Bekteshi në Dialogun strategjik prezantoi mundësitë për realizimin e investimeve të huaja dhe rritjen e tregtisë ndërmjet SHBA-së dhe RMV-së

Maqedonia e Veriut ka një pozitë strategjike gjeografike. Është thelbësore për investitorët e huaj që vendi të jetë rrugë kryesore e transportit në të gjithë Evropën. Japim mbështetje të madhe investitorëve të huaj që do të vendosin të realizojnë projekte investuese në vend dhe përmes kësaj mbështetjeje për investitorët e huaj inkurajohet drejtpërdrejt e gjithë ekonomia, tha ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi në takimin e punës me temën “Tregtia dhe Investimet” në kuadër të Dialogut strategjik SHBA-Maqedonia e Veriut që u zhvillua dje në Uashington, trasmeton Portalb.mk.

Në kuadër të takimit të punës, ministri Bekteshi prezantoi mundësitë dhe përfitimet që ka vendi për zhvillimin e investimeve si dhe mbështetjen e dhënë për realizimin e investimeve strategjike.

Ai kërkoi mbështetje për Maqedoninë e Veriut në zhvillimin e mekanizmave për kontrollin e investimeve të huaja, si synim kryesor për forcimin e kompetencës së autoriteteve për mbrojtjen e sigurisë nacionale, duke ruajtur politikën shumëvjeçare të hapjes ndaj investimeve të huaja.

Të dy palët rikonfirmuan angazhimin e tyre të ndërsjellë për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit dypalësh ekonomik dhe tregtar, si dhe shkëmbyen idetë për rritjen e tregtisë dhe investimeve në sektorë të ndryshëm.

“Korniza ligjore në Maqedoninë e Veriut është përgjithësisht e favorshme për investitorët e huaj dhe investimet e huaja direkte janë vazhdimisht në rritje. Megjithatë, duke pasur parasysh se Maqedonia e Veriut është bërë anëtare e NATO-s dhe vazhdon në rrugën e saj drejt integrimit në BE, ajo duhet të sigurojë mekanizma ligjorë për të kontrolluar investimet e huaja direkte nga pikëpamja e sigurisë nacionale, në mënyrë që të mbrojë interesat nacionale, duke transpozuar Rregulloren e BE-së 2019”, tha ministri Bekteshi.

Ministri informoi se Qeveria është duke punuar në zhvillimin e një Regjistri gjithëpërfshirës dhe transparent të Ndihmës Shtetërore për investitorët në mënyrë që të krijohet një sistem më efektiv për raportimin e ndihmës shtetërore.

“Jemi duke punuar në aktivitete për një koordinim më të madh të programeve të ndryshme, programe që si mbështetje shtetërore për investitorët ofrohen nga institucione të ndryshme me qëllim të rritjes së transparencës”, tha Bekteshi.

Bashkëpunimi tregtar bilateral, duke filluar nga 4 prilli 2003, pasi Maqedonia e Veriut u bë anëtare e plotë e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), zhvillohet në përputhje me rregullat, parimet dhe rregulloret ligjore të OBT-së.

Shtetet e Bashkuara renditen në vendin e 13-të në shkëmbimin e përgjithshëm tregtar të Republikës së Maqedonisë së Veriut me botën në vitin 2020 dhe 2021.

Në tre muajt e vitit 2022, Shtetet e Bashkuara renditen në vendin e 16-të. Tregtia dypalëshe është 76 milionë dollarë në tre muajt e vitit 2022, me eksporte në 39.5 milionë dollarë dhe importe 36.6 milionë dollarë.

Në takimin e punës u hap edhe diskutimi për iniciativat rajonale në të cilat merr pjesë Maqedonia e Veriut, ku ministri Bekteshi informoi për zhvillimet më të fundit në Ballkanin e Hapur, Komunitetin e Energjisë, Korridorin 8 dhe ndërtimin e një politike të përbashkët tregtare në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal siç është lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe punëtorëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button