Kontrollohet numri i të punësuarve në sektorin publik – mbetet dyshimi se sa është real

Nëpërmjet sistemit SIBNJ (Sistemi Informativ i Burimeve Njerëzore) rrjetëzohet ose duhet të lidhet e gjithë administrata publike dhe shtetërore. Nëpërmjet këtij sistemi de fakto nxirret regjistri i punonjësve në Administratën Publike, i cili mbahet rregullisht prej disa vitesh, ndërsa përgatiten raportet vjetore për punonjësit në sektorin publik, thuhet në Raportin e “Metamorfozis” për reformat në administratën publike me titull: “Administrimi” me administratën – një parakusht kyç për reformat, i cili përshkruan gjendjen e procesit të reformave nga viti 2021 deri më 31 mars 2022, shkruan Vërtetmatësi.

Nëse ndiqen raportet për të punësuarit në pesë vitet e fundit, rezulton se të punësuarit në sektorin shtetëror dhe publik në RMV janë rreth 130 mijë, duke mos përfshirë personat në shoqëritë aksionare në pronësi të shtetit ose të përzier, ku qeveria është pjesë e strukturave drejtuese. Në të njëjtën kohë, sipas ligjit, të dhënat për deputetë, ministra, zëvendësministra, kryetarë komunash, kryetarë dhe anëtarë të komisioneve shtetërore, drejtorë, gjyqtarë, prokurorë publikë dhe persona të tjerë të zgjedhur apo të emëruar nuk shfaqen.

Megjithatë, sipas disa ekspertëve nga fokus-grupi, nuk dihet numri i personave të tjerë, qoftë edhe si punonjës të përkohshëm në sektorin publik nëpërmjet agjencive të punësimit të përkohshëm apo atyre që kanë kontrata pune (kontrata me honorare), numri i të cilëve veçanërisht rritet në vitet e zgjedhjeve. Një shembull i tillë ishte hapja e kontratave të lidhura ndërmjet punonjësve të përkohshëm ose personave të tjerë fizik nga vetëqeverisja lokale në Tetovë, ku doli se ishin mbi 800 persona, shumë prej të cilëve nuk kishin dorëzuar dëshmi për obligimet për të cilat kishin marrë para publike. Nuk dihet numri total i personave të tillë në sektorin publik, megjithëse një pjesë e opozitës spekulon se bëhet fjalë për rreth 70 mijë persona.

Sipas Raportit të fundit për numrin e të punësuarve në sektorin publik për vitin 2021, të publikuar në mars 2022, gjendja është si më poshtë:

Deri më 31 dhjetor 2021, në sektorin publik janë të punësuar 132.088 persona, të cilët punojnë në gjithsej 1.346 institucione, që rrit sektorin publik me 905 persona.

Nëse krahasohet me Raportin e mëparshëm, shihet rritje e lehtë e stafit dhe institucioneve:

Deri më 31 dhjetor 2020, 131,183 persona janë punësuar në gjithsej 1,332 institucione të sektorit publik. Krahasuar me vitin 2019, numri i të punësuarve në institucionet e sektorit publik është ulur me 1.717.

Numri i të punësuarve në sektorin ushtarako-policor-siguri, i cili për vitin 2021 është 19.311 persona, është më i ulët krahasuar me 31.12.2020, sepse atëherë në këto shërbime dhe institucione punonin 19.594 persona. Ndryshe, ky numër përfshihet në numrin e përgjithshëm të të punësuarve në sektorin publik, por, në përputhje me nenin 19 të Ligjin e të punësuarve në sektorin publik, nuk mbahen shënime dhe analiza të veçanta në Raportin Vjetor.

Sipas analizës së strukturës së të dhënave për 112.777 punonjës në sektorin publik, femra janë 62.356 dhe meshkujt 50.421. Mosha mesatare e këtyre punonjësve është 46.11 vjeç, për gratë mesatarja është 45.27 vjeç, ndërsa për burrat 47.15 vjeç, të dhëna që sugjerojnë se administrata publike nuk është tërheqëse për të rinjtë.

MSHIA këtë vit ka ndërprerë praktikën në katër vitet e fundit në raporte të publikojë numrat e të punësuarve në SHA shtetërore dhe përmes agjencive të punësimit të përkohshëm (APP), me arsyetimin se nuk është obligim ligjor për ta. Me kërkesë tonë, MSHIA është përgjigjur se deri më 31 dhjetor 2021, numri i të punësuarve në këto kompani është 8,918, përkatësisht është ulur për 1,472 persona. Shumica e këtyre personave – 8,287 janë të punësuar në mënyrë të përhershme, 266 persona me kohë të pjesshme, ndërsa përmes APP – 365 persona.

Ministria e Financave vitin e kaluar ka publikuar numrin dhe rezultatet financiare të ndërmarrjeve publike dhe shoqërive aksionare shtetërore dhe shihet se janë 14 NP të themeluara nga Qeveria, 15 shoqëri aksionare, prej të cilave 13 janë Sh.A dhe 2 janë DOEL.

Si deri te numri optimal i administratës?

Administrata më e vogël, por më efikase është pjesë e programit të Qeverisë nga viti 2017 e në vazhdim, por edhe e Qeverisë aktuale në programin e punës 2022-2024. Sipas këtyre angazhimeve, administrata duhet të reduktohet me rreth 20 për qind ose rreth 26 mijë punonjës në sektorin publik.

Megjithatë, ka një dilemë lidhur me këtë çështje tek disa nga ekspertët e fokus-grupit. A mendon Qeveria me këtë angazhim strategjik për rreth 16 mijë nëpunësit administrativë/ civilë ose për të gjithë punonjësit në sektorin publik. Nëse i referohet të parës, sipas ekspertëve, numri optimal i punonjësve në administratën shtetërore me të cilin funksionon i gjithë aparati shtetëror do të ishte rreth 12 mijë punonjës, me çka në disa institucione ka mbipunësim, ndërsa në disa ka mungesë njerëzish, edhe atë shumë. Nëse, nga ana tjetër, nënkuptojmë ulje prej 20% në të gjithë sektorin publik, që do të thotë rreth 26 mijë persona më pak, fillimisht duhet të bëjmë vlerësim të detajuar të të gjithë sektorit publik dhe të shohim se ku, në cilët nënsektorë ka mbipunësim, dhe aty ku është nën minimumin e kërkuar. Si shembuj në bisedë kanë qenë zjarrfikësit, të cilët mungojnë në të gjithë vendin, mjekët dhe personeli mjekësor i mesëm dhe arsimi. Për të vlerësuar të gjitha këto nevojiten detaje të sakta nga regjistrimi i popullsisë, në mënyrë që të planifikohen strategji dhe plane zhvillimore për pjesë të caktuara të sektorit publik, duke përfshirë edhe numrin e të punësuarve, thekson eksperti.

Konkluzioni i përgjithshëm do të ishte se ka tepricë të caktuar të punonjësve të sektorit publik, por për të krijuar pasqyrë të plotë duhet të bëhen të gjitha analizat funksionale dhe të kryqëzohen me nevojat që do të dalin nga rezultatet e regjistrimit. Tek punonjësit në administratën shtetërore, çështja e cilësisë është më e madhe se numri, megjithëse mund të ketë racionalizim të stafit deri në 12 mijë punonjës civilë/administrativë, por duhet të shkohet kah cilësia, jo vetëm te numri.

Disklejmer, baner, vertetematesi, NED

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button