Erdhën liderët e “Ballkanit të Hapur” në Ohër, nesër pritet nënshkrimi i marrëveshjeve

Sot dhe nesër në Ohër do të mbahet samiti dyditor i iniciativës “Ballkani i Hapur”, në fokusin e të cilit do të jenë kultura dhe turizmi, transmeton Portalb.mk.

Qeveria ka njoftuar që dje ka ardhur përfaqësuesi i Bosnjës, Zoran Tefeltija, ndërsa sot në mesditë kanë ardhur Aleksandar Vuçiq nga Serbia dhe Dritan Abazoviq nga Mali i Zi, që të dy kanë ardhur përmes aeroportit të Ohrit. Në orët e pasdites ka ardhur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Në njoftimin zyrtar të Qeverisë, sqarohet që nesër priten të nënshkruhen disa marrëveshje dhe memorandum për bashkëpunim në sfera të ndryshme.

Për sot është caktuar darkë pune e kryeministrave të Kovaçevskit, Rama, Vuçiq, kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe kryetarit të Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Zoran Tegeltija.

Për nesër nga ana tjetër, janë paraparë fjalimet zyrtare, ndërsa video-fjalim pritet të mbajnë edhe komisioneri i BE-së për Politikat e fqinjësisë dhe zgjerimin, Oliver Varhei dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar.

Në fund të samitit është planifikuar të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi në Ballkanin Perëndimor për njohjen reciproke të diplomave dhe gradave shkencore të lëshuara në institucionet e arsimit të lartë dhe institucionet e tjera të autorizuara dhe memorandume mirëkuptimi për bashkëpunim në fushën e turizmit, kulturës dhe administratës tatimore.

Ndryshe, themeluese të kësaj nisme janë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa është kundërshtuar nga tri vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja.

Kjo nismë është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Kur u prezantua nisma e “Ballkanit të Hapur”, asokohe Mali i Zi me Qeverinë e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), nuk pranoi të merrte pjesë në këtë nismë rajonale.

Megjithatë, kryeministri i ri, Abazoviq e mbështet konceptin e kësaj nisme.

Kosova dhe Bosnja e Hercegovina nuk e mbështesin këtë iniciativë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button