Të punësuarit në UKM: Duam paga dinjitoze dhe marrëveshje të re kolektive, nëse nuk pranohen kërkesat tona do të dalim para Qeverisë

Protesta paqësore para Rektoratit të Universitetit Universiteti Shën Kiril dhe Metodi në Shkup sot organizoi Lidhja e Sindikatave të UKM-së duke kërkuar nënshkrimin e marrëveshjes së re kolektive dhe pagave dinjitoze sepse rritja që u është premtuar në shtator është minimale dhe ata nuk e pranojnë, transmeton Portalb.mk.

“Qeveria përpiqet të plotësojë nevojat me rritje minimale. Këto rritje i ka ngrënë prej kohësh inflacioni. Sot shohim që minimale është rritur, vetëm ne jemi harruar. Protesta ka për qëllim t’i vërë në dukje Qeverisë dhe të dërgojë mesazh se nuk mund ta bëjë më këtë. Propozimet për rritje minimale nga shtatori nuk i pranojmë”, thonë nga Lidhja e Sindikatave të UKM-së.

Nëse kërkesat e tyre nuk dëgjohen dhe pranohen, protesta e radhës është paralajmëruar të jetë më masive para Qeverisë.

Të ardhurat aktuale, kanë reaguar përfaqësuesit e sindikatave, janë nën dinjitetin. Siç kanë ndarë, paga e profesorit thjeshtë është 39.000 denarë, ndërsa të ardhurat e stafit jomësimdhënës variojnë nga 18.000 deri në 25.000 denarë.

“Stafi jo pedagogjik është logjistika që nuk e shihni, por punojnë shumë, me ndershmëri dhe në përditshmëri për të mundësuar realizimin e gjithë procesit mësimor, këta janë personat që janë të diplomuar në drejtësi, ekonomistë. Ato japin dhe mundësojnë zbatimin e ligjeve, kurrikulave, mirëmbajtjen e ambienteve, laboratorëve… Ne si staf jomësimdhënës kemi përgjegjësi dhe kujdes të madh për të realizuar mësimin. Prandaj mendojmë se për momentin ajo që kemi si rrogë është në mënyrë qesharake krejtësisht degraduese dhe e pamjaftueshme duke pasur parasysh përpjekjet tona. Punojmë për dy, për tre. Financimi i kuadrit jo-mësimdhënës është nga 18 deri në 25 000 denarë. Si mundet që një personel jo-mësimor të ketë të ardhura të tilla mujore? Nuk është bërë as nivelizimi i pagave në përputhje me pagën minimale. Është momenti i fundit që qeveria t’u përgjigjet kërkesave tona, të bëjë kalkulime serioze për të përcaktuar se cilat janë bazat reale dhe”, tha Gabriela Atanasovska, përfaqësuese e kuadrit jo-mësimdhënës.

Profesori nga Fakulteti Filozofik, Zoran Kitkanj, nga ana tjetër tha se përmes protestës duan të shprehin pakënaqësinë, revoltën. Më shumë se 20 vjet, tha ai, asnjë qeveri nuk e ka kuptuar se investimi në arsimin e lartë është investim në kapitalin njerëzor.

“Nuk e di si nuk mund ta kuptojnë qeveria aktuale dhe të gjitha qeveritë e mëparshme, se respekti joadekuat dhe mungesa e respektit na shpie në humbje. Për një pozicion kaq të palakmueshëm fajësohen pjesërisht edhe vetë profesorët. Ne kemi heshtur për më shumë se 20 vjet dhe thjesht heshtim dhe nuk ngremë kokën, duke pritur që dikujtë t’i vijë keq dhe të na rrisë rrogat. Nëse nuk e respektojmë veten, nuk e vlerësojmë veten, nuk bashkëpunojmë dhe nuk e përkrahim njëri-tjetrin, mos prisni që jo vetëm kjo, por ndonjë qeveri t’u përgjigjet problemeve dhe kërkesave tona”, tha profesori.

Ky kuadër, thotë Kitkanj, nuk është thjesht numër pasi nëse stimulohet arsimi i lartë, atëherë do të stimulohet edhe aktiviteti shkencor e kulturor, por edhe ekonomia.

“Ashtu si të gjitha qeveritë e mëparshme, asnjëherë nuk i morën parasysh kërkesat tona pasi na shihnin si numër të vogël, si elektorat që nuk jep as gjysmë deputeti. Ne nuk jemi thjesht numër, duhet t’u dëshmojmë atyre që mendojnë se jemi forcë lëvizëse bashkë me studentët dhe administratën”, tha Kitkanj.

Rektori i UKM-së, profesor Nikolla Jankulovski, gjithashtu ishte i pranishëm në protestë, dhe pas përfundimit të saj në deklaratën për media tha se i jep përkrahje të plotë stafit në kuadrin mësimor dhe jomësimor, si dhe gjithë Rektoratit dhe Senatit të Universitetit.

“Janë dërguar letra në Qeveri, në Kuvend, në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës ku thuhet se pagat janë të ulëta dhe vërtetë duhet të ketë rritje, duke qenë se në të kaluarën ka pasur disa rritje në aktivitete të tjera. Punonjësit e UKM-së ndihen të neglizhuar. Duke pasur parasysh se paga e një profesori të thjeshtë është 39.000 denarë, ndërsa të gjithë mësimdhënësit në rajon dhe më gjerë kanë pagë minimale deri në 1.500 euro, mendoj se është koha të fitojmë forcë, të bëjmë diçka më shumë. Arsimi i lartë është shtyllë, pa arsim të lartë nuk do të vazhdojë asnjë zhvillim në vend”, tha Jankullovski.

Ndryshe, më 20 maj, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe SAShK arritën marrëveshje për çështjen e pagave dhe kontributeve për punonjësit parashkollor gjatë periudhës së grevës, si dhe për marrëveshjen kolektive.

Ndërkohë, më 17 maj, mes Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës u arrit marrëveshje që rrogat në shkolla dhe çerdhe prej shtatorit do të rriten për 15%.

SASHK-u mbajti grevë prej 11 deri më 28 prill, apo gjithsej 14 ditë pune, përmes së cilës kërkohej rritja e pagave prej 18.3% dhe nënshkrimi i marrëveshjeve kolektive. SASHK-u fillimisht e hodhi poshtë kategorikisht rritjen prej 10 për qind të pagave të punëtorëve në çerdhe dhe institucione arsimore, ndërsa anëtarësia sindikale nuk e pranoi as rritjen prej 12 për qind të ofruar nga Qeveria. Me ndihmën e ndërmjetësuesit, palët u ulën në tavolinën e bisedimeve, ndërkaq greva u pezullua.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button