Përkthimet në shkencat sociale

“Gjuha nuk është mjet për shprehjen e mendimeve të gatshme, por i krijimit të tyre…”

S. Vygotsky

 Një ndër dukuritë me të cilën ndeshemi në përditshmërinë tonë është shumësia e gjuhëve, dallueshmëria, veçanësia e tyre dhe nevoja për ndërveprim, për komunikim mes bashkësive që kanë thesar të veçantë gjuhësor. Autorja Yasemin Yildiz ka një vepër që titullohet, Përtej gjuhës amë: Gjendja pasnjëgjuhësore (Beyond the Mother Tongue: The Postmonolingual Condition,  Fordham University Press, 2012), përmes të cilës ajo flet për identitetet postmoderne, multikulturalizmin, kozmopolitizmin, integrimin, një kundërtezë kjo e paradigmës monolinguale që ka dominuar mendimin linguistik nga shekulli XVIII e këndej.

Në botën e globalizuar mbyllja e gjuhëve ose vetëmjaftueshëria gjuhësore është një absurd. Një vegël që mundëson ngritjen e urave mes diversiteteve është përkthimi. Sot ekziston një disiplinë e quajtur  translatologji apo shkencë mbi përkthimin. Përkthimi është një veprimtari që synon të përcjellë kuptimin ose kuptimet e një ligjërimi të caktuar gjuhësor nga një gjuhë në tjetrën. Është proces i kalimit të një teksti origjinal ose burimor në një gjuhë tjetër. Përkthimi i parë është bërë në erën e hershme mesopotamiane kur poema sumerase “Gilgameshi” është përkthyer në gjuhët aziatike.

Sot, dinamika e rritjes së bashkëpunimit ndërkombëtar në sferat shkencore dhe profesionale shpie në rritjen e numrit dhe vëllimit të përkthimeve të teksteve të natyrave të ndryshme. Përkthimi si art (craft) ndihmon kapërcimin e barrierave gjuhësore dhe kulturore, zhvillimin e mendimit (Sigacheva, 2021:2). Ka disa stereotipe lidhur me përkthimin. Ndër ta është ai se ky veprim është më i shpejtë se shkrimi. Në fakt përkthimi është një proces afatgjatë që përfshin shkathtësi gjuhësore, dije të bazuar në përmbajtje, përshtatje të qëllimeve dhe ideve të autorit dhe shndërrim të përkthyesit në koautor. Ka edhe autorë që thonë se ligjërata shkencore është e qartë, se konceptet janë universale (Barbin, 2019:2). Ndërsa faktet flasin se ndodh që kolegët e një fushe të mos e kuptojnë njëri-tjetrin, një term të ketë një kuptim në një mjedis dhe kuptim tjetër në mjedisin tjetër shoqëror.

Në kuadër kemi të bëjmë me një familiarizim kulturor. Do shënuar se përkthimet në shkencat sociale dallojnë nga ato në disiplinat ekzakte-antyrore dhe teknike. Sipas Heim dhe Tymowsky (2006) përkthyesit në fushat sociale duhet të dinë gjuhën e disiplinës ose të organizatës me të cilën ata merren, zhargonin, subjektin e saj, sfondin historik të të dyja gjuhëve:  të gjuhës burim (source language), nga e cila bëhet përkthimi, dhe të gjuhës së synuar (target language), në të cilën bëhet përkthimi ose bashkësisë së cilës i dedikohet ai. Sipas Derrida-së vetëm numrat mund të përkthehen pa marrë në konsideratë bagazhin kulturor dhe historik të një entiteti të caktuar.

Një çështje tjetër lidhur me përkthimin është edhe shtëpiakëzimi (domestication) apo huajësimi (foreignization) i përkthimit. I pari ka të bëjë me akulturimin, gjegjësisht me përshtatjen e tekstit të huaj kulturës vetjake, vendore, kurse i dyti nënkupton mbizotërimin e frymës së gjuhës huaj në kulturën vendëse. Shkencëtarët socialë apo përkthyesit e shkencave sociale fusin në target kulturën terma apo fraza të gjeneruara për qëllime specifike si p.sh. anomia e Durkheim-it, kapitali kulturor i Bourdieu-së apo etika protestante e Weber-it, super egoja e Freudit e të ngjashme. Nëse përkthyesi nuk e njeh lëminë apo fushën e caktuar në të cilën “lëvron” përmes përkthimit të vet dalin gabime fatale si ato që i kemi hasur ne gjatë redaktimit të disa përkthimeve si p.sh.: mijëvjeçarët për millenarians (milenaristët), klani i totemit në vend të “totemi i klanit”, popullor për “secular” (shekullar), “patriarkalizmi nënë” në vend të matriarkatit, turizëm për truism (truizëm), humbje e parajsës për “izgubljeni raj” (parajsë e humbur), organizëm për organization (organizatë), Shën Franjo Asishki për Shën Françesku i Asizit, radha e tempullarëve për rendi i templarëve, sociolog për “social scientist”, sociologji fetare për sociology of religion (sociologji e fesë), krijesë për “biće” (qenie) etj. Si ka mundësi që një përkthyes termin e ungjijt ta barazojë me engjëjt, apo socializimin me socializmin, interaksionizmin simbolik me ndërveprimin simbolik?

Përkthyesi duhet të ketë një sens të gjetjes së fjalëve të përshtatshme në gjuhën në të cilën përkthen, duhet të vë veten në pozitën e lexuesit. Duhet të ketë para së gjithash njohuri të lëmisë. Pra sipas nesh duhet lexuar kuaj me libra, “biblioteka të tëra” për të prodhuar një përkthim cilësor. Dikur kemi pasur përkthime më cilësore, që kanë frymuar natyrshëm shqip. Merreni për shembull kolanën e vepravë të dijeve sociale të “Rilindjes” së dikurshme, që edhe sot e këtë ditë frymojnë cilësi.

Përfundim: Përkthimi mundëson kapërcimin e barrierave gjuhësore. Përkthyesi është ambasador apo përfaqësues i autorit, është thuajse koautor ngase e ribën tekstin në gjuhën tjetër. Gjatë përkthimit bashkëveprojmë së paku me dy gjuhë. Përkthimet në shkencat sociale janë të rëndësishme në zhvillimin e individit dhe shoqërisë, në ndjelljen e ndryshimeve shoqërore, arsye kjo pse shpeshherë përkthimet e caktuara censurohen, madje edhe ndalohen.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button