Vuçiqi paralajmëroi dy marrëveshje me Kosovën së shpejti

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po merr pjesë në forumin “GLOBSEC 2022” në Bratisllavë të Sllovakisë dhe nga aty ka prekur shumë tema: nga ajo që po e pengon më së shumti – presioni për t’i vënë sanksione Rusisë e deri te çështja e Kosovës, raporton Koha.net.

Vuçiqi tha se Serbia është e gatshme në çdo kohë të vazhdojë dialogun me Kosovën dhe se dy marrëveshje sipas tij, janë shumë afër për t’u arritur.

“Besoj se nuk jemi larg arritjes së marrëveshjes për personat e pagjetur dhe energjinë”, tha Vuçiq, përcjell B92 të enjten.

Për personat e zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë ka kohë që bisedohet, sikurse edhe për furnizimin e komunave veriore me energji, e të cilët serbët nuk e paguajnë tash e 22 vjet.

Ndërkohë, Vuçiq nuk ka folur për marrëveshjen për targat e veturave. Marrëveshja e përhershme është dashur të arrihet më 21 prill, por vazhdon të jetë në fuqi, në të dy anët e kufirit, masa që mbulon simbolet shtetërore në targa me sitikera të letrës.

Vuçiqi po ashtu ka lutur shtetet perëndimore të mos i bëjnë presion për t’i vënë sanksione Rusisë. Ai tha se vendi i tij është i varur nga gazi i Rusisë si dhe i ka borxh këtij vendi dhe Kinës “për qëndrimin e tyre për çështjen e Kosovës”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button