Zjarri në Tetovë, vazhdon të dobësohet intensiteti i zjarrit, ndërkohë Armata dhe Ministria sqarojnë që ajri nuk është në gjendje kritike (VIDEO)

Zjarri në hapësirat e ish fabrikës “Makedonija Tabak” dhe “Pofix” është vënë në kontroll, ndërkaq ekipet zjarrfikëse vazhdojnë me aktivitetet për fikjen e plotë. Ekipi i Armatës për mbrojtje nga armët atomike, kimike dhe biologjike ka konstatuar se në ajër nuk ka grimca të gazrave helmues, ndërkaq kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, njoftoi se nesër do të vazhdojë procesi mësimor, raporton Portalb.mk.

Zjarri ende aktiv dhe ka flakë, reagojnë nga ndërmarrja “Pofix”: Shkaqet e paraqitjes së zjarrit janë ende të panjohura për ne

Nga ndërmarrja “Pofix” që u kapluan nga zjarri hapësirat e depos së tyre gjatë mbrëmjes së sotme përmes një shkrimi në Fejsbuk theksojnë se shkaqet e paraqitjes së zjarrit janë ende të panjohura për ta, por ajo që është me rëndësi jetike është fakti se nuk ka humbje jetësh.

“Me këtë rast, publikisht i falemenderohemi ekipeve të zjarrëfikësve, Kryetarin E Komunës Së Tetovës dhe organeve të rendit të cilët maksimalisht po e bëjnë punën e tyre në teren, si dhe qytetarëve dhe afaristëve të Tetovës të cilët u inkuadruan shuarrjen e zjarrit”, thuhet në reagimin nga kompania.

Ata njoftojnë opinionin publik se zjarri në masë të madhe është shuar dhe shpresojnë për tejkalimin sa më të shpejt të kësaj situate.

Siç raporton raportuesi i Portalbit nga terreni, zjarri ende është aktiv dhe ka flakë, ndërsa zjarrfikësit ende po intervenojnë në shuarjen e tij.

Të dhënat aktuale nga stacioni matës në Tetovë, të shfaqura përmes aplikacionit AiCare, për parametrat: PM10 = 33 mikrogram/metër kub, PM2.5 = 14 mikrogram/metër kub dhe CO = 0.1 mikrogram/metër kub.

*Video nga zjarri

Në ndërhyrjet gjatë shuarjes së zjarrit, zjarrfikësit kanë pësuar lëndime të lehta, për çka është dashur edhe ndihma mjekësore.

“Ekipi i Armatës ka kryer kontroll të ajrit dhe kanë konstatuar se nuk ka gazra helmues në ajër. Njëkohësisht kanë kryer kontroll të cilësisë së ajrit edhe në rrethinë, dhe gjendja nga aspekti i gazrave helmues për momentin është e sigurt, për çdo rast presim edhe kontrolle shtesë të ajrit, pasi ekziston gjasë e vogël që të ketë gazra të caktuar të rrezikshëm, të cilat pajisja e tyre nuk mund t’i detektojë, por përsëris se kanë pajisje më moderne, e cila është donacion nga armata amerikane, e cila i detekton të gjitha gazrat e rrezikshme. Duket se ka rritje të nivelit të grimcave PM10, kuptohet se ajri është i ndotur. Flasim për rrezikun nga gazrat helmues”, tha drejtori për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angellov.

“Sot (30-maj) në ora 09:30 në SPB Tetovë është raportuar për zjarr në një depo për deponimin e produkteve të një fabrike në Tetovë, që gjendet në mes të rrugëve “Iliria” dhe “Boris Kidriç” në Tetovë. Sipas raportit fillestar nuk ka persona të lënduar, kurse ekipet nga Njësiti territorial kundër zjarrit  arin masa për lokalizimin e tërësishëm të zjarrit”, bëjnë të ditur nga Policia në Tetovë.

Pavarësisht njoftimit paraprak të komunës se për shkak të ndotjes së ajrit sot dhe nesër nuk do të mbahet mësim, kryetari i Komunës, Bilall Kasami informoi se kanë marrë informata se ajri është i pastër dhe nuk përbën rrezik për shëndetin e qytetarëve dhe për këtë procesi mësimor do të vazhdojë nesër.

