ANALIZË: Cilat projekte kapitale të RMV-së nuk do të mbështeten me buxhetin e rebalancuar?

Më shumë para për gazifikimin, banesat sociale, më pak për rrugë, hekurudha, ujësjellës, për ndërtim spitalesh, klinikash, për pajisje mjekësore, për reforma në polici. Shpenzimet kapitale me rebalancin e buxhetit krahasuar me planin aktual janë zvogëluar për 8,8% dhe do të arrijnë në 522,6 milionë euro. Analiza javore ekonomike e Portalb.mk bën të ditur se në cilat ministri dhe agjenci sa mjete do të reduktohen apo shtohen përmes zërit “shpenzime kapitale – pjesa zhvillimore e buxhetit”.

Ministrinë e Arsimit shumat për ndërtimin dhe rikonstruksionin e shkollave fillore dhe të mesme mbeten të njëjta, zvogëlohet shuma për ndërtimin e sallave sportive në shkollat fillore, ndërsa shuma për salla sportive në shkollat e mesme rritet. Shuma për ndërtimin dhe rikonstruksionin e konvikteve studentore mbetet e njëjtë, ndërsa zvogëlohet për renovimin me efikasitet energjetik të konvikteve.

Përmes Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale një shumë më e madhe parash është ndarë për ndërtimin, pajisjen dhe mirëmbajtjen e objekteve për mbrojtjen e fëmijëve dhe me rebalancin ajo do të jetë 2,9 milionë euro, ndërsa reduktohen mjetet për ndërtimin, pajisjen dhe mirëmbajtjen e objekteve të mbrojtjes sociale (objektet e përkujdesit, qendrat për punë sociale etj.) dhe shtëpitë e pleqve.

Shkurtime më të rëndësishme ka në Ministrinë e Shëndetësisë – konkretisht projektet strategjike për rikonstruksionin dhe ndërtimin e objekteve shëndetësore zvogëlohen në 2,9 milionë euro. Zvogëlohen edhe mjetet për ndërtimin e Spitalit të përgjithshëm në Kërçovë, e poashtu zvogëlim dramatik ka edhe te shpenzimet kapitale për ndërtimin e Qendrës së re klinike në Shkup dhe në Shtip – të cilat janë zvogëluar në vetëm 2 milion euro nga 9 milionët aktualë.

Reduktohet edhe shuma për blerjen e pajisjeve mjekësore dhe për ndërtimin e ambulantave në zonat rurale.

Më pak mjete kapitale përmes Ministrisë së Bujqësisë janë planifikuar për modernizimin e bujqësisë – me rebalancin e buxhetit kjo shumë do të jetë pak më pak se 700.000 euro, për hidrosistemin e Zletovicës shuma zvogëlohet në 2.4 milionë euro, kurse për hidrosistemin Lisiçe në 388.400 euro, për programet e ujitjes shpenzimet kapitale zvogëlohen në 2 milionë euro, ndërsa rritje të mjeteve për programin e ujitjes në Luginën e Vardarit Jugor.

Shkurtim të mjeteve në 14,8 milionë euro ka te Agjencia për Mbështetje Financiare në Bujqësi – fondet e destinuara për të mbështetur investimet në bujqësi dhe zonat rurale.

Ministrinë e Ekonomisë shuma e shpenzimeve kapitale të destinuara për gazifikimin mbetet e njëjtë, ndërsa ka një zvogëlim të lehtë të mjeteve për mbështetjen e zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Më shumë para për ndërtimin e banesave sociale – më pak për rrugët lokale. Përmes Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, me buxhetin e rebalancuar janë planifikuar 3,2 milionë euro të reja për ndërtimin e banesave sociale, fondet për rrugët lokale janë ulur në 8,1 milionë euro, për investime në infrastrukturën rrugore janë ulur në 59,7 milionë euro, për ndërtimin e ujësjellësve dhe kanalizimeve në 2,8 milionë euro. Por, parashikohen më shumë para për gazifikimin – shuma rritet ndjeshëm në 9,3 milionë euro. Nën “thikë” janë edhe fondet për korridoret hekurudhore 8 dhe 10 – zvogëlohen në 25,4 milionë euro.

Shpenzimet kapitale në Ministrinë e Punëve të Jashtme janë zvogëluar në 70.000 euro. Në të tre zërat e shpenzimeve kapitale në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes ka reduktim të mjeteve, përkatësisht shuma për modernizimin e MM-së zvogëlohet në 2,4 milionë euro, për ndërtimin dhe rikonstruimin e objekteve dhe infrastrukturës në 5,4 milionë euro, për integrimin në NATO shuma ulet në 55,3 milionë euro.

Ministrinë e Punëve të Brendshme shuma për rikonstruksionin dhe pajisjen e objekteve – stacioneve policore, vendkalimeve kufitare, mbetet e njëjtë, ndërsa zvogëlim prej 6,4 milionë eurosh ka për reformat policore.

Në kuadër të Ministrisë së Financave për projektet zhvillimore – mbështetje financiare për komunat, mjetet janë zvogëluar në 3,9 milionë euro, e po ashtu zvogëlim ka edhe të shpenzimeve kapitale për zhvillimin rajonal, ndërsa rritje ka për zhvillimin rural.

Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale për zhvillim të barabartë rajonal fondet janë rritur në 4,9 milionë euro, për Instrumentin e Asistencës së Para-Anëtarësimit IPA 2 nuk janë planifikuar fare, ndërsa zvogëlim të shpenzimeve kapitale ka për bashkëpunimin ndërkufitar. Do të marrë më shumë para për liqenin e Dojranit Ministria e Mjedisit të cilat ngrihen në nivelin 2.2 milionë euro. Ka një rritje të ndjeshme të shpenzimeve kapitale te Drejtoria për Zonat e Lira Ekonomike – shuma rritet në 13,6 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button