KSHPK me iniciativë në PThP për inicimin e procedurës kundër Rashkovskit dhe Zeqirit

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit do të dorëzojë iniciativë për inicimin e procedurës penale në Prokurorinë Themelore në Shkup kundër ish-sekretarëve të përgjithshëm të Qeverisë, Dragi Rashkovski dhe Muhamed Zeqiri, të cilët sipas KSHPK-së kanë kryer vepër penale gjatë funksionit të tyre dhe autoritetit zyrtar, me lidhjen e marrëveshjeve autoriale nga Sekretariati i Përgjithshëm me persona nga jashtë, transmeton Portalb.mk.

Kryetarja e KSHPK-së, Biljana Ivanovska, sqaroi se baza ligjore për formimin e kësaj lënde ka qenë njoftimi në media se Qeveria për nevojat e Sekretariatit të Përgjithshëm për kryerjen e angazhimeve konkrete në bazë të marrëveshjeve autoriale ka punësuar një numër më të madh të personave fizik, jashtë personelit, për çka janë paguar honorare, të cilat vetëm në një muaj kanë shkuar në mbi 37 mijë euro, pra mbi një milion euro për vitet 2019 dhe 2020.

Sipas përgjigjes së Sekretariatit të Përgjithshëm të datës 31.10.2021, të punësuar me marrdhënie pune të rregullt ishin 253 persona, përmes një Agjencie autoriale në atë kohë ishin 54, 18 punonjës ishin transferuar përmes një agjencie private dhe 8 persona ishin punësuar me kontratë.

Para lidhjes së kontratës, Sekretariati i Përgjithshëm, sipas KSHPK-së, i ka shkruar Agjencisë autoriale, duke kërkuar lidhjen e një marrëveshjeje autoriale me persona të caktuar, të dhënat personale të të cilëve gjenden në kërkesë, ku renditen detyrat që do të kryhen, kontributet mujore, periudha e angazhimit…

Në periudhën 2017-2021, nga Sekretariati i Përgjithshëm në Agjencinë për pronësi intelektuale “Artpick” janë dërguar mbi 170 kërkesa për hartimin dhe lidhjen e marrëveshjeve autoriale me persona konkretë.

Në bazë të të dhënave në dispozicion, KSHPK ka informacione se në periudhën nga viti 2017 deri në vitin 2021 në bazë të këtyre marrëveshjeve autoriale nga Sekretariati i përgjithshëm janë paguar së paku 153 milionë e 244 mijë e 219 denarë.

Në vitin 2017 janë paguar 15 milionë denarë, në vitin 2018 – 44 milionë denarë, në vitin 2019 – 35.500 milionë denarë, në vitin 2020 – 33.500 milionë denarë dhe në vitin 2021 – 24 milionë denarë.

Nga KSHPK-ja theksojnë se në bazë të dokumentacionit që iu është dhënë për inspektim, dominon përfaqësimi i angazhimeve për një periudhë më të gjatë, për të cilat bëhet më shumë se një pagesë, një herë në muaj dhe për person, për kryerjen e detyrave.

“Në secilën nga periudhat e theksuara të angazhimit të personave nga Sekretariati i përgjithshëm në bazë të marrëveshjeve për të drejtën e autorit, u është paraprirë lidhja e një marrëveshjeje me një agjenci autoriale sipas një procedure të zhvilluar. Në nëntë procedura për prokurimin publik të shërbimeve nga një agjenci autoriale nga viti 2017 deri në vitin 2021, janë lidhur nëntë kontrata me të njëjtën agjenci për pronësi intelektuale, e cila në të gjitha procedurat ka ofruar të njëjtin çmim provizioni, që ka qenë një kriter përzgjedhjeje prej 0.01 për qind të kompensimit bruto për marrëveshja e lidhur individualisht”, sqaroi kryetarja e Antikorrupsionit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button