Ai njoftoi se objekti që është përfshirë nga flakët, ka qenë fabrikë e cila ka përpunuar materiale me bazë të derivateve të naftës dhe stiroporit.

“Në këtë fabrikë që e kemi prapa nesh ndodhi një zjarr i përmasave që nuk i ka ndodhur Tetovës dhe urojmë që të mos ndodhi në të ardhmen. Bëhet fjalë për një fabrikë e cila e përpunon materiale me bazë të derivateve të naftës dhe përpunimin e stiroporit dhe kjo është një materie shumë e rrezikshme dhe djegie e nivelit shumë të lartë, prandaj që nga mëngjesi nga ora 09:30 kur i morëm informatat e para kemi intervenuar me njësitë kundër zjarrit dhe deri tash vetëm se e kemi lokalizuar zjarrin dhe nuk ka rrezik për shpërndarje”, tha

I pyetur nëse ka informata se prej çka është shkaktuar zjarri, Kasami tha se mund të ketë qenë arsyeja e vërshimeve, megjithatë këtë duhet ta konstatojnë organet përkatëse.

“Nuk ka informatë zyrtare se prej çka është shkaktuar zjarri, sipas asaj që e biseduam me pronarin dhe komandantin e zjarrfikësve, paramendohet se mund të ketë qenë nga vërshimet e reshjeve të mëdha të shiut që kanë qenë dje dhe pardje dhe mund të ketë qenë nga ndonjë kontakt i shkurt i rrymës elektrike, por këtë sigurisht në ditët në vijim do të duhet ta konstatojnë ekipet e ekspertëve”, tha Kasami.

Zjarrfikësi Avni Ameti, theksoi se shpërthimit të zjarrit i ka paraprirë një eksplozion i vogël.

“Kanë ardhur ndihmë nga i gjithë shteti, gjithashtu Armata e Maqedonisë së Veriut janë munduar për ta shuar zjarrin. Brenda fabrikës ka materie të cilat janë djegëse, bëhet fjalë për stiropor, kështu që do të zgjatë. Zjarri është lokalizuar, për momentin ka diku afërsisht 100 zjarrfikës. Ne ishim diku për ta nxjerrë një ujë, prej vërshimeve të djeshme dhe rastësisht e pamë tymin dhe u afruam, ishte një eksplozion shumë i vogël dhe pastaj u pa një tym i zi dhe pastaj filloi gjithçka. Kemi disa zjarrfikës të Tetovës të cilët janë lënduar, për fat të mirë s’kemi zjarrfikës prej qyteteve tjera. Dy zjarrfikës janë me helmim, ndërkaq njëri është me lëndim”, tha zjarrfikësi Avni Ameti.

Në fikjen e zjarrit janë angazhuar zjarrfikësit e Tetovës, Gostivarit, Shkupit, Kumanovës, ndërkaq më vonë janë kyçur edhe ata të Kavadarit. Nga ana tjetër, punëtorët me makina bartëse kanë ndihmuar që të largohet një pjesë e materialeve djegëse. Në terren, gjithashtu ka pasur edhe përfaqësues të Armatës, Urgjencës dhe Policisë.

Reporteri i Portalb.mk, ju sjell pamje nga vendi i ngjarjes:

This slideshow requires JavaScript.

Njësia e ARM-së për Armë Atomike, Kimike dhe Biologjike në Tetovë

Ekipi i Njësisë për Mbrojtje nga Armët Atomike, Kimike dhe Biologjike të Armatës së Maqedonisë së Veriut, ka arritur në Tetovë, gjegjësisht vendin e ngjarjes ku shpërtheu zjarri sot në mëngjes dhe si pasojë e të cilit qielli u mbush me tym të zi dhe grimca helmuese, raporton Portalb.mk.

Çeta për Mbrojtje nga Armët Atomike, Kimike dhe Biologjike të Armatës së Maqedonisë së Veriut. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Çeta për Mbrojtje nga Armët Atomike, Kimike dhe Biologjike të Armatës së Maqedonisë së Veriut. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ekipi i Armatës, nëpërmjet pajisjeve të specializuara, do ta kontrollojë nëse dhe çfarë materie të rrezikshme ka mbi qiellin e Tetovës, si pasojë e djegies së materialeve të stiroporit të cilat përmbajnë mjete të rrezikshme kimike.

