Poeti që ndez llamba në zemrën tonë

Krijimtaria letrare e Rumiut (1207 – 1273) i ka pushtuar zemrat e lexuesve anekënd botës. Krijimet letrare të Rumiut lexohen, përkthehen dhe i mahnitin lexuesit e sistemeve të ndryshme kulturore.

Përkthyesi Agron Islami ka sjellë në sistemin tonë kulturor disa perla nga oqeani poetik i Rumiut. Përzgjedhja Sikur zëri yt të përqafohej (Ajan, Tetovë, 2022), është përkthyer me përkushtim e dashuri. Ajo e reflekton bukurinë mahnitëse dhe thellësinë e vargjeve të Rumiut. Aty ka krijime mbi njeriun, dashurinë, miqësinë, lumturinë, vetminë, të vërtetën, bujarinë, të mëshirshmen, harmoninë, mirëkuptimin ndërnjerëzor, shpresën…

Poezitë e Rumiut janë ftesë për udhëtim imagjinar drejt botës së epërme. Janë ftesë për të udhëtuar në heshtje drejt zemrës së zjarrit.

Rumiu, ky udhëtar i përhershëm, që prirej drejt shpirtërores dhe besonte se trupi ishte vetëm “mbulesa e jashtme e shpirtit të përjetshëm”, e kërkoi të panjohurën dhe të bukurën në thellësinë e qenies së tij. Sipas Rumiut, perlat më të bukura gjenden në zonat më të thella të detit shpirtëror.

“Nëse kërkon perlat, / duhet të kridhesh në thellësitë e detit, sepse / në breg nuk ka gjë tjetër veç shkumës.”

Pra, e bukura duhet kërkuar në thellësi. Deri tek e bukura arrihet me mund e përpjekje.

Njeriu, sipas Rumiut, është krijuar nga balta, pasi aty i Lartmadhërishmi fryu frymën e Dashurisë. Njeriu, si i tillë, është universi. Ai nuk është “pikë në një oqean”, por “oqean në një pikë”.

“Gjithçka në botë është te njeriu, / por jo gjithçka që është te njeriu, / është në botë.”

Njeriu është qenie që përjetësinë e ka të burgosur brenda vetes. Këtë përjetësi mund ta çlirojë vetëm falë dashurisë. Duke e çliruar veten nga vargonjtë e brendshëm të ligësisë, njeriu arrin të jetë i lumtur…

Rumiu “u këndon të lumturve dhe vajton për të mjerët”. Te çdo njeri e sheh mikun që për të është i dërguari, udhërrëfyesi, kurse miqësia është ajo që e largon urrejtjen.

“Urrejtja nuk mund ta dëbojë urrejtjen, vetëm miqësia mund ta bëjë këtë”.

Për Rumiun njeriu s’duhet të jetojë vetëm për veten. Ai duhet të jetë solidar me të tjerët.

“Kur të zotërosh shumë, jep nga xhepi yt./ Kur të kesh pak, jep nga zemra”.

Rumiu i këndon mrekullisht dashurisë. Ai vetëquhet “pacient i dashurisë”, “fillestari në dashuri”, i humburi në “botën e të dashuruarve” dhe i fton njerëzit të mbjellin vetëm dashuri.

Poezia e Rumiut reflekton dashuri për Zotin, gruan, thesarin e quajtur nënë, fëmijën. Dashuria, sipas botëshikimit të tij, vjen prej një bote tjetër, prej një përmase eprore, hyjnore dhe është kurë, eliksir, pasion. Dashuria, shkruan ai, e kthen ligësinë në mirësi, trupin në shpirt, të hidhurën në ëmbëlsi, hidhërimin në pastërti, dhembjen në shërim, gurin në perlë, bakrin në flori, burgun në kopsht fëmijësh, të vdekurin e ringjall duke i dhënë jetë dhe “gjithçka ç’është profane” e bën “sërishmi sakrale”. Dashuria që “shkruhet në zemër” nuk lejon imponime dhe trysni. Ajo është “uji i jetës” që pihet “me zemër dhe shpirt”, ia jep heshtjes mundësinë të flasë, i zbulon sekretet e gjithësisë dhe vetë mbetet thelbi i sekretit. Dashuria “është moskokëçarëse”, eterike dhe nuk shpjegohet.

