fbpx

Anatomia e skandalit mbi puthjet e rrëmbyera!

“Anatomia e një skandali” është një serial i shkurtër që në qendër ka një ministër anglez, shok shkolle i kryeministrit, i cili pasi kryen marrdhënie jashtëmartesore me një nënpunësen e vetë, në pamje të jashtme me miratim reciprok, akuzohet nga e njëjta për abuzim dhe përballen në një gjygj me seanca të stërgjatura për të vërtetuar nëse ka ndodhur abuzim apo jo.
Doli ky film dhe e gjithë bota u ndërgjegjësua dhe mësoi më shumë për “miratimin (consent)” sa nuk mësohet as edhe nëpër shkolla. Filmi në fjalë hedh dritë mbi mënyrën se si mund të tërhiqet pëlqimi në çdo moment gjatë një marrdhënieje: pra deri ku shkon “po-ja” dhe kur nis “jo-ja”. Por a qe nevoja e një filmi për të ndërgjegjësuar njerëzit për kufijtë e miratimit? Anatomia e një skandali flet edhe për faktin se si meshkujt në veçanti përfitojnë nga pozita dhe pushteti për t’i shkuar deri në fund gjërave duke kaluar nga joshja në abuzim dhe vërtetë duke mos (dashur për t’) i kuptuar kufijtë.

“Ra ky mort dhe u pamë”

Bastisja që i ndodhi Tiranës para disa ditëve na bëri të reflektojmë dhe të rishikojmë shumë (para)gjykime pozitive për europianët. Të gjithë qemë dëshmitarë se si u ushtrua dhunë ndaj tifozëve dhe policisë, se si nuk u tregua aspakt respekt për hapësirat publike duke ndotur vend e pavend me pamje pornografike me tufa meshkujsh gjysëm të zhveshur, por mbi të gjitha se si u abuzua me vajzat dhe gratë gazetare.
Po pra, pikërisht abuzim është përkufizimi i duhur i atyre sjelljeve huligane meshkujsh të eksituar të cilët nuk dijnë t’u përmbahen kufijëve të miratimit. Dhe çështja këtu nuk qëndron tek origjina dhe rraca e abuzuesit, se abuzuesi nuk ka rracë, kulturë apo nënshtetësi. Por abuzimi ka gjini, dhe në të shumtën e rasteve i përket gjinisë mashkullore e cila përfiton nga forca fizike dhe pozita e të fuqishmit ndaj me të pafuqishmit.
U përballëm kështu me dy skena (kushedi sa raste të tjera ngacmimesh të pa raportuara mund të kenë ndodhur që ne as jemi të vetëdijshëm): rasti një gazetareje/reportere e cila me qetësi dhe çiltërsi u përpoq ta menaxhojë me “sportivitet” situatën edhe pse dukshëm në siklet (gjë të cilën e pranoi edhe vetë tek Rudina), dhe një tjetër e cila iu kthye e acaruar me gjithë pafuqinë e saj për të ç’bërë demin dhe për të marrë hakun e vetë, ndërsa tifozi i huaj vazhdoi rrugën e tij fitimtar pasi rrëmbeu atë që deshi!
Ç’është akoma më tragjike, fakti se si në epokën e spektaklit, u showbiz-ua edhe abuzimi live. Portalet vërshuan me tituj bombastikë, u oraganizuan emisione dhe gazetares iu dhurua një famë seksiste, duke e kthyer gazetaren në fjalë nga një person me emër dhe mbiemër, me një identitet dhe profesion në një pronë publike “e puthshme” nga të tërë (“Ti je ajo që të pùthën, a mùndem dhe unë?”, tífozët fíksòhen kèq pas gazetares”). Edhe pse në intervistën e saj tek Rudina, vetë gazetarja e shpjegoi se si me profesionalizëm ka raportuar dhe ka drejtuar shumë kronika të tjera të rëndësishme me tematikën e krimit apo kronika të zeza me peshë, mirëpo kurrë nuk mori famën aktuale.
Një ndër puthjet ndodhi në një transmetim live, i publikuar si “Tifozët nuk i ndahen gazetares së Klan News, këtë herë e puthin live“ moderatori Blendi Fevziu në studio brohoret klithma fitoreje ”Oh ja erdhi tjetri live, sikