyjet e vjetra në tokën qeveritare.

Por në Brazil, i cili është shtëpia e më shumë se gjysmës së pyjeve tropikale të Amazonës, shpyllëzimi është rritur me 69 për qind nga viti i kaluar.

Një sfidë tjetër është Rusia, e cila po përballet me një sezon zjarresh në pyje. Vitin e kaluar, vendi humbi 6,5 milionë hektarë pyje për shkak të zjarreve.

foto: gryffyn m në Unsplash
foto: gryffyn m në Unsplash

Veprimi klimatik: para shtesë, por nevojiten më shumë

Çfarë u ra dakord? Vendet më të pasura ranë dakord të japin 100 miliardë dollarë në vit për vendet në zhvillim për veprimet klimatike deri në fund të vitit 2022, premtim që mungoi në vitin 2020.

Pse është e rëndësishme? Vendet në zhvillim kanë nevojë për para për t’u larguar nga karburantet fosile, për shembull, duke investuar në teknologjitë e gjelbra. Gjithashtu  duhet që këto vende të përgatiten për efektet më të këqija të ndryshimeve klimatike.

Çfarë është bërë? Pavarësisht se BE, SHBA, Kanadaja dhe Australia po i rrisin premtimet për financim, Instituti Botërore i Burimeve thotë se ata duhet të shpenzojnë edhe më shumë për shkak të pasurisë së tyre relative dhe emetimeve të gazrave serrë në të kaluarën.

Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Japonia sigurojnë më shumë se sa duhet.

Metani – përkeqësimi i gjendjes

Çfarë u ra dakord? Më shumë se 100 vende pranuan një skemë për të reduktuar emetimet e metanit me 30 për qind deri në vitin 2030.

Emetuesit e mëdhenj – Kina, Rusia dhe India – nuk janë bashkuar ende, megjithëse Kina në marrëveshje me Shtetet e Bashkuara u pajtua që të punojë për këtë çështje.

Pse është e rëndësishme?Metani aktualisht është përgjegjës për një të tretën e ngrohjes globale të shkaktuar nga njeriu.

Çfarë është bërë? Vitin e kaluar, nivelet e metanit shënuan rritjen e tyre më të madhe vjetore që nga fillimi i regjistrimeve, sipas Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike të SHBA. Bujqësia dhe sektori i energjisë janë burimet kryesore të metanit dhe rritja e përdorimit të naftës dhe gazit si rezultat i lehtësimit të masave Kovid mund të jetë pjesërisht përgjegjës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button