fbpx

Ushqimet e përgatitura e të ftohta ruani në frigorifer, moti i nxehtë e rrit rrezikun e helmimeve

Rritja e paralajmëruar e temperaturave ditore i shton rreziqet për helmime nga ushqimi. Për të parandaluar këtë, është e nevojshme të bëhet zgjedhja e duhur e ushqimit gjatë blerjes dhe të sigurohen kushte adekuate për transport dhe ruajtje, paralajmërojnë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Ata shtojnë se është e nevojshme t’i kushtohet vëmendje pamjes, afatit të përdorimit dhe ruajtjes së duhur, si dhe të blihen ushqime nga vendet e kontrolluara ku ka kushte të përshtatshme dhe ku produktet, veçanërisht ato që prishen me origjinë shtazore ruhen në frigoriferë, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

“Të shmanget blerja dhe konsumimi i ushqimeve me ambalazh të dëmtuar (të shtypur, të fryrë ose të plasaritur), blini produkte të ftohta ose të ngrira në fund të blerjeve dhe mos ruani ushqime që prishen si mishi, qumështi, vezët dhe të tjera për një kohë të gjatë në vetura dhe mjete të tjera transporti”, thuhet në njoftimin e Agjencisë.

Ata bëjnë thirrje që të shmanget blerja e ushqimeve të ftohta ose të ngrira që prishen, të cilat ruhen jashtë frigoriferit. Ushqimi i ftohur duhet të ruhet në një temperaturë më të ulët se 5 gradë Celsius, ndërsa ushqimi që do të gatuhet duhet të përpunohet me energji termike në një temperaturë më të lartë se 60 gradë Celsius. Pemët dhe perimet duhet të lahen mirë nën ujë të rrjedhshëm përpara përdorimit, kurse mishi, qumështi dhe vezët duhet të përpunohen mirë me energji termike.

Pas përgatitjes, ushqimi i ftohur, duhet të ruhet në frigorifer. Në raftet e sipërme duhet të ruhet ushqimi i gatuar, ndërsa në raftet e poshtme ushqimet e pa përpunuara. Ushqimi duhet të mbrohet nga insektet, brejtësit dhe kafshët shtëpiake dhe kafshët e tjera që mund të vijnë në kontakt me të.

Qytetarët të cilët hanë në restorante, të kenë kujdes nëse operatorët me ushqim janë të kujdesshëm për higjienën dhe sigurinë e ushqimit. Në objektet e ushqimit të shpejtë të shmanget përdorimi i aditivëve që nuk mbahen në frigorifer, si majoneza, keçapi, krem sallatat, salcat dhe të ngjashme. Nëse vlerësohet se ushqimi është i pasigurt, të mos rrezikohet por të hidhet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button