Nga vërshimet dhe zjarri në Tetovë janë të dëmtuara 130 objekte, Kasami pret bashkëpunim me Qeverinë

Nga vërshimet dhe zjarri deri më tani në Tetovë janë dëmtuar 130 shtëpi dhe objekte publike. Për këtë Komuna e Tetovës nga dita e hënë do të dalë në teren me komisionin që ka formuar për të parë se sa është vlera e dëmit të shkaktuar, transmeton TV21.

Sipas kryetarit të Komunës, në qytet do të rritet kapacitetet e Ndërmarrjes publike “Tetova” dhe e zjarrfikësve, ndërsa Bilall Kasami ende po pret përgjigje nga Qeveria për dëmshpërblimet.

“Komisioni në kuadër të komunës është bërë. Qytetarët kanë bërë raportimin e dëmeve. Nga e hëna komisioni do të dalë në terren, do të bëjë vlerësimin dhe unë përmenda që pres edhe nga Qeveria që të na jep orientim se si do të shkojë bashkëpunimi me ta, që në mënyrë më të drejtë t’i dëmshpërblejmë qytetarët”, deklaroi Kasami.

Ndryshe, zjarri që shpërtheu më 30 maj në ndërmarrjen “Pofix” në Tetovë mbuloi qytetin me tym të zi. Ndonëse të dhënat nga Ministria e Mjedisit dhe ministri thonë se cilësia e ajrit është brenda normales, organizatat dhe aktivistët e mjedisit thonë se ajri është i ndotur dhe se i njëjti përveç se ka shkaktuar erë të keqe në qytet, ka shkaktuar kokë-dhimbje dhe djegie të syve te qytetarët.

Vetëm një ditë para zjarrit në “Pofix”, një pjesë e Tetovës u përmbyt nga reshjet e rrëmbyeshme të shiut, të cilat shkaktuan dëme në të gjithë rajonin e Pollogut. Shumë shtëpi dhe nënkalime u mbushën me ujë, ndërkaq edhe rrugët kryesore si rruga “Ilinden”, “Dardania”, “Lagja 172” në qytet janë vërshuar. Në disa pjesë të qytetit kishte dhe raportime për ndërprerje të rrymës elektrike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button