Profesorët e arsimit të lartë në protestë, Shaqiri: Pres të kem takim me sindikatën, jam i hapur për dialog

Siç kishim dialog social për arsimin fillor dhe të mesëm, jam i hapur për bashkëpunim dhe e pres në takim sindikatën përfaqësuese për arsim të lartë, tha ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri lidhur me protestën e paralajmëruar për nesër nga profesorët në Universitet Shën Kirili dhe Metodi, të cilët kërkojnë nënshkrimin e një marrëveshje kolektive dhe rritje të pagave, transmeton Portalb.mk.

Ai tha se me rebalancin e buxhetit është paraparë që nga shtatori të kenë paga më të larta, se mjetet janë siguruar dhe se procedurën e ka filluar paraardhësja e tij Mila Carovska.

“Në ribalancin e buxhetit, edhe nga ministrja paraprake, është nisur procedurë, janë parashikuar mjete për paga më të larta edhe në arsimin e lartë. Ata paralajmëruan se ditën e parë do të zhvillojnë protestë paqësore, pastaj pres që javën e ardhshme të kemi takim të shohim që para sesionit të qershorit studentët të mos kenë pasoja dhe të ketë mirëkuptim për këtë proces”, tha Shaqiri duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve gjat[ vizitës së tij në ShF “26 Korriku” në komunën e Shuto Orizarit.

Në pyetjen nëse ka bojkot të sesionit të qershorit për dhënien e provimeve, Shaqiri u përgjigj se ashtu si edhe për grevën në shkolla, është kundër kërcënimeve për ndërprerje të mësimit.

“Këtë nuk e shoh si veprim të mirë të sindikatës pasi as unë dhe as qeveria nuk kemi thënë ndonjëherë se nuk do të ketë bisedime dhe ndërprerje të bisedimeve dhe se nuk do të kenë kushte më të mira. Në negociatat me SASHK-un kemi kërkuar mirëkuptim për disa tregues ekonomikë që nuk ishin dhe nuk vareshin vetëm nga arsimi, por edhe nga zhvillimet ekonomike që nuk janë vetëm në vendin tonë, por edhe në rajon dhe më gjerë. Prandaj, nëse kjo na kërcënohet, le të jenë paralajmërime, le të realizohet sesioni i provimit”, tha Shaqiri.

Ai shtoi se duhet të diskutohen mënyrat e financimit, të cilat janë të ndryshme për institucionet e arsimit të lartë dhe se nëse buxhetet organizohen mirë, siç tha ai, mund të arrihet sukses më i madh.

Ndryshe, më 20 maj, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe SAShK arritën marrëveshje për çështjen e pagave dhe kontributeve për punonjësit parashkollor gjatë periudhës së grevës, si dhe për marrëveshjen kolektive.

Ndërkohë, më 17 maj, mes Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës u arrit marrëveshje që rrogat në shkolla dhe çerdhe prej shtatorit do të rriten për 15%.

SASHK-u mbajti grevë prej 11 deri më 28 prill, apo gjithsej 14 ditë pune, përmes së cilës kërkohej rritja e pagave prej 18.3% dhe nënshkrimi i marrëveshjeve kolektive. SASHK-u fillimisht e hodhi poshtë kategorikisht rritjen prej 10 për qind të pagave të punëtorëve në çerdhe dhe institucione arsimore, ndërsa anëtarësia sindikale nuk e pranoi as rritjen prej 12 për qind të ofruar nga Qeveria. Me ndihmën e ndërmjetësuesit, palët u ulën në tavolinën e bisedimeve, ndërkaq greva u pezullua.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button