RMV, edukimi mediatik do të mësohet në katër fakultete

Katër institucione të arsimit të lartë do të përfshijnë edukimin mediatik në programet e tyre të studimit. Fakulteti Filologjik “Bllaze Koneski” dhe Fakulteti Pedagogjik “Shën Kliment i Ohrit“ nga Universiteti ”Shën Kirili dhe Metodi” nga Shkupi, Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL) nga Tetova dhe Fakulteti Ekonomik në Universitetin FON, njofton Portalb.mk.

Siç deklaroi Aleksandra Temenugova nga Instituti për Studime të Komunikimit (ISK), ata do të përditësojnë lëndët ose do të përfshijnë kurse të reja të edukimit mediatik, do të punojnë në hulumtime, do të krijojnë literaturë të re dhe do të krijojnë aktivitete të ndryshme me studentët.

Këto institucione të arsimit të lartë u përzgjodhën nga gjithsej 11 fakultete që aplikuan në thirrjen e ISK dhe IREKS në kuadër të Projektit pesëvjeçar të USAID-it për edukimin mediatik “Të rinjtë mendojnë”.

“Përmes këtyre granteve të vogla, duam ta përfundojmë procesin e përfshirjes së edukimit mediatik dhe perceptimit kritik të përmbajtjes mediatike në të gjitha nivelet e arsimit formal – nga ai fillor deri në atë të lartë”, tha Mihajlo Llahtov, drejtor i IREX Shkup.

Sipas Demush Bajramit, dekan i Fakultetit të Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimeve në Universitetin e Evropës Juglindore, “kjo mbështetje vjen në kohën e duhur sepse përmes arsimimit për edukim mediatik mund të ndikohet tek publiku duke formuar gjeneratat e ardhshme të profesionistëve”.

Fakulteti Filologjik nga Shkupi kuptoi se në programet e tyre studimore mungon literatura bashkëkohore në këtë fushë, kështu që përveç se edukimi mediatik do të futet si lëndë e veçantë, ajo do të zbatohet në të gjitha nivelet e arsimit.

“Këto aktivitete planifikojmë t’i realizojmë në ciklin e parë, të dytë dhe të tretë të studimeve”, tha prof. Aneta Duçevska, dekane e Fakultetit Filologjik, Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Maqedonase “Bllazhe Koneski”.

Fakulteti Pedagogjik do të përgatisë mësuesit dhe bibliotekarët e ardhshëm që të përvetësojnë dhe të mësojnë se si t’i mësojnë studentët e tyre të ardhshëm, duke ndjekur kurrikula të reja që përfshijnë, ndër të tjera, shkrim-leximin mediatik dhe digjital që nxënësit e shkollave fillore po i ndjekin që nga ky vit shkollor. Fakulteti i Shkencave Sociale (FON) do të përditësojë kurrikulën për studentët e Fakultetit Ekonomik.

Ky është viti i parë që institucionet e arsimit të lartë aplikojnë për 8500 dollarë grante. Thirrja do të përsëritet edhe në vitet e ardhshme.

Projekti “Të rinjtë mendojnë” zbatohet nga Bordi Ndërkombëtar i Kërkimeve dhe Shkëmbimeve (IREX) në bashkëpunim me partnerët lokalë Instituti Maqedonas për Media (MIM), Instituti për Studime të Komunikimit (ISK) dhe Forumi Arsimor Rinor (FAR), ndërsa mbështetet financiarisht nga USAID.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button