LSM sot do të vendosë nëse do të hyjë në grevë të përgjithshme

Pasi Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) dhe Qeveria në mbledhjen e djeshme nuk arritën marrëveshje për rritje lineare të pagave, sot kryesia dhe këshilli i LSM-së do të takohen për të marrë vendimin përfundimtar për fillimin e grevës së përgjithshme, këtë e njoftoi dje njeriu i parë i LSM-së, Darko Dimovski, transmeton Portalb.mk.

Dimovski pas takimit të djeshëm dyorësh me përfaqësues të qeverisë tha se është i zhgënjyer nga takimi pasi nuk është arritur marrëveshje për rritje lineare të pagave prej 2806 denarë dhe paralajmëroi se sot do të merret vendim për grevë të përgjithshme. Ai shtoi se qeveritarët kishin përgjigje për gjithçka, por vetëm jo për kërkesën e tyre për rritje pagash.

Sindikata kërkoi takim me kryeministrin, zëvendëskryeministrin për Çështjet ekonomike dhe ministrat e Financave dhe Punës dhe Politikës Sociale pas prezantimit të ribalancit të buxhetit, pasi u pa se nuk ishin planifikuar mjete për kërkesën e tyre, siç ishte premtuar gjatë negociatave.

Për rritje pagash dje protestoi edhe Lidhja e Sindikatave të UKM-së, duke kërkuar nënshkrimin e marrëveshjes së re kolektive dhe pagave dinjitoze sepse rritja që u është premtuar në shtator është minimale dhe ata nuk e pranojnë.

Për çështjen e njëjtë , më 20 maj, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe SAShK arritën marrëveshje për çështjen e pagave dhe kontributeve për punonjësit parashkollor gjatë periudhës së grevës, si dhe për marrëveshjen kolektive.

Ndërkohë, më 17 maj, mes Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës u arrit marrëveshje që rrogat në shkolla dhe çerdhe prej shtatorit do të rriten për 15%.

SASHK-u mbajti grevë prej 11 deri më 28 prill, apo gjithsej 14 ditë pune, përmes së cilës kërkohej rritja e pagave prej 18.3% dhe nënshkrimi i marrëveshjeve kolektive. SASHK-u fillimisht e hodhi poshtë kategorikisht rritjen prej 10 për qind të pagave të punëtorëve në çerdhe dhe institucione arsimore, ndërsa anëtarësia sindikale nuk e pranoi as rritjen prej 12 për qind të ofruar nga Qeveria. Me ndihmën e ndërmjetësuesit, palët u ulën në tavolinën e bisedimeve, ndërkaq greva u pezullua.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button