fbpx

Shqipëria e mori kryesimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar një video-mesazh në kuadër të marrjes së presidencës nga Shqipëria në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) për muajin qershor, duke theksuar se “demokracia dhe të drejtat e njeriut po sprovohen rëndë në anë të ndryshme të botës”, transmeton Anadolu Agency(AA).

Në video-mesazhin e publikuar nga Kryeministria e Shqipërisë, kryeministri Rama ka theksuar se OKB-ja nuk ka vlerë më të lartë për të promovuar sesa drejtësia dhe sundimi i ligjit dhe sipas tij Shqipëria e promovon atë kombëtarisht dhe e mbron ndërkombëtarisht.

Ai është shprehur se bota është e trazuar dhe se “vazhdojmë të jemi dëshmitarë të mizorive të papërshkrueshme, në më shumë se pesëdhjetë konflikte përreth globit”,.

“U bë shumë gjatë që shohim abuzime masive me të drejtat e njeriut, nga Darfuri në Mianmar, nga Afganistani në Siri dhe bashkësia ndërkombëtare po lufton t’i vendosë autorët e krimeve të rënda para përgjegjësisë. Në Evropë, plagët e luftërave që pasuan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, sidomos në Kosovë, janë ende të hapura. Po bëjmë gjithçka mundemi për të ecur përpara pa e harruar të shkuarën, por duke u angazhuar për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët në paqe”, është shprehur Rama.

Rama ka shtuar se lufta e Rusisë në Ukrainë ka sfiduar sigurinë evropiane dhe ka tronditur rendin botëror bazuar në rregulla.

“Është urgjente të veprojmë, tani, për viktimat e panumërta të konflikteve të pakuptimta, por edhe për ne, të gjithë, për atë çka besojmë, për atë çka na bën bashkë, për të mbrojtur ligjin, për të ruajtur veprimin shumëpalësh”, ka theksuar ai në video-mesazh.

Rama është shprehur se drejtësia dhe paqja ecin krah për krah dhe se Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar në këtë drejtim, duke shtuar se, “Jemi të privilegjuar që u japim zë bindjeve tona e do ta drejtojmë Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me të gjithë vullnetin e pasionin tonë për ato çka besojmë fort”.

Kryeministri Rama dhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, vazhdojnë vizitën në SHBA, në kuadër të marrjes së presidencës nga Shqipëria në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Kujtojmë se Shqipëria është zgjedhur për herë të parë anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për periudhën 2022-2023.

Shqipëria do të marrë për herë të parë presidencën në Këshillin e Sigurimit të OKB në periudhën 1 qershor – 30 qershor 2022.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button