Nuredini: Nuk presim që amvisëritë të përdorin burim tjetër të ngrohjes për shkak të rritjes së çmimit të rrymës

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini nuk pret që me rritjen e çmimeve të rrymës amvisëritë më shumë t’i kthehen ngrohjes me dru dhe me këtë të kemi ndotje të rritur këtë dimër, njofton Portalb.

Nuredini, në intervistë për Radion Evropa e Lirë, qëndrimin e këtillë e shpjegon me atë se propozimi për rritje të çmimit të rrymës nuk është përfundimtar dhe se shteti jep subvencione për inverterë, për përdorim të peletëve ose mënyra të tjera, si pompa për ngrohje dhe për efikasitet energjetik.

“E para, propozimi për rritjen e çmimeve të rrymës nuk është përfundimtar, por dëgjova se është e mundur që kjo rritje të bëhet hap pas hapi, por për shumicën e qytetarëve çmimet të mbeten të njëjtë. Kështu që nuk presim që amvisëritë të përdorin burim tjetër të ngrohjes. Gjithsesi, në vend tashmë kemi subvencione të shumta: për inverterë, për përdorim të peletëve ose mënyra të tjera, si pompa për ngrohje. Duam që qytetarët t’i përdorin subvencionet. Shteti jep subvencione prej 20 për qind, gjithashtu ka edhe menakizma të tjerë për shfrytëzim të kredive ose huave bankare. Gjithashtu, ka 15 ose 20 për qind subvencione për efikasitet energjetik. Duam t’i nxisim qytetarët që ta zëvendësojnë përdorimin e ngrohjes së shtëpive me drunj ose materiale të tjera të cilët ndotin. Në fakt, nuk mendoj se ndotja sivjet do të rritet”, thotë Nuredini.

I pyetur për atë se si kriza energjetike dhe importimi i qymyrit dhe mazutit për prodhimtari vendore të rrymës do të reflektojë në Agjendën e Gjelbër, Nuredini thotë se tani kemi krizë energjetike, e cila në fakt nuk është vetëm në vendin tonë dhe se çmimet nuk rriten vetëm në vendin tonë, por rriten në gjithë Evropën.

“Njëkohësisht, si vend, planifikojmë dhe punojmë, ndërsa disa projekte tashmë janë filluar, për investim në energji ripërtëritëse, ndërsa kjo do të thotë energji solare, nga era etj. Tani, gjithashtu, jemi në fazë finale me procedurën e tenderit për Çebrenin, që do të jetë themel i strategjisë tonë energjetike në të ardhmen”, deklaroi Nuredini.

Lidhur me atë se shteti stimulon përdorim të rrymës për ngrohje në kushte kur nuk e kemi të mjaftueshme, Nuredini me përgjigje se në të njëjtën kohë pyetja është se prej nga vjen energjia dhe për çka e përdorim.

“Nuk duhet të harrojmë se inverterët janë me efikasitet energjetik dhe vërehet se në 4 deri në 5 vitet e fundit kemi ulje të ndotjes së ajrit. Kjo na tregon se po lëvizim në drejtim të duhur, se masat e ndërmarra shfaqin rezultate. Për fat të keq, nuk ekziston zgjidhje brenda natës për ndotjen e ajrit”, potencoi Nuredini.

Përndryshe, KRRE deri në fund të qershorit duhet të marrë vendim për çmimin e energjisë elektrike në tregun e rregulluar, i cili do të jetë i vlefshëm deri në fund të vitit. Ai njeh kostot e justifikuara që i kanë kompanitë energjetike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button