Shqipëri, u mbajt ceremonia e homazheve në nderim të ish-presidentit Nishani

Në Tiranë është mbajtur me nderime të larta shtetërore ceremonia e homazheve në nderim të ish-presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, i cili ndërroi jetë në moshën 56-vjeçare disa ditë më parë, raporton Anadolu Agency(AA).

Këshilli i Ministrave i Shqipërisë e shpalli ditën e sotme ditë zie kombëtare në nderim të ish-presidentit Nishani, ndërkohë ceremonia e homazheve u mbajt në ambientet e Presidencës së Shqipërisë.

Pjesë e homazheve ishin zyrtarë të lartë, si Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ministra, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, si dhe zyrtarë dhe personalitete të ndryshme nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera.

Në një fjalim gjatë ceremonisë, presidenti Meta theksoi se Nishani ishte i vendosur dhe i angazhuar për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe për garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve.

“Bujar Nishani besonte tek demokracia dhe shteti ligjor dhe këtë bindje e dëshmoi më së miri edhe në drejtimin e ministrive shumë të rëndësishme, si rendi dhe drejtësia. Ai do të mbahet mend për qetësinë, forcën e argumentit dhe besnikërinë ndaj parimeve dhe vlerave të cilat i besonte. Si kryetar i shtetit, Bujar Nishani punoi me përkushtim të rrallë në mbrojtje të kushtetutës”, u shpreh Meta.

Meta tha se i ardhur në politikë nga forcat e armatosura, Nishani solli virtytet më të mira të ushtarakëve në jetën politike dhe institucionale të vendit.

Pas ceremonisë, trupi i pajetë ish-presidentit Nishani është përcjellë me nderime të larta shtetërore për në banesën e fundit.

Kujtojmë se Nishani ndërroi jetë në Gjermani më 28 maj, ku ishte i shtruar prej disa javësh në një spital për shkak të problemeve nga një infeksion pulmonar dhe problemeve të tjera shëndetësore.

Bujar Nishani u lind më 29 shtator 1966 në qytetin e Durrësit. Studimet e larta i kreu në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë dhe për Jurisprudencë në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës.

Karriera politike e ish-presidentit Nishani ka kaluar në disa etapa në Partinë Demokratike të Shqipërisë, si dhe në institucionet e vendit.

Përveç postit të presidentit të Shqipërisë në vitet 2012-2017, Nishani ka mbajtur edhe postin e ministrit të Brendshëm dhe ministrit të Drejtësisë të Shqipërisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button