Osmani – Blinken: Mbështetje e fuqishme nga SHBA për rrugën e RMV-së drejt anëtarësimit në BE (VIDEO)

Ministri i Punëve të Jashtme të RMV-së, Bujar Osmani në fjalimin e tij e falënderoi Sekretarin e Shtetit Blinken për mikpritjen dhe organizimin e jashtëzakonshëm të Dialogut Strategjik në Uashington, duke theksuar se kjo është një ditë e rëndësishme për Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Nisja e Dialogut Strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Maqedonisë paraqet një moment historik të rëndësishëm në marrëdhëniet tona të përgjithshme bilaterale dhe mendoj se është një hap logjik përpara, që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike para 30 vjetëve dhe 15 vite të partneritetit strategjik, dhe veçanërisht dy viteve Aleancë në NATO”, deklaroi Osmani.

Sipas Osmanit, ky momentum do të hapë një kapitull të ri të bashkëpunimit dhe do ta fus në kornizë bashkëpunimin e dy vendeve në përgjithësi.

“Kjo është veçanërisht e rëndësishme tani kur vlerat tona janë sfiduar; e ne vendet e botës demokratike dhe vendet të cilat ndajmë të njëjtat vlera, duhet të jemi të koordinuar ngushtë për të adresuar ato sfida”, tha Osmani.

“Mendoj se kulmi i bashkëpunimit tonë ishte anëtarësimi ynë në NATO dhe ju jemi mirënjohës për mbështetjen që na jepni. Ky ishte qëllimi i parë dhe më i rëndësishëm strategjik për Maqedoninë e Veriut. Tentojmë që këto dy vite të jemi një vlerë e shtuar jo vetëm për Aleancën por edhe në rajonin tonë si partner konstruktiv i NATO-s”, shtoi Osmani, duke falënderuar Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e tyre në aspiratat e Republikës së Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku në tejkalimin e mosmarrëveshjeve që kemi për t’u anëtarësuar në BE dhe për ta shtyrë të gjithë rajonin në ankorimin euroatlantik”, përfundoi Osmani.

Kënaqësi për fillimin e Dialogut Strategjik shprehu edhe Antony Blinken, sekretar i Shtetit të SHBA-së.

“Ne e vlerësojmë agjendën shumë të rëndësishme reformuese në të cilën është angazhuar Maqedonia e Veriut, për demokracinë, për energjinë, për iniciativat ekonomike rajonale. Të gjitha këto janë të rëndësishme dhe ne i mbështesim fort”, tha Blinken.

“Ne mbështesim fuqishëm ambiciet e Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit në BE. Ne me të vërtetë duam ta shohim atë të ecë përpara dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim atë në çdo mënyrë që mundemi,” theksoi Blinken.

“Dhe, sigurisht, kemi shumë për të folur kur bëhet fjalë për agresionin rus kundër Ukrainës. Ju ishit në Kiev, një njërën prej ditëve kur unë po bisedoja me mikun tonë Dmitro Kuleba, ministër i Jashtëm i Ukrainës. Mezi pres të shkëmbejmë mendime me ju për këtë çështje”, përfundoi Blinken.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button