PPD: Sektorin për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit ta udhëheq person jo partiak

Partia për Prosperitet Demokratik në një komunikatë të saj potencon rolin që ka pasur në ndërprerjen e konfliktit ushtarak të vitit 2001 si dhe për nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit.

“Gjatë bisedimeve me Rober Badenter, kryetar i Komisionit për vlerësimin e Kushtetutës së Maqedonisë, përfaqësuesit e PPD-së u angazhuan për përfaqësim të drejtë të shqiptarëve në institucionet e shtetit dhe administratën publike, një përcaktim i kësaj partie i shkruar në Deklaratën për status të barabartë të shqiptarëve në Maqedoni, hartuar nga Grupi parlamentar PPD-PDP, që më vonë u bë pjesë e Marrëveshjes së Ohrit”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.

Partia për Prosperitet Demokratik konstaton se prej vitit 2002 e deri më ditët e sodit përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe administratën publike është keqpërdorur nga ana e partive politike shqiptare që kanë qenë pjesë e qeverisë dhe Sektorin për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit ( detyrë e të cilit ishte të sigurohet përfaqësim i drejtë i shqiptarëve dhe qytetarëve tjerë) e shndërruan në ent  partiak për punësimin e kuadrove partiake të cilët më vonë i (keq)përdorën si ushtarë partiakë për të vrapuar për vota gjatë çdo cikli zgjedhor.

Nisur nga  përcaktimi partiak i PPD-së për departizimin e administratës publike dhe rritjen e cilësisë te administratorët e punësuar, PPD i bënë apel mandatarit dhe kryeministrit aktual Nikolla Gruevskit që Sektorin për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit t’ia besoj ndonjë kuadri nga elita intelektuale shqiptare i cili nuk do të ishte i lidhur për ndonjë parti politike madje edhe as simpatizant i saj.

PPD konsideron se praktika e deritashme e emrimit të ministrit partiak për udhëheqje me këtë sektor ka qenë e gabueshme dhe ka kontribuar që institucionet shtetërore dhe administrata publike të udhëhiqet nga kuadro të paafta partiake të BDI-së, gjë që edhe vetë kryeministri disa herë e ka potencuar.

Për këtë PPD do ti drejtohet me letër Komisionit Evropian me kërkesë që institucionet e saja  të bëjnë presion ndaj BDI-së ta ndërpresë diskriminimin ndër shqiptar në fushën e punësimit dhe përparimit në punë dhe mos diskriminimi  ndër shqiptar të bëhet kusht që Maqedonia duhet plotësuar për fillimin e negociatave me BE-në.

Lajme të ngjashme

Back to top button