Kovaçevski, Vuçiq dhe Rama në samitin e Ballkanit të Hapur në Ohër do të nënshkruajnë njohjen reciproke të diplomave 

Qeveria në seancën e sotme miratoi amendamentet e konkluzionit të seancës së kaluar lidhur me Marrëveshjen e bashkëpunimit për vendet e Ballkanit Perëndimor në fushën e njohjes reciproke të diplomave dhe nivelin shkencor të lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë dhe institucionet e tjera të autorizuara, transmeton Portalb.mk.

“Sipas ndryshimeve në konkluzionet, nënshkrues i kësaj marrëveshjeje, e cila do të nënshkruhet në Samitin e Ballkanit të Hapur më 8 qershor në Ohër, do të jetë kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ndërsa marrëveshja do të nënshkruhet nga presidenti Aleksandër Vuçiq dhe në emër të Republikës së Shqipërisë, kryeministri Edi Rama”, thuhet në njoftimin e shërbimit për shtyp të qeverisë.

Në seancën e sotme, e cila u mbajt përmes videokonferencës, u pranua propozimi për shtyrjen e afatit të Vendimit për ekzistimin e situatës së krizës në të gjithë vendin deri më 31 dhjetor 2022.

Afati i vendimit zgjatet për shkak të rrezikut të lartë të rritjes së volumit të hyrjes dhe kalimit të emigrantëve në të gjithë vendin dhe për të mbrojtur shëndetin publik nga migrimi i paligjshëm në prani të një pandemie të virusit Covid-19 dhe parandalimin e përhapjes së tij.

Ndryshe, themeluese të kësaj nisme janë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa është kundërshtuar nga tri vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja.

Kjo nismë është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Kur u prezantua nisma e “Ballkanit të Hapur”, asokohe Mali i Zi me Qeverinë e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), nuk pranoi të merrte pjesë në këtë nismë rajonale.

Megjithatë, kryeministri i ri, Abazoviq e mbështet konceptin e kësaj nisme.

Kosova dhe Bosnja e Hercegovina nuk e mbështesin këtë iniciativë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button