Ahmeti – Gençovska: Çdo vonesë shkon në dëm të komunitetit bullgar në vend

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka pritur në takim ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë, Teodora Gençovska.  Ahmeti dhe Gençovska kanë diskutuar mbi kontestin mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë, zgjidhje kjo e cila do i jepte dritë jeshile vendit për të filluar bisedimet me Bashkimin Europian dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, derisa vendi tashmë i ka plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme, transmeton Portalb.mk.

Kreu i BDI-së Ahmeti gjatë këtij takimi ka thënë se çdo vonesë e paraqitur në zgjidhjen kontestit mes Shkupit dhe Sofjes zyrtare shkon në dëm të komunitetit bullgar në vend.

Kryetari Ahmeti ftoi autoritetet bulgare për rritje të besimit të ndërsjellë dhe bashkë të punojmë për epilog pozitiv për kontestin bilateral duke ngushtuar hapësirat për veprim të agjendave në vend e rajon që nuk përkojnë me përcaktimet tona perëndimore.

Nga mbyllja e menjëhershme e këtij kontesti do të përfitonte komuniteti bullgar në vendin tonë, rajoni dhe Evropa, por gjithmonë pa e cënuar identitetin kombëtar e gjuhësor të bashkëqytetarëve tanë.

“Zgjidhja e kontestit mes dy vendeve kontribuon në paqen, sigurinë dhe stabilitetin e mbarë rajonit. Qytetarët tashmë presin rezultate pozitive në gjetjen e gjuhës së përbashkët në zgjidhjen e kontestit mes dy vendeve pasiqë Evropa nuk është në paqe të plotë pa Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftimin e BDI-së.

Ahmeti dhe Gençovska gjatë takimit kanë theksuar se është e nevojshme që të intensifikohen edhe shkëmbimet tregtare dhe kulturore midis dy vendeve tona për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe njohjen më të mirë midis nesh.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button