Çeta për Mbrojtje nga Armët Atomike, Kimike dhe Biologjike të Armatës së Maqedonisë së Veriut. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Njësia për Mbrojtje nga Armët Atomike, Kimike dhe Biologjike të Armatës së Maqedonisë së Veriut. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Ata kanë pajisje më moderne për detektimin e materieve toksike dhe veçanërisht për dyoksidin e karbonit, të cilën e kanë donacion nga SHBA. Këtë pajisje e përdorin të gjitha armatat moderne në botë. Fillimisht do të hyjnë brenda dhe do të bëjnë në vendin e ngjarjes kontroll të materieve helmuese në ajër dhe pastaj këtu diku jemi marrë vesh që të bëhet kontroll të ajrit të shohin nëse dhe çfarë materie të rrezikshme përmban ajri në vendin ku qëndrojmë”, tha drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojanço Angellovski.

Ai shtoi se pastaj do të bëjnë kontroll të ajrit në drejtim të erës, 500-600 metra më larg, në vendin ku bien në tokë grimcat.

Çeta për Mbrojtje nga Armët Atomike, Kimike dhe Biologjike të Armatës së Maqedonisë së Veriut. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Njësia për Mbrojtje nga Armët Atomike, Kimike dhe Biologjike të Armatës së Maqedonisë së Veriut. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Është më se e dukshme se ka grimca PM10”, shtoi Angellovski.

Në ndërkohë, autoritetet kanë bërë disa herë thirrje që qytetarët të mos dalin pa nevojë, sidomos ata që kanë probleme respiratore, për shkak të ndotjes së ajrit si pasojë e zjarrit në objektet e “Makedonija Tabak” dhe “Pofix” në Tetovë.

Nga QMK rekomandojnë që ata që e kanë te nevojshme të dalin jashtë, të mbajnë maskë, sipas mundësive KN95. Shtëpitë t’i mbyllin dyert dhe dritaret.

Dy helikopterë duke e fikur zjarrin:

Zjarri në objektin afarist, Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Zjarri në objektin afarist, Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Zjarri në objektin afarist, Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Zjarri në objektin afarist, Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Tre raste me asfiksime dhe një person e ka lënduar gjurin

Mjeku i Urgjencës, Gazmend Ibishi deklaroi se nga zjarri ka pasur 4 persona të lënduar, tre prej tyre kanë qenë raste të asfiksimit, ndërkaq njëri dyshohet ta ketë thyer gjurin, megjithatë, gjendja e tyre është stabile.

“Ndihma e Shpejtë është në gatishmëri për pacientët, deri tani kemi pasur tre raste me asfiksime që kanë humbur pak oksigjenit, nuk kanë qenë të rëndë, vetëm i kemi transportuar deri në Repartin e Internos. Personat kanë qenë civil që kanë dhënë ndihmë vullnetare edhe një me lëndim që është lënduar me mjetet e transportit, ai është transportuar për në ortopedi, dyshohet për thyerje të gjurit. Gjendja e pacientëve është stabile, janë jashtë rrezikut për jetë”, thotë Ibishi.

Ai apeloi që të gjithë të largohen sa më larg vendit që ka shpërthyer zjarrit për shkak të ndotjes së ajrit.

“Dyoksidi i karbonit është shumë më i rrezikshëm dhe shumë më shpejt depërton në mushkëri se sa oksigjeni, prandaj edhe afiniteti i marrjes së dyoksidit të karbonit është shumë i shpejtë dhe më i rrezikshëm për mushkëritë. Sa më larg të rrinë të gjithë prej këtyre ambienteve”, tha Ibishi.

Apel që qytetarët të mos dalin jashtë për shkak ndotjes së ajrit

Nga SPB Tetovë apelojnë që qytetarët me probleme respiratore të mos dalin jashtë pasi që nuk dihet nëse materialet që digjen janë të dëmshme.

“Rreth orës 09:30 është lajmuar se në një fabrikë për prodhimin e izolimeve, stirodulit dhe stiroporit, afër monopolit, te rruga “Iliria” ka shpërthyer zjarr. Momentalisht nuk ka informata për të lënduar. Apelojmë që qytetarët që kanë problem me frymëmarrje dhe organet respiratore të mos dalin pa nevojë jashtë sepse ende nuk dihet se sa mund të jetë i dëmshëm djegia e këtyre materialeve”, tha për Portalb.mk zëdhënësi i SPB Tetovë, Fatmir Rexhepi.