“Mos pyet askënd për dashurinë; pyet dashurinë për dashurinë”.

Dashuria është mrekullibërëse. Është “re që shpërndan perlat”. Është forcë që na humb kuptimin për kohën. Dashurisë, thotë poeti, i duhet heshtja, vetmia, largësia, era, ëndrrat e pafundme.

Dashuria për Rumiun është edhe bashkim. Të dashuruarit janë brenda njëri – tjetrit. Të dashurosh d.t.th. të banosh në zemrën e atij që të dashuron. Kështu, njeriu arrin ta lexojë zemrën e vet. Nëpërmjet zemrës e prek qiellin. Falë dashurisë, thotë Rumiu, fluturohet pa flatra.

Njeriu i dashuruar bëhet i lirë si era. Ai s’e ndjen frikën, trishtimin dhe praninë e vdekjes. Për të dashuruarin, nga gjoksi i të cilit dalin yje e flutura, dashuria është si “një jetë që nuk përsëritet” dhe si “një atdhe që nuk ndërrohet”. Ndërkaq, i dashuruari është nga një “lloj tjetër njerëzish”.

“Të dashuruarit gjejnë vende sekrete / brenda kësaj bote të dhunshme, / ku bëjnë transaksione /me të bukurën.”

Dashuria e mbush boshllëkun e jetës, e ndriçon errësirën e zemrës dhe mendjes. Para saj gjithçka tjetër është “dëngël dhe fantazi”.

Njeriu pa dashuri është i vdekur. Jeta pa dashuri është e pavlerë. Shpirti pa dashuri është “fantazmë e varrosur në trup”.

“Pa dashuri, të gjitha këngët janë zhurma; /të gjitha vallëzimet, çmendi; / të gjitha lutjet, lodhje”.

Kush dashuron e ka brenda vetes të bukurën.

“Aroma mbetet gjithmonë / në dorën e atij që dhuron trëndafil…”

Pa dashuri nuk ka bukuri.

“Mbolla trëndafila. / Pa ty, dashuri, / dolën ferra”.

Për Rumiun jeta është vdekje e maskuar nëse nuk e sheh të bukurën. E bukura është uji që pastron helmin…

Poeti i përshpirtshëm na fton të kërkojmë strehë te Zoti. Duke e besuar Zotin s’i dorëzohemi ligësisë dhe pasionit pa fre.

“Parajsa dhe ferri janë në brendinë tënde./ Sa herë që mëkojmë dashuri dhe ndjenja të çlira, / hyjmë në parajsë. / Sa herë që mëkojmë urrejtje dhe ndjenja të hidhura, / biem në zjarrin e ferrit”…

Rumiu shkruan edhe për të vërtetën. Sipas tij, njeriu duhet të jetë kërkues i përhershëm i së vërtetës, e cila është e heshtur dhe e pa përshkruar, por ai nuk duhet të jetë i bindur në zotërimin e saj. E vërteta absolute i përket vetëm Zotit, kurse njerëzit kanë grimca të saj. Kush mëton se është zotërues i së vërtetës absolute priret drejt ligësisë…

Sipas Rumiut, lumturinë duhet ta kërkojmë brenda vetes. Kjo është e vështirë, prandaj lumturinë dhe jetën mund ta shijojnë “veçse disa shpirtra të rrallë”, shpirtrat që dashurojnë.

Vepra letrare e Rumiut shpalos mesazhe humane. Poeti na thotë me gjuhën e poezisë se duhet të çlirohemi nga egoizmi dhe vetëviktimizimi. Të mos e humbim shpresën, sepse “ka një shpresë pas çdo dëshpërimi”, se “shumë diej dalin pas errësirave”, se “mrekullitë fshihen aty ku ne nuk i shohim”. Ai beson se duhet të qëndrojmë larg atyre që s’kanë zemra. Rumiu na fton që në jetën e shkurtër dhe kalimtare të mbjellim vetëm farërat e dashurisë.

Pasi e lexojmë këtë libër jemi më të ndriçuar së brendshmi. Rumiu ndez llamba në zemrën tonë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button