Edi Rama e shpalosi emrin e kandidatit për President të Shqipërisë

Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, Bajram Begaj, është kandidati për President të Republikës që ka propozuar Partia Socialiste, raporton Klan. Emri është bërë i ditur nga kryesocialisti dhe Kryeministri Edi Rama, i cili pas mbledhjes së Kryesisë së PS, doli në një deklaratë për mediat ku bëri të ditura edhe detajet e diskutimit të kandidaturave.

“Kemi përmbyllur procesin e përzgjedhjes së kandidaturës që do çojmë në Kuvend për të votuar Presidentin e ri të Republikës së Shqipërisë. Janë ndarë kandidaturat në 3 grupe. Është përjashtuar menjëherë blloku i kandidaturave të propozuar nga brenda grupit parlamentar. Është hequr dhe blloku i kandidaturave që janë që të gjitha gra dhe burra shumë të nderuar por që i përkasin kësaj familje politike dhe që kanë pasur aktivitet politik në PS sepse e kemi thënë edhe më parë, sot e kemi ridiskutuar dhe kemi dakordësuar që të gjithë që PS i takon që në këtë moment të shohë dhe të shkojë përtej vetes sepse duhet t’u japë shqiptarëve një kryetar shteti që nuk ka një karrierë politike në PS, por që rrezaton atë normalitet, atë qytetari dhe atë mirësi për të cilën kanë nevojë sot qytetarë. Dhe jemi përqëndruar në bllokun e tretë i cili ka pasur 26 kandidatura që janë shoshitur në një numër të caktuar xhirosh në tryezë për të arritur në konkluzionin që Partia Socialiste do të propozojë Bajram Bega, shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, për President”, deklaroi Rama.

Në vitin 2020 Bajram Begaj mori detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare. Ai më parë shërbeu si Komandant i Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës, Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake, Drejtor i Inspektoratit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Armatosur Shqiptare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button