Është ndërprerë mësimi në Tetovë për shkak ndotjes së ajrit nga zjarri

Kryetari i Këshillit të Komunës, Besar Durmishi njoftoi se nuk ka viktima nga zjarri, por vetëm dëme materiale. Gjithashtu edhe ai apeloi deri te qytetarët që të mos dilet pa nevojë për shkak të ajrit të ndotur.

“Jemi prezent në këtë situatë, zjarrfikësit janë duke punuar për shuarjen e zjarrit, kemi kërkuar menjëherë ndihmë nga Komuna e Gostivarit dhe Qyteti i Shkupit, gjithashtu kemi kërkuar që të angazhohen helikopterë në fikjen e zjarrit për arsye se siç e shihni edhe vetë është e pamjaftueshme që kamionët të arrijnë ta shuajnë zjarrin. Nga Qendra për Menaxhim me Kriza kemi marrë përgjigje pozitive dhe në çdo moment presim që të vijnë. Nga sektori arsimit është dhënë urdhër që shkollat fillore, të mesme dhe çerdhet të lirohen nga procesi edukativo arsimor për arsye të ajrit tepër të ndotur. Apeloj deri te qytetarët të cilët nuk kanë ndonjë punë të qëndrojnë brenda në shtëpi, ë mos dalin jashtë, ata që kanë punë të vendosin maska”, tha Durmishi.

Qendra për Menaxhim me Kriza: Me helikopter do ta parandalojmë shpërndarjen e zjarrit

Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angellov ka arritur në Tetovë dhe informoi se helikopteri nga MPB do të mundohet ta parandalojë shpërndarjen e zjarrit.

“Bëhet fjalë për zjarr në këtë fabrikë për gips-kartonë dhe gjëra tjera, për momentin punojmë në detektimin nëse ekziston rrezik në ajër, gjegjësisht, nëse ka gazra helmuese dhe çfarë. Gjendja për momentin nga aspekti i gazrave helmues, sipas informatave që i kam nuk është alarmante. Ka nivel të rritur të grimcave PM, të cilët për momentin janë të ngritura lartë, por më vonë do të bien. Po mundohemi ta vendosim zjarrin në kontroll, për momentin do të vijë helikopter i Ministrisë së Punëve të Brendshme, problemi është fikja me ujë e zjarrit të këtillë nga ajri, mund të shkaktojë shpërndarje të zjarrit. Për këtë arsye kërkuam që uji të hidhet në linjën e zjarrit, të mos hidhet në pjesën e pasme ku kemi edhe enë me materie eksplozive. Apeloj deri te të gjithë të pranishmit të largoheni nga ky vendi derisa nuk vendoset kontrolli i plotë”, tha Angellov.

Qytetari: Brenda digjej stiorpori

Hekuran Xheladini, një profesor i edukatës fizike, ka qenë në qytet kur ka shpërthyer zjarri dhe siç deklaroi ai, pasi e ka pa tymin, ka shkuar për të ndihmuar. Ai madje deklaroi se ka hyrë dhe brenda dhe ka parë duke u djegur stiroporet, por për shkak se zjarri ka qenë i madh nuk ka pasur mundësi për t’u fikur.

“Kur e pash tymin që dilte u afruam me shpejtësi që të japim një ndihmë si qytetarë bashkërisht u futëm në disa raste edhe brenda. Pamë që me të madhe është duke u djegur gjithçka brenda, d.m.th. stiroporet që përmbajnë materiale kimike. Ishte e pamundur që të arrijmë ta ndalim zjarrin. Por, me ndihmën e zjarrfikësve, të gjitha kompanive private të cilat me gjithë mekanizmat e vet arritën që deri në këtë moment ta shuajnë pak zjarrin. Për fat të mirë është që nuk ka viktima. Ka vetëm dëme materiale, ashtu siç e shihni. Dhashtë Zoti mbyllet me kaq, shyqyr që nuk u përhap zjarri, u lokalizua, përafërsisht është nga fundi. Unë mbërrita në ora 09:15, por zjarri është përhapur më herët. Kishte persona, të gjithë personat e ndërmarrjes Pofix ishin brenda. Është depoja, shihet, me siguri është ku bëhet prodhimi i stiroporit”, tha qytetari Xheladini.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button