Dita e dytë e samitit të BE-së nisi me fokusin e krizës globale të ushqimit dhe energjisë

Dita e dytë e samitit të posaçëm të Bashkimit Evropian filloi sot në Bruksel, ku do të diskutohet mungesa globale e ushqimit dhe kriza energjetike, e cila u përkeqësua për shkak të luftës në Ukrainë, raporton Anadolu Agency (AA).

Udhëheqësit e nisën takimin me vlerësimin e planit REPowerEU të Komisionit Evropian prej 210 miliardë eurosh (225 miliardë dollarë).

Më 18 maj, Komisioni Evropian prezantoi Planin REPowerEU në përgjigje të ndërprerjeve aktuale të tregut të energjisë në mbarë botën që janë shkaktuar nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt.

Propozimi synon të reduktojë varësinë nga energjia ruse dhe të shkurtojë importet e gazit me dy të tretat deri në fund të këtij viti, duke përshpejtuar tranzicionin e gjelbër në burimet e rinovueshme dhe duke siguruar furnizimin me lëndë djegëse fosile.

Ata diskutuan përgjigjen e bllokut ndaj mungesës globale të ushqimit të përkeqësuar nga lufta në Ukrainë.

Macky Sall, kreu i Unionit Afrikan, do t’i bashkohet liderëve të BE-së përmes një video-lidhje për këtë pjesë të takimit.

Tema e fundit në agjendë janë reformat në mbrojtje.

Gjatë rrugës për në samit, shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell shpjegoi se planet e reja për përmirësimin e kapaciteteve të mbrojtjes synojnë të sigurojnë që vendet e BE-së “të rrisin shpenzimet ushtarake në mënyrë të koordinuar”.

Ai shtoi se blloku duhet të koordinojë prokurimet dhe projektet ushtarake për të shmangur dublikimet.

Në të njëjtën kohë, ai pranoi se nuk do të jetë e lehtë të reformohen aftësitë e mbrojtjes, sepse është “në thelb të sovranitetit kombëtar” dhe “zhvillimet e ushtrisë do të kërkojnë shumë aftësi politike”.

Në ditën e parë të samitit, liderët e BE-së arritën një marrëveshje politike për pakon e gjashtë të sanksioneve të bllokut kundër Rusisë.

Sipas marrëveshjes, vendet e BE-së do të shkurtojnë 90 për qind të importeve të naftës ruse deri në fund të vitit, por do të përjashtojnë naftën bruto të transportuar me tubacion si koncesioni kryesor për Hungarinë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button