Thaçi shpreh mungesën e perspektivës integruese para diplomatëve suedez

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi në selinë e partisë në Tetovë priti në takim delegacionin e lartë të MPJ të Suedisë udhëhequr nga Torbjorn Sohlstrom, Shef i zyrës për çështjet politike pranë MPJ të Suedisë, i shoqëruar nga këshilltari i tij Jamal Alassaad dhe Lina Bunis, e ngarkuara me punë në MPJ të Suedisë për çështjet e BE, si dhe nga Ambasadori i Suedisë në vend Mats Staffansson.

Në takim u bisedua për çështjet aktuale politike dhe zgjedhjet e fundit në vend, ku Kryetari i PDSH-së i paraqiti faktet e pamohueshme që tregojnë hapur për manipulimin e procesit zgjedhor dhe shkeljen e normave demokratike në mbi 45% të vendvotimeve ku votojnë shqiptarët nga ana e partisë qeveritare BDI. Në këto vendvotime rezultati PDSH-BDI është, PDSH 3-4 mijë vota, kurse BDI 50-60 mijë vota, si dhe për instrumentet që janë përdorur në shumicën e vendvotimeve siç janë trembja, kërcënimi shantazhi etj.

Gjithashtu në takim u diskutua rreth zhvillimet rajonale, zhbllokimin e procesit integrues të vendit si dhe tema të tjera me interes. Kryetari Thaçi theksoi se çështja e cila të gjithëve na shqetëson është mungesa e perspektivës euroatlantike dhe vlerësoi se vetëm me një vullnet të mirë kjo çështje mund të debllokohet. Bashkëbiseduesit u pajtuan se zhbllokimi i procesit integrues hap perspektiven e vendit si dhe forcon sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Kryetari i PDSH-së gjatë bisedës ka ripërsëritur qëndrimin se Partia Demokratike Shqiptare do të vazhdojë të mbajë qasje konstruktive në veprimin e saj politik dhe do të jetë pjesë e një procesi demokratik.

Bashkëbiseduesit u ndanë të kënaqur nga takimi, me shpresë se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button