BGNES publikoi skenarin për heqjen e vetos: Radevi dhe Petkovi në takim me Macronin për Maqedoninë e Veriut

Presidenti dhe kryeministri i Bullgarisë Rumen Radev dhe Kiril Petkov së shpejti do të vizitojnë Francën ku do të takohen me presidentin francez Emmanuel Macron, ndërsa delegacioni do të jetë edhe përfaqësues i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Parisi pritet të miratojë propozimin e Emanuel Macronit për heqjen e vetos në bisedimet e anëtarësimit të Maqedonisë në BE, njoftoi sot BGNES, duke cituar informacione nga pjesëmarrës të paidentifikuar në këshillin e fundit të koalicionit të mbajtur të premten mbrëma më 27 maj. Agjencia bullgare pretendon se burimet e tyre janë nga formacione të ndryshme politike dhe secila prej tyre individualisht ka konfirmuar informacionin që përcjell në analizën e sotme, transmeton Portalb.mk.

BGNES përkujton se në këshillin e koalicionit ishin të pranishëm Kiril Petkov, Asen Vasilev, Ivan Cençev, Georgi Svilenski, Grozdan Karagjov, Stanislav Balabanov, Velislava Petrova, Atanas Atanasov dhe Vlladislav Panov, të cilët do të veprojnë vetëm për çështjen e vetos për RMV-në.

Çfarë u diskutua në Këshillin e Koalicionit?

BGNES në tesktin “Radevi dhe Petkovi me Macronin për Maqedoninë, populli bullgar nuk e kupton problemin” citon një pjesë të asaj që u diskutua në Këshillin e Koalicionit të premten, dhe njofton se gjatë bisedimeve, qeveria informoi se “presidenca franceze premtoi se do të përfshijë të gjitha kërkesat bullgare në kuadrin e negociatave dhe zbatimi i tyre do të garantohet nga vetë Macron”.

“Kjo praktikisht do të thotë se i besojmë plotësisht Macronit, por në të njëjtën kohë rrezikojmë të biem në një mosmarrëveshje dhjetëra vjeçare, sepse secili nga shtetet anëtare do të jetë në gjendje të bllokojë çdo vendim. Do të jetë një mosmarrëveshje e pafund dhe nuk duam version turk,” tha një nga pjesëmarrësit për BGNES.

Sipas një pjesëmarrësi tjetër në takimin e 27 majit, i cili foli për BGNES, plani i Macron “ka propozime që nuk janë të qarta dhe nuk është aspak e sigurt që Komisioni Evropian mund të japë garanci për zbatimin e tyre në të ardhmen”.

“Pjesëmarrësve në këshillin e koalicionit u bëri shumë përshtypje informacioni se presidenti Radev pati një bisedë shumë pozitive me Macron. Kjo është kaq transparente. Një ditë pas këshillit, vetë Radev tha si vijon: Unë mund të përgëzoj presidentin Macron për vizionin dhe guximin e tij për të kërkuar një zgjidhje të përshtatshme për këtë situatë dhe për të mbështetur të vërtetën dhe drejtësinë”, thuhet në deklaratën e një anëtari të këshillit të koalicionit transmeton BGNES.

BGNES më tej  publikoi deklaratën e një pjesëmarrësi tjetër në takim të premten, e cila siç thotë ai ka shkaktuar shqetësim tek të pranishmit.

“Ndoshta për këtë arsye janë lënë mënjanë dhjetëra mijëra leva që një agjenci sociologjike të përpunojë popullatën pas kësaj çështjeje në dy javët e ardhshme”, shtoi ai.

Ukraina si argument për zgjidhje të shpejtë

Më tej BGNES, duke cituar një deklaratë tjetër, shkruan se heqja e vetos dyshohet se është e nevojshme për shkak të dëshirës së Ukrainës për të nisur negociatat e anëtarësimit në BE.

“Do të ishte sinjal shumë i keq nëse Ukraina merr ftesë dhe RMV dhe Shqipëria vazhdojnë të presin, dhe për këtë arsye presidenca franceze nxiton me propozimin”, tha një pjesëmarrës në fillim të takimit.

Në tekst raportohet shpjegimi i tij se plani i Macronit duhet të jetë gati përpara zbatimit të Koreper – Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Qeverive të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian.

“Koreper është organi kryesor përgatitor i Këshillit. Të gjitha pikat në agjendën e Këshillit do të shqyrtohen së pari nga Koreper, përveç nëse Këshilli vendos ndryshe. Para diskutimit të tij nga Koreper, plani i Macron duhet të miratohet nga Ministria e Jashtme bullgare. Gjatë bisedimeve nuk u diskutua në detaje çështja e të drejtave të bullgarëve në RMV dhe as pika kryesore e Marrëveshjes së Miqësisë 2017, historia e përbashkët e dy vendeve”, raporton BGNES.

Ndalim i plotë të komentohet për RMV-në

Në fund të takimit, sipas burimeve të BGNES-it, është sjellë vendimi që në dy javët e ardhshme “askush të mos komentojë apo të mbajë qëndrim për çështjen e RMV-së”.

“Për këtë çështje më shumë duhet të heshtin përfaqësuesit e MPJ-së. Komentet e para duhet të bëhen pasi teksti i propozuar të publikohet dhe të mbështetet nga Ministria e Punëve të Jashtme. Në të njëjtën kohë, të gjithë përfaqësuesit e partive të ndryshme politike pjesëmarrëse në qeveri do të pretendojnë se “nuk ka asnjë kthim prapa për çështjen e RMV-së dhe do të mbrohen interesat kombëtare të vendit tonë”, pohojnë burimet e BGNES.

Në takim është rënë dakord që çdo mendim dhe qëndrim i ndryshëm për këtë çështje të politikanëve, shkencëtarëve, historianëve, gazetarëve të “sulmohet sa më shpejt dhe me akuza të rënda politike”.

BGNES më tej pretendon se Këshilli Konsultativ i Sigurisë Kombëtare i kërkuar nga kryeministri Kiril Petkov për RMV-në do të mblidhet pas vizitës së tij në Francë. Pas kësaj mbështetje parlamentare, do të mblidhet Këshilli Kombëtar, i cili do t’i japë mandatin Kornelia Ninova për të mbështetur tekstin e propozuar.

Partitë e tjera që janë pjesë e koalicionit qeveritar do t’u bëjnë thirrje deputetëve të tyre “të votojnë me ndërgjegje të pastër ose t’u bëjnë thirrje të mbështesin të vetmen zgjidhje të mundshme”.

“Në këtë mënyrë, pozicioni aktual i vendit tonë do të ndryshojë dhe kryeministri Kiril Petkov do të përmbushë premtimin ‘që gjithçka do të miratohet nga Asambleja Kombëtare”, raporton BGNES, duke cituar një deklaratë të një pjesëmarrësi të paidentifikuar në këshillin konsultativ të së premtes.

“Bullgaria shumë më tepër se vetë RMV-ja, të mës flasim për Francën, e cila e para e Bllokoi Maqedoninë, dëshiron që Qeveria e Shkupit të fillojë negociatat për antarësim në BE. Zgjidhja është e mundur dhe mund të gjendet shumë shpejt, përderisa ka vullnet minimal nga palët. Mjafton të shikojmë diagonalisht nga transkriptet e bisedimeve të fundit mes delegacioneve të dy ministrive të Jashtme. Sjellja e njërës prej tyre kufizohet me arrogancën”, tha për BGNES një tjetër pjesëmarrës në takimin e 27 majit duke theksuar:

“Duhet të ketë zgjidhje. Por shikoni mesazhet e politikanëve lokal, presidentit Pendarovski, opozitës, pushtetarëve. Ata thonë hapur se anëtarësimi i tyre në BE është perspektivë e largët. Sjellje dhe propagandë më e madhe anti-evropiane ekziston vetëm në Bjellorusi dhe Rusi”, thuhet në deklaratën e një burimi të paidentifikuar me të cilën përfundon teksti i BGNES.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button