TJETRIZIMI (I)

Një nga neologjizmat sociologjikë që përshkruajnë dhe zbërthejnë fuqishëm realitetin historik dhe të kohës është edhe othering apo tjetrizimi që sqaron një tërësi dinamikash, procesesh dhe strukturash që shkaktojnë margjinalizim dhe pabarazi të vazhdueshme në çdo gamë të dallimeve njerëzore, duke u bazuar te identitetet e grupeve. Dilema të shumta kemi pasur lidhur me shqipërimin e këtij termi, të cilin për herë të parë e kemi hasur gjatë redaktimit të librit Imaginarni Turčin (Turku imagjinar) të Bozhidar Jezernikut (2010) si drugojačenje dhe e patëm përkthyer si tjetrizimi, me të cilin sërish u përballëm si ötekileştirme gjatë përkthimit të Oksidentalizm: İki Doğu, İki Batı (Oksidentalizmi: Dy lindje dy perëndime) të Abdullah Metin-it (2013), që së shpejti shpresojmë ta kemi në dorë. Në gjuhën gjermane tjetrizimin e gjejmë si Veranderung.

Tjetrizimi si një problem edhe i shekullit XXI është “emëruesi i procesit të krijimit për veten një tjetër”, një të ndryshëm që pastaj vendoset në shënjestër dhe në bazë të së cilit e madhërojmë vetveten. Është një proces në të cilin grupi mbizotërues ia imponon një identitet një grupi të nënshtruar (subordinate group). Në këtë drejtim, disa individë ose grupe etiketohen si mospërputhshme me normat e një grupi tjetër social. Është formë e atavizmit dhe tribalizmit; një efekt që ndikon në mënyrën se si ne i trajtojmë ata që janë pjesëtarë të brenda-grupit (in-group) përkundër atyre që janë pjesë e jashtë-grupit (out-group).

Në dimensionet e tjetrizimit përfshihet feja, gjinia, raca, etniciteti, klasa (statusi socio-ekonomik), gjinia, aftësitë e kufizuara etj. Segregacioni është zakonisht pamje qendrore ose shënues diferencues te ato shoqëri ku vepron tjetrizimi. Individët dhe grupet që “tjetrizohen” mund të përjetojnë forma të ndryshme të trysnisë, të racializimit. (Powell & Menendian, 2022; Moodod & Thompson, 2021). Tjetrizimi si dukuri shoqërisht dhe kulturalisht e  konstruktuar bazohet te supozimi i vetëdijshëm ose i pavetëdijshëm se një grup paraqet kërcënim për një grup të favorizuar. (Powell, 2017).

Tjetrizimi që ngërthen shpjegime simpliciste apo thjeshtësuese,  ndryshon nga tjetërsimi apo tëhuajësimi, që nënkuptojnë ikjen nga vetvetja, gjendje në të cilën personi ndjehet i izoluar, i poshtëruar, i pavlefshëm dhe i parëndësishëm. Në këtë drejtim një term tjetër interesant self-othering (vetë-tjetrizimi) që nënkupton ndjenjën e fajësisë, dështimit, frikës apo shprehur me fjalët Judith Butler, shënon  jetën e pikëllueshme.

Me tjetrizimin del në pah dallimi mes unit dhe tjetrit dhe shpërfillen shkeljet e të drejtave të njerëzve që ndryshojnë prej nesh. (Staszak, 2008). Sipas ish-presidentit amerikan në kohën e “kolizionit/përplasjes mes kulturave”, të tribalizmave të tipit ne-ata, të armiqësisë kundrejt të panjohurit, të atij që është i ndryshëm nga ne, tjetrizimi lidhet me konfliktet globale bashkëkohore. Sot racizmi, etnocentrizmi, islamofobia përbëjnë forma konkrete të tjetrizimit apo të margjinalizimit. Njeriu i bardhë perëndimor historikisht e ka tjetrizuar zezakun, kolonalistët dhe imperialistët popullatën vendase-native. Fashizmi pati tjetrizuar hebrenjtë, e izraelitët shfrytëzojnë metoda johumane në trajtimin e palestinezëve. Deri në vitin 1994 afrikanerët (të  bardhët me prejardhje holandeze), që kanë dominuar politikën, tregtinë dhe agrikulturëne e Afrikës së Jugut, në kuadër të regjimit të aparteidit, i kanë tjetrizuar keqaz zezakët vendas. (vazhdon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button