Kur do bëhemi Evropë?

Popujt e Ballkanit, veçmas ata më të vjetrit, i kanë dhënë shumë kontinentit evropian. Jo rastësisht Evropa e konsideron Ballkanin djep të kulturës së saj. I gjendur në udhëkryqin që njëkohësisht ndanë dhe bashkon Lindjen dhe Perëndimin, Ballkani qe vendtakimi i kulturave të ndryshme, siujdhesa ku lulëzoi diversiteti kulturor.

Ndër popujt me hise të pamohueshme në trashëgiminë e përbashkët kulturore evropiane, që nga antikiteti e këndej, sigurisht janë edhe shqiptarët. Në trojet tona, edhe përkundër pushtimeve shumëshekullore nga perandoritë e mëdha, si ajo romake, bizantine e osmane dhe perandoritë rajonale si ajo bullgare dhe serbe, kanë mbijetuar gjurmë të kulturës materiale e shpirtërore. Sipas arkeologut me autoritet ndërkombëtar Neritan Cekës, Shqipëria është muze i gjallë i trashëgimisë së lashtë kulturore. Tek ne ka ekzistuar një mbivendosje kulturash të hapura sa me lindjen aq edhe me perëndimin, konstaton profesor Ceka. Ne, kemi një histori mesjetare që është një nga periudhat me vlerë të vërtetë Evropiane. Vetëm pjesa e arkeologjisë në Shqipëri, është kaq e pasur sa nuk ka asnjë ndryshim nga ajo e muzeve në botë… Në këtë kontekst përmenden kishat mesjetare të stilit gotik; pikturat dhe afreskat e rralla të periudhës bizantine; kodikët e hershëm të kohës së Krishtit; kompozimet e mjeshtrit të madh të artit muzikor Jan Kukuzelit nga Durrësi, veprat e të cilit studiohen në universitetet e mëdha të botës; pikturat e Onufrit nga Berati që duken si imazhe të gjalla; veprat arkitektonike te Mikelanxhelos së Orientit – Mimar Sinanit nga Qesarati i Tepelenës, që janë me karakter fetar dhe laik dhe shumë vepra të tjera arti të krijuara përgjatë shekujsh nga paraardhësit tanë, që kanë lënë gjurmë në kulturën evropiane dhe jo vetëm.

Falë aftësive të tyre, ata zunë pozita të larta edhe në ushtritë dhe administratat e perandorive të mëdha. Ndër personalitetet e tillë u dallua heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, i cili fillimisht i solli fitore të mëdha ushtrisë osmane, gjersa përgatiti terrenin për bashkimin e princërve shqiptarë dhe nisjen e luftës çlirimtare kundër njërës nga superfuqitë më të frikshme të kohës, duke mbrojtur edhe Evropën…

Për çudi, Evropa u tregua mosmirënjohëse dhe, në vend se të mbrojë interesat tona kur u poqën kushtet për krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, organizoi konferenca për ricopëtimin e Shqipërisë së posaformuar dhe lejoi fqinjët tanë nëpërka të robtojnë më shumë se gjysmën e saj.

100 vite më pas, Evropa sikur u pendua për padrejtësitë e mëdha ndaj nesh dhe përkrahu vendosmërinë e amerikanëve për të ndërprerë gjenocidin serb mbi shqiptarët e Kosovës, por nuk la asnjë shteg për bashkimin e saj me shtetin amë, duke na thënë se bashkimi do të ndodhë kur dy shtetet shqiptare do të bëhen pjesë e BE-së. Që atëherë kanë kaluar më shumë se dy dekada, por Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, në të cilën jeton një numër i madh shqiptarësh mbahen larg portave të BE-së, me pretekstin se akoma nuk i kanë plotësuar kushtet që i paska plotësuar, fjala vjen, Mali i Zi, që, siç dihet është në të njëjtën derexhe si për nga standardi i jetës, si për nga funksionimi i shtetit të së drejtës, si për nga cilësia e politikbërjes, si për nga korrupsioni institucional, si për nga raportet ndëretnike…

Të merremi vesh, unë nuk them se i kemi plotësuar kushtet për inkuadrim në shtëpinë e madhe evropiane, sepse jemi popuj të vegjël, të varfër dhe shumë larg tyre në të gjitha dimensionet e jetës (ekonomi, infrastrukturë, drejtësi, arsim, kulturë…), megjithatë po e shtroj një pyetje të thjeshtë: nëse janë njerëzit e një vendi ata që duhet t’i plotësojnë kushtet për t’u anëtarësuar në BE, përse shtetet e këtij kampi e shprazin Ballkanin nga të rinjtë për të mbajtur gjallë ekonominë dhe popullatën e plakur evropiane?

Mos është në pyetje rengu për popullimin e vendeve të BE-së me evropianë ballkanas, që lënë pas vetes sinore të shprazura ku me shumë qejf do të nguliten përsijeta refugjatë nga Azia dhe Afrika, që nuk i ka fort për qejfi Evropa e Gjergj Fishtës, që mendon veç për vete.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button