fbpx

Gërkovska: Përmes dialogut strategjik, marrëdhëniet me SHBA-në i ngremë në një nivel më të lartë

Zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë Slavica Gërkovska mbrëmë, përmes një lidhje konferenciale, mori pjesë në Dialogun e parë strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara, në panelin kushtuar “Sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë”, që u mbajtë në hapësirat e Departamentit të Shtetit në Uashington, transmeton Portalb.mk.

Në fjalën e saj, zëvendëskryeministrja Gërkovska theksoi se Dialogu strategjik po i ngrit në një nivel më të lartë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është veçanërisht e rëndësishme në fushën e qeverisjes së mirë. Ajo theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve është thelbësor dhe mbulon një gamë të gjerë çështjesh që janë me interes kombëtar dhe kanë për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

Para të pranishmëve në konferencë, Gërkovska informoi se në fokus të kabinetit të saj janë tri shtylla: transformimi digjital i shoqërisë, institucione transparente dhe efikase dhe zhvillimi i politikave kundër korrupsionit.

“Qeveria e Maqedonisë së Veriut është e përkushtuar për ndërtimin e një shoqërie me institucione profesionale, efikase, transparente dhe të përgjegjshme, që synojnë ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët”, tha Gërkovska.

Zëvendëskryeministrja deklaroi se me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe në partneritet me ekspertë nga Estonia, po punohet intensivisht për transformimin digjital të shoqërisë, në mënyrë që shërbimet e ofruara nga shteti për qytetarët të jenë të qasshme në mënyrë digjitale, të shpejta, efikas dhe të sakta. Në këtë drejtim tashmë ka filluar procesi i futjes së letërnjoftimit elektronik, i cili është hap kyç për transformimin digjital të shoqërisë.

“Dua të falënderoj veçanërisht Ambasadën e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut dhe ekipin e USAID-it në Shkup për mbështetjen e deritanishme. Ka shumë punë dhe shumë sfida përpara, por jam e bindur se me një partneritet të fortë mes dy qeverive tona do të arrijmë rezultate dhe zgjidhje të qëndrueshme, me të cilat do të jemi krenarë”, tha Gërkovska në konferencë.

Zëvendëskryeministrja Gërkovska iu referua edhe Samitit të demokracisë, i cili do të mbahet këtë vit nën kujdesin e presidentit Biden, dhe theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet e përkushtuar në përpjekjet e përbashkëta për t’iu kundërvënë regjimeve autoritare, si dhe për të dyfishuar përpjekjet kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, përmes ndërtimit të institucioneve elastike dhe efikase.

“Në Samitin e ardhshëm, Maqedonia e Veriut do të prezantojë qëllimet konkrete, të fokusuara në reformat pozitive institucionale, transformimin digjital të shoqërisë, si dhe përkushtimin e vazhdueshëm për të kundërshtuar autoritarizmin në Evropë”, tha Gërkovska.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, së bashku me Ndihmëssekretaren e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, hapën Dialogun Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe ShBA-së, i cili u mbajtë dje sot në Ambientet e Departamentit të Shtetit në Uashington.

“Dialogu Strategjik me SHBA-të paraqet kapitull të ri në marrëdhëniet tona të ndërsjella, i cili do ta avancojë partneritetin tonë strategjik dhe do të vendosë kornizë për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy vendeve. Ndjehemi veçanërisht krenarë që Maqedonia e Veriut është vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që e ruan këtë proces të rëndësishëm, i cili paraqet njohje edhe për rolin tonë rajonal dhe sinjal të qartë të miqësisë dhe aleancës së fortë mes dy vendeve”, theksoi Osmani.

Pas hapjes zyrtare, vijoi sesioni kushtuar iniciativave rajonale, që u kryesua nga ana e Ministrit Osmani dhe ndihmëssekretarja e shtetit Karen Donfried. Në fokus të diskutimeve ishte rëndësia e iniciativave rajonale për proceset reformuese si veçanërisht të rëndësishme për perspektivat e integrimit evropian, pajtimin dhe stabilitetin e përgjithshëm të Ballkanit Perëndimor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button