Për Kasamin, zgjedhjet në vjeshtë janë alternativa më e mirë

Kryetari i komunës së Tetovës dhe lideri i Lëvizjes Besa, Bilal Kasami, mbrëmë në emisionin “Click Plus” në TV21 tha se opsioni më i mirë për t’i dhënë fund krizës politike janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vjeshtës, transmeton Portalb.mk.

“Qeveria e ardhshme do të ketë aftësinë dhe kapacitetin për të zgjidhur të gjitha çështjet, përfshirë mosmarrëveshjen me Bullgarinë”, tha Kasami.

Para dy javësh, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai tha se si parti opozitare nuk do të kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare, siç insiston VMRO-DPMNE.

“Ne nuk do të hyjmë me kërkesë për zgjedhje dhe të krijojmë probleme shtesë për shtetin dhe qytetarët. Por në të njëjtën kohë kërkesa jonë për partnerët ndërkombëtarë është që ne duhet të kemi mekanizma shtesë për të kontrolluar qeverinë. Nëse merremi vesh që në situata në të cilën ndodhet Ballkani për shkak të luftës në Ukrainë, nuk është koha për t’u organizuar zgjedhje të parakohshme, atëherë duhet të pajtohemi që të krijojmë ato mekanizma shtesë për t’u mbrojtur nga korrupsioni i nivelit të lartë. Pasi tashmë kemi shembuj të përhershëm të zyrtarëve të lartë të qeverisë që bien në krim dhe korrupsion”, tha Kasami në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, publikuar më 15 maj 2022.

Edhe Aleanca për Shqiptarët i mbështet zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pasi siç thonë nga kjo parti, kjo Qeveri nuk ka as kredibilitet dhe as legjitimitet, për të vazhduar për të qeverisur.

Ndërkohë, presidenti Stevo Pendarovski tha se zgjedhjet e parakohshme dyshon se do të zgjidhnin krizat me të cilat po përballemi, duke shtuar se dyshon se zgjedhjet e parakohshme do të zhbllokojnë integrimin evropian ose do të ndryshojnë çmimet e energjisë dhe ushqimeve.

Ndryshe, çështja e zgjedhjeve të parakohshme u ngrit nga partia VMRO-DPMNE, kur kreu i saj, Hristijan Mickoski, i vendosi ultimatum kryeministrit Kovaçevski që të takohen për të ndarë datë e zgjedhjeve, ose përndryshe do të bllokojnë Kuvendin. I pari i ekzekutivit refuzoi takimin për këtë temë, ndërsa VMRO-ja nisi bllokimin e Kuvendit, kurse në qershor është planifikuar edhe protestë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button