Pas vërshimeve dhe zjarrit në Tetovë, Shtabi i Krizës: Të lahen dhe dezinfektohen të gjitha rrugët dhe objektet

Shtabi i Krizës në Komunën e Tetovës sot mbajti mbledhjen e tretë të tij ku u diskutua për situatën pas përmbytjeve dhe zjarrit që kaploi depon për materiale izoluese në qytetin e Tetovës. Theks i veçantë i kësaj mbledhjeje ishte raportimi për aktivitetet e ndërmarra rreth gjendjes momentale dhe se deri ku është arritur evidentimi i dëmeve të shkaktuara nga këto fatkeqësi, njofton Portalb.mk.

“Konkluzioni që doli nga kjo mbledhje është që NPK-ja, pavarësisht vonesës së qeverisë për përgjigje të kësaj kërkese nga ana e komunës, së bashku me Njësinë Territoriale Kundër Zjarrit (NJTKZ) duhet të dalin në terren dhe të bëjnë larjen dhe dezinfektimin e të gjitha rrugëve dhe objekteve (objektet private sipas kërkesave të pronarëve). Gjithashtu edhe komisioni i formuar për regjistrimin dhe vlerësimin e dëmeve duhet që të dalë në terren dhe të bëjë regjistrimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet”, thuhet në kumtesën e Komunës së Tetovës.

Ata shtojnë se nga NJTKZ u raportuan se situata është e qetë dhe në gjendje normale, mirëpo NJTKZ nga kjo situatë ka pësuar dëme materiale dhe shumë prej stafit të Njësisë së Zjarrfikësve kanë probleme shëndetësore pas atij intervenimi për shuarjen e zjarrit.

“Instituti për Shëndet Publik deklaroi se të gjithë zjarrfikësit do të bëjnë analiza të detajuara të gjakut për të konstatuar gjendjen e tyre pas rastit me shpërthimin e zjarrit në depon e fabrikës. Nga Prokuroria kanë njoftuar se është dhënë urdhër për bartjen e materialeve dhe sugjerimi i përfaqësuesit nga NJTKZ është që një ekip nga zjarrfikësit të jetë prezent gjatë bartjes së mbetjeve nga zjarri për shkak se mund të riaktivizohet përsëri”, thuhet në kumtesë.

Po ashtu, siç njofton Komuna e Tetovës, nga Qendra për Menaxhim me Krizat dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim kanë deklaruar se kërkesa e komunës që edhe qeveria të kontribuojë në dëmshpërblimin e qytetarëve është dërguar deri në qeveri, mirëpo ende nuk ka ndonjë përgjigje nga ana e tyre.

“Nga Inspektorati Komunal raportuan se së bashku me Inspektoratin Shtetëror për Ambient Jetësor kanë dalë në terren dhe kanë bërë inspektimet e nevojshme lidhur me ambientin jetësor. Udhëheqësi i njësisë për veprimtari komunale raportoi se vërshimet kanë shkaktuar probleme të dukshme në infrastrukturën rrugore, mirëpo kanë filluar që të bëjnë intervenime për të sanuar problemet e shkaktuara nga vërshimet”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Ndryshe, zjarri që shpërtheu më 30 maj në ndërmarrjen “Pofix” në Tetovë mbuloi qytetin me tym të zi. Ndonëse të dhënat nga Ministria e Mjedisit dhe ministri thonë se cilësia e ajrit është brenda normales, organizatat dhe aktivistët e mjedisit thonë se ajri është i ndotur dhe se i njëjti përveç se ka shkaktuar erë të keqe në qytet, ka shkaktuar kokë-dhimbje dhe djegie të syve te qytetarët.

Vetëm një ditë para zjarrit në “Pofix”, një pjesë e Tetovës u përmbyt nga reshjet e rrëmbyeshme të shiut, të cilat shkaktuan dëme në të gjithë rajonin e Pollogut. Shumë shtëpi dhe nënkalime u mbushën me ujë, ndërkaq edhe rrugët kryesore si rruga “Ilinden”, “Dardania”, “Lagja 172” në qytet janë vërshuar. Në disa pjesë të qytetit kishte dhe raportime për ndërprerje të rrymës elektrike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button