Dita e fëmijëve

Dita e djeshme, 1 qershori, shënon ditën ndërkombëtare të fëmijëve. Është ditë që duhet të reflektojë gëzimin fëmijëror, energjinë e të rinjve, lulëzimin e gjeneratave të reja ku e shohim ardhmërinë tonë. Është ditë ku duhet të reflektojmë edhe mbi përgjegjësitë tona lidhur me fëmijët, si dhe për ngritjen e vetëdijes dhe ndërgjegjësimin e fëmijëve lidhur me statusin dhe pozitën e tyre në shoqëri.

Fëmijët e sotëm rriten ndoshta në kushte më të mira materiale se në të kaluarën. Shumica prej tyre kanë mjaftueshëm veshje dhe ushqim për të kaluar një fëmiëri pa uri dhe ma skamje. Shumica prej tyre shkojnë në shkollë dhe ndjekin mësimin në gjuhën e tyre amtare. Shumica prej tyre kanë nga disa pajisje elektronike me ekrane shumëngjyrëshe me të cilat kalojnë një pjesë të mirë të kohës, e gjithë kjo në emër të zhvillimit teknologjik.

Megjithatë, në shumë aspekte, mendoj se jemi ne borxh të thellë me fëmijët e sotëm, veçanërisht lidhur me ato gjëra që nuk kanë çmim.

Po, është e vërtetë që fëmijët e sotëm vuajnë më pak nga uria se në të kaluarën, dhe rriten me bollëk që ndoshta ne nuk e kemi pasur kur kemi qenë të vegjël. Por sa prej fëmijëve të tashëm rriten duke konsumuar ushqim të shëndetshëm dhe duke krijuar shprehi të mira të të ushqyerit? Fëmijët e botës moderne vuajnë më pak nga uria por më shumë nga obeziteti dhe nga sëmundjet diabetike, si pasojë e konsumimit të pakontrolluar të sheqerit dhe të ushqimit të shëndetshëm. Në emër të bollëkut ushqimor, fëmijët tanë në fakt bëhen më pak të shëndetshëm sepse hanë gjëra më kalorike ndërsa lëvizin shumë më pak se ç’kanë lëvizur paraardhësit e tyre.

Po, është e vërtetë që fëmijët e sotëm vishen më mirë se fëmijët e së kaluarës. Por shpesh ndodh që përmes veshjes së fëmijëve të stimulohet konsumatorizmi material tek fëmijët dhe të krijohet përshtypja se gjërat materiale dhe paratë janë më të rëndësishme se gjitçëka tjetër në botë. Vlerat materiale janë ato që e dallojnë kapitalizmin, por krijojnë individë me shpirt të varfër po nuk u kombinuan edhe me vlerat spirituale. Pangopësia dhe materializmi i tepruar janë gjëra të cilat do të reflektojnë keq në të ardhmen e fëmijëve po qe se nuk arrijmë t’i mësojmë se lumturia nuk lidhet vetëm me mirëqenien materiale, por mbi të gjitha lidhet me raportet ndërnjerëzore që individi arrin t’i krijojë me të tjerët.

Po, është e vërtetë që fëmijët e kanë më të lehtë sot të ndjekin mësimin në vendin ku jetojnë dhe në gjuhën e tyre amtare. Por të gjithë flasin për atë se si arsmimi nuk është ai që ka qenë më parë. Arsimimi i mirëfilltë dhe esencial që ishte i dukshëm në klasat tona shpesh ndodh që në kohën e tashme të zëvendësohet me arsimim sipërfaqësor, ku nxënësit mësojnë nga diktimet në fletore, edhe përkrah librave të botuar sipas programit Kembrixh, edhe përkrah të gjitha njohurive ku kanë qasje direkte pikërisht falë zhvillimit teknologjik dhe internetit. Në fakt, në ditët e sotme, po të mos jemi sa duhet të kujdesshëm, fëmijetë mund të mbeten më pak të ditur se paraardhësit e tyre.

Po, fëmijët e sotëm kanë pajisje elektronike që paraardhësit e tyre as që kanë mundur t’i imagjinojnë, por këto pajisje në të shumtën e kohës shumica e fëmijëve i përdorin vetëm për të kaluar kohën duke marë informata të kota dhe të padobishme dhe pa u mësuar që t’i dallojnë informatat kualitative dhe të vërteta nga ato të rremet. Për më tepër, relacioni me pajisjet elektronike shpesh herë e zëvendëson të lexuarit e librave, dhe ç’është më e keqja, shpesh herë e zëvendëson edhe relacionin me botën reale dhe krijimin e lidhjeve të mirëfillta familjare dhe shoqerore. Në një botë ku shoqëria virtuale ka më shumë rëndësi, edhe realiteti bëhet gjithnjë e më virtual.

U kemi shumë borxh fëmijëve tanë. Nuk bëjmë sa duhet për t’i përgatitur ata për jetë. Në këtë botë që ofron shumë, nuk arrijmë t’i bëjmë fëmijët ta dallojnë atë që ka rëndësi esenciale. Duhet të mundohemi më shumë që t’u ndihmojmë fëmijëve ta kuptojnë vlerën e raporteve ndërnjerëzore të cilat janë aq të çmuara sa asnjëherë nuk mund t’u vendoset një çmim material.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button