Dezinformatat mund të kontribuojë në destabilizimin e vendit

Dezinformatat janë drejtuar edhe kundër orientimit tonë euroatlantik, veçanërisht që nga fillimi i invazionit rus në Ukrainë, Maqedonia e Veriut është cak i dezinformatave që synojnë nxitjen e ndjenjave anti-perëndimore te qytetarët të Maqedonisë së Veriut dhe përkrahjen e alternativave të paqarta ndaj BE-së dhe NATO-s. Për shkak të potencialit të tyre për të minuar angazhimet strategjike, dezinformatat mund të kontribuojnë në destabilizimin e vendit, tha presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski në fjalën e tij në hapjen e konferencës “Përballja me dezinformatat në Republikën e Maqedonisë së Veriut” që u organizua nga Fondacioni Metamorfozis, raporton Portalb.mk.

Ai shtoi se pandemia kovid-19, invazioni rus në Ukrainë dhe kriza ekonomike dhe energjetike e kanë treguar jo vetëm fuqinë e dezinformatave për t’u përhapur lehtësisht, por edhe se sa e vështirë është për t’i njohur dhe luftuar ato.

“Filtrimi i opinioneve personale dhe të kundërta kontribuojnë në rrënjosjen e paragjykimeve dhe vlerave të caktuara, gjë që e rrit mosbesimin dhe i thellon ndarjet në shoqëri”, theksoi Pendarovski.

Presidenti shtoi se dezinformatat synojnë të krijojnë frikë dhe problemi më i madh që e shkaktojnë dezinformatat është dyshimi gjithnjë e më i shpeshtë në mendimet shkencore dhe në njohuritë e ekspertëve që vë në pikëpyetje të vërtetën objektive në nivel global.

“Njerëzit janë lodhur duke pritur. Rezultatet e hulumtimit të Metamorfozis tregojnë se shumica e qytetarëve të Maqedonisë pajtohen që vendi ynë të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por jo me çmimin e kompromiseve me vendet fqinje. Së dyti, për shkak të ngecjes së integrimit, ka vite që ne merremi me veten në vend se me reformat thelbësore evropiane. Kjo ndikon negativisht në funksionalitetin e institucioneve dhe sundimin e ligjit dhe krijon terren pjellor për përhapjen e dezinformatave”, tha Pendarovski.

Presidenti gjithashtu vuri në dukje se hulumtimet e viteve të fundit tregojnë se shumica dërrmuese e të rinjve në Maqedoni kanë prirje për liderë autoritarë, që është pasojë e drejtpërdrejtë e mbështetjes së narrativave autoritare që përhapen përmes dezinformatave.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili mori pjesë në konferencë me video-fjalim, u zotua se Qeveria dhe ai personalisht do t’i marrin në konsideratë të gjitha rekomandimet nga konferenca si kontribut thelbësor në krijimin e një qasjeje multi-sektoriale për reagim adekuat ndaj kërcënimeve dhe pasojave që shkaktohen nga dezinformatat.

“Qeveria qëndron me vendosmëri në kundërshtimin e dezinformatave dhe vendosjen e vazhdueshme të partneritetit në këtë betejë globale, së bashku me NATO-n, Facebook-un dhe Google-in dhe shërbimet e pavarura për verifikim të fakteve, institucionet vendase dhe organizatat mediatike dhe mediat”, tha Kovaçevski.

Kreu i programit të Fondit për Akses në Informacion, Instituti DT, Vukashin Petroviq, në fjalimin e tij iu referua ndikimit rus në përpjekjet për të shkatërruar vlerat demokratike evropiane.

“Pavarësisht se si do të përfundojë lufta në Ukrainë, Rusia ka arritur të minojë agjendën demokratike që supozohej të ndodhte në dekadat e ardhshme,” tha Petroviq.

Drejtoresha ekzekutive e Fondacionit Shoqëria e Hapur Maqedoni, Fani Karanfillova Panovska tha se dezinformatat janë pjesë endemike dhe e kudondodhur e politikës në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, pa përjashtim. Ajo theksoi se përhapja e dezinformatave po bëhet një rrezik gjithnjë e më i madh për sigurinë e shteteve dhe institucioneve, e me këtë edhe për sigurinë e qytetarëve dhe mirëqenien e tyre.

“Dezinformatat më së shumti përparojnë në mjedise që tashmë janë tronditur nga konfliktet e brendshme dhe ku besimi shoqëror dhe publik luftojnë për të kapërcyer ndarjet politike, rajonale, etnike, fetare ose të tjera,” tha Karanfillova Panovska.

Ajo e shprehu shqetësimin për të gjitha analizat që tregojnë se politika gjeostrategjike e Rusisë – dhe në një masë shumë më të vogël ajo e Kinës – do të vazhdojë të fokusohet në Ballkanin Perëndimor si një pikë kritike në bllokimin e zgjerimit të BE-së dhe NATO-s. Dezinformatat ishin dhe ndoshta do të mbeten mjet kyç në këto përpjekje.

“Hendeku transatlantik që e hapi administrata e Trump-it ka krijuar mundësi që ende nuk janë kapërcyer, për Moskën, Pekinin dhe Ankaranë, si dhe aktorët vendas, që të përdorin dezinformata për të minuar ndikimin evropian dhe euroatlantik”, shtoi Karanfillova Panovska.

Drejtori i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari, në fjalën e tij tha se qysh nga viti 2010, kur mediat dhe të gjitha burimet e informacionit janë kontrolluar, vërehet se ka tendenca të minimin e qeverisjes demokratike.

Bardhyl Jashari, foto: Vanço Xhambaski, CC-BY
Bardhyl Jashari, foto: Vanço Xhambaski, CC-BY

“Rajoni dhe vendi ynë janë terren shumë pjellor për teori konspirative. Pamë se duhet të punojmë shumë për të krijuar masë kritike të njerëzve që kanë dituri për të njohur burimet jo të besueshme, propagandën, lajmet e rreme dhe kanë aftësi të të menduarit kritik që disi të mundësojnë që shoqëria jonë të bëhet imune ndaj ndikimeve të huaja”, Jashari.

Ai theksoi se lufta kundër këtyre “valëve” që po vijnë, sa herë që zhvillohet ndonjë proces i rëndësishëm politik, duhet të rregullohet në bashkëpunimin me institucionet qeveritare.

“Të përpiqen të krijojnë një kuadër ligjor apo strategji që do të na lejojë të përballemi në mënyrë më efektive me këtë fenomen, por edhe që institucionet shtetërore të jenë më transparente dhe të hapura për të mos lënë vend për asnjë spekulim dhe manipulim me informacionet”. “Gazetarët dhe shoqatat profesionale duhet të përpiqen t’i forcojnë dhe zbatojnë më tej parimet për të cilat ata qëndrojnë dhe janë të rrënjosura në Kodin e gazetarisë profesionale”, ka përfunduar Jashari.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button