Bajram Begaj u zgjodh president i Shqipërisë

Duke u zotuar se Shqipëria për të vjen mbi të gjithçka, ushtaraku Bajram Begaj u zgjodh sot president i Shqipërisë me 78 vota të deputetëve të Kuvendit, transmeton REL.

Në votimin e tij në Kuvend morën pjesë 83 deputetë, prej të cilëve katër ishin kundër dhe një abstenoi. Pjesa më e madhe e opozitës nga Partia Demokratike bojkotoi seancën e Kuvendit.

Para votimit, presidenti i zgjedhur tha se do të mbajë rolin e lartë “me respekt të barabartë për të gjitha palët përfaqësuese të popullit shqiptar”.

“Fjalët nuk kanë qenë kurrë arma ime më e fortë, por edhe sikur të ishin jam i bindur se do ta kisha të vështirë t’i gjeja në këtë rast. Ky është një ndër ato raste që fjalët nuk e përshkruajnë dot. Vetëm përkushtimi me besnikëri absolute ndaj Republikës, qytetarëve dhe Kushtetutës së saj, mund ta tregojnë sadopak madhësinë e këtij nderi”, tha Begaj.

Emri i Begaj, që deri para një dite mbante detyrën e shefi të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, u propozua nga Partia Socialiste (PS) që udhëheqë vendin.

Ai është përzgjedhur përmes një votimi në selinë e kësaj partie.

Kryeministri i Shqipërisë, njëherësh kryetar i PS-së, Edi Rama, përsëriti se emri i Begajt u propozua për shkak të profilit të tij ushtarak dhe dedikimit e shërbimit të tij ndaj shtetit të Shqipërisë.

Ai gjithashtu theksoi se Begaj është figurë jopartiake dhe unifikuese, si dhe “shëmbëlltyra e normalitetit” për Shqipërinë.

“Besoj se kemi arritur qartësisht objektivin që kemi pasur qysh në krye të herës dhe të gjitha reagimet flasin për këtë. Natyrisht përjashtuar ndonjë reagim pa lidhje të hapësirës politike, flas përtej kësaj, që do të thotë që i kemi dhënë Shqipërisë një president normal, një figurë të pakontestueshme në aspektin e integritetit të humanizmit dhe patjetër edhe të përkushtimit për vendin dhe për njerëzit”, u shpreh kryeministri.

Seanca e Kuvendit për të zgjedhur të parin e shtetit u mbajt të shtunën, më 4 qershor, pas dështimit të tre rundeve të mëparshme, ku partitë opozitare nuk propozuan asnjë kandidat, duke i hapur rrugën PS-së që ta zgjedhë e vetme presidentin.

Partia Demokratike në opozitë e ka konsideruar jokushtetuese zgjedhjen e presidentit.

Begaj, mjek në profesion, mori detyrën si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare, në vitin 2020.

Që nga viti 1998 ai ka shërbyer në disa poste administrative ushtarake, si Komandant i Komandës së Stërvitjes dhe Doktrinës, Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake, Drejtor i Inspektoratit Shëndetësor, Kryeinspektor, dhe Këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare.

Presidenti i ri i vendit pritet të marrë zyrtarisht detyrën më 24 korrik të këtij viti – ditën kur largohet nga zyra presidenti aktual, Ilir Meta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button