Maqedonia e Veriut e mbron vendimin për avionin e Lavrovit

Qeveria e Maqedonisë së Veriut të hënën ka mbrojtur vendimin për refuzimin e kërkesës së Ambasadës së Federatës Ruse për shfrytëzimin e hapësirës ajrore të këtij shteti për fluturimin e avionit të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, për në Beograd, raporton REL. Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka deklaruar të hënën se Maqedonia e Veriut është shtet anëtar i NATO-s dhe çdo vendim që merret nga Aleanca është edhe vendim i Maqedonisë së Veriut.

“Ne jemi shtet anëtar i NATO-s, që do të thotë se vendimet që merren në NATO janë edhe vendimet tona. Ne kemi një politikë të jashtme plotësisht të harmonizuar me politikën e Bashkimit Evropian. Pra, sa i përket fluturimit specifik, nuk ka asnjë trajtim tjetër. Vendimi që tashmë është marrë, mbetet në fuqi”, ka deklaruar Kovaçevski.

Pos Maqedonisë së Veriut, fluturimin e avionit të Lavrovit nëpër hapësirat e tyre ajrore e kanë ndaluar edhe Mali i Zi dhe Bullgaria.

Lavrov, të hënën, ka thënë se anulimi i vizitës së tij në Serbi, ka qenë i pashembullt.

“Nëse vizita e ministrit të Jashtëm rus në Serbi, shihet nga Perëndimi si kërcënim në shkallë universale, atëherë gjërat në Perëndim janë qartazi shumë keq”.

Kërkesa e Ambasadës ruse ishte bërë pavarësisht se Maqedonia e Veriut më 28 shkurt kishte vendosur sanksione ajrore ndaj Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës, më 24 shkurt.

Maqedonia e Veriut e ka dënuar agresionin rus në Ukrainë duke i dhënë mbështetje sovranitetit dhe integritetit territorial të këtij vendi.

Më 28 mars, Maqedonia e Veriut kishte dëbuar pesë diplomatë rusë, ndërsa më 15 prill edhe gjashtë të tjerë për shkak të dyshimeve në veprimtarinë e tyre, respektivisht se kryenin aktivitete që ishin në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike.

Sipas të dhënave të Entit të Statistikave, Maqedonia e Veriut, në periudhën janar – mars 2022, në Rusi ka eksportuar mallra në vlerë rreth dy milionë dollarë, ndërsa ka importuar mallra në vlerën rreth tre milionë dollarë.

Shkëmbimi tregtar mes dy vendeve në vitin 2021 ka qenë 233,5 milionë dollarë amerikanë.

Ndryshe, ministri rus, sot dhe nesër në Serbi do të duhej të takohej me presidentin Aleksandar Vuçiq, ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Selakoviq, kryetarin e Kuvendit, Ivica Daçiq dhe kryepeshkopin e KOS-it, patriarkun Porfirij.

Më 27 shkurt, Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi vendim për t’iu bashkëngjitur vendeve tjera nga BE në ndalesën për aviokompanitë ruse që ta shfrytëzojnë hapësirën ajrore të shtetit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button