Bashkësia e re gjeopolitike evropiane – propozime të reja, interesa dhe koncepte të vjetra

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.  

Malinka Ristevska Jordanova
  • Ballkani Perëndimor para dilemave të reja –

Më pak se një muaj më parë, shkruanim për ide për lloje të ndryshme të integrimit në BE, duke theksuar se diskutimi për këto çështje po ringjallet. Ndërkohë, më 9 maj, presidenti francez Macron doli me idenë e një bashkësie të re politike evropiane, të cilën më pas e mori Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel. Për ta bërë skenën më interesante, disa burime (Corriere della Sera nga Italia) pohojnë se kryeministri britanik Johnson ka propozuar Komonuelthin e Kombeve si alternativë apo pandan të BE-së.

Në propozimi i Macron-it dhe Michel-it flitet për “bashkësi politike evropiane” ose “bashkësi gjeopolitike evropiane”. Shumë gjëra të rëndësishme nuk janë të dukshme në këtë propozim. Fillimisht nuk është e qartë se për cilat shtete ka të bëjë ai propozim. Përmendet mundësia e përfshirjes së atyre që duan të anëtarësohen në BE në të ardhmen, edhe për ata që nuk duan ose tashmë janë larguar nga BE-ja. Tipari i parë dhe tani më i rëndësishëm i kësaj bashkësie është se, të paktën tani për tani, nuk garanton anëtarësim në BE. Të parat që njihen në këtë iniciativë janë vendet e Partneritetit Lindor – natyrisht, para së gjithash Ukraina, dhe sigurisht edhe Gjeorgjia e Moldavia. Është mjaft e qartë se qëllimi më i rëndësishëm i propozimit është amortizimi i ambicieve të shfaqura rishtazi për anëtarësim në BE të vendeve të Partneritetit Lindor, duke i dhënë një përgjigje të përshtatshme politike krizës aktuale gjeopolitike dhe të sigurisë.

Për sa i përket Ballkanit Perëndimor, gjërat bëhen të mjegulluara. Propozuesit janë përpjekur që ta ndajnë zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor si çështje më vete, duke i përsëritur sloganet tashmë të njohura kur u promovua metodologjia e re për zgjerimin – se BP duhet ta përshpejtojë procesin, ta bëjë më meritokratik, etj...

Megjithatë, ende mbeti pezull dilema më e madhe nëse këto vende do të hyjnë në bashkësinë e re politike dhe si do të ndikonte kjo në perspektivat e tyre për anëtarësim, të cilat BE-ja i premtoi njëzet vjet më parë. Akoma më e ndjeshme është çështja nëse të gjitha vendet që tashmë janë në këtë grup, apo vetëm disa prej tyre do të qëndronin në dhomën e pritjes. Këto dyshime janë shtuar sepse në fjalimin e Macron-it, më 9 maj, por edhe më tepër në konferencat për shtyp pas kësaj, ai bëri një dallim midis atyre vendeve që e kanë filluar procesin e anëtarësimit dhe atyre që nuk e kanë bërë.

Deri tani askush nuk e ka përmendur Zonën Ekonomike Evropiane apo Zonën e Tregtisë së Lirë. Në ofertën aktuale nuk është e dukshme se çfarë do të ishte tërheqëse për ta.

Nuk është e qartë se çfarë forme institucionale do të merrte bashkësia e re. Presidenti francez Macron flet për “organizim të ri politik”, që tashmë do të nënkuptonte institucionalizimin. Hapësira institucionale evropiane, për ta thënë më butë, është shumë e zhvilluar, shtrohet pyetja e mbivendosjes me kornizën ekzistuese të bashkëpunimit, siç është Këshilli i Evropës. Tani për tani nuk shtrohet pyetja se çfarë aranzhime – marrëveshje etj., përveç atyre ekzistuese, do të propozoheshin dhe çfarë harmonizimesh do të nevojiteshin për këtë.

Ajo që është pak më e qartë janë prioritetet e bashkësisë së re politike. Kjo do të ishte së pari politika e përbashkët e sigurisë dhe ajo e jashtme. Fusha të tjera të bashkëpunimit më të zhvilluar përfshijnë programet socio-ekonomike që nuk kërkojnë shumë rregullim, transporti dhe energjetika, por edhe lëvizja e lirë e njerëzve. Kjo ndryshon nga prioritetet e më shumë se dy dekadave të stabilizimit dhe shoqërimit të procesit “të vjetër”, të cilat po ndryshojnë edh më tej “në lëvizje”, duke shkaktuar kështu konfuzion plotësues.

Është gjithashtu mjaft e qartë se prej nga vijnë prioritetet e tilla. Prioritetet e Francës për pavarësinë e sigurisë së BE-së nuk janë aspak të reja dhe rëndësia e Francës për infrastrukturën në vendet jashtë BE-së është e njohur mirë. Nëse informacioni për propozimin britanik është i saktë – ai kujton përkushtimin britanik për një formë alternative të asociimit që nga koha e formimit të BE-së.

Megjithatë, është e qartë se propozimet e reja duhet të interpretohen në kontekstin e riorganizimit të aktorëve në kontinentin evropian në kushtet e reja gjeopolitike.

Dhe – sidoqoftë, pavarësisht pritshmërive, zyrtarët e disa vendeve të Ballkanit Perëndimor (Rama dhe Vuçiq) tashmë e mirëpritën bashkësinë e re gjeopolitike, edhe për nga rëndësia e tij për rajonin. Fatkeqësisht, zëri dhe presioni rajonal i harmonizuar aq shumë i nevojshëm mungoi, të paktën për çështjet kyçe të ngritura nga propozimi për perspektivën e anëtarësimit në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button