Ahmeti kërkon nga diplomatët suedez angazhim më të madh për çështjen e emrit

Sot në selinë e Bashkimit Demokratik për Integrim, Kryetari Ali Ahmeti, ka pritur, Torbjorn Sohlstrom, Drejtorin Gjeneral për çështje politike të Ministrisë së Punëve të Jashtme Suedisë dhe Ambasadorin Suedez në Maqedoni, Mats Stafanson.

Sohlstrom uroi Kryetarin Ahmeti për fitoren bindëse në zgjedhjet parlamentare si dhe shprehu interesim për procesin e integrimeve euro-atlantike të Maqedonisë si dhe për zhvillimin e negociatave për formimin e qeverisë së re të vendit.

Sohlstrom përshëndeti përkushtimin e Ahmeti për integrim të vendit në NATO dhe BE. Suedia do të angazhohet që ta ndihmoj procesin e integrimit të Maqedonisë në strukturat euro-atlantike dhe shpreson që të arrihet kompromis me fqinjin jugor sa më shpejt.

Ahmeti falënderoi mysafirin suedez për përkrahjen e vazhdueshme që nga viti 2002 dhe nënvizoi që koha është tani për angazhim të madh të komunitetit ndërkombëtar në drejtim të arritjes së zgjidhjes të kontestit me Greqinë. Miqtë ndërkombëtar dhe politikanët vendas nuk duhet të lejojnë që të kthehemi mbrapa dhe bashkërisht duhet që ta mbrojmë investimin tonë të madh të përbashkët në Maqedoni.

Kryetari Ahmeti shprehu bindjen që kthesat pozitive në rajon mund të bëhen vetëm me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar si dhe me guximin e politikanëve vendas sepse vihet në pikëpyetje stabiliteti, siguria dhe zhvillimi ekonomik.

Propozimi i fundit i ndërmjetësit Metju Nimic paraqet bazë të mirë për arritjen e kompromisit dhe tash, pas përfundimit të zgjedhjeve në Maqedoni dhe në Greqi, palët duhet të ulën sa më parë që të bisedojnë mbi këtë ide. Çdo vonesë në këtë rrugëtim paraqet rrezik për vendin dhe rajonin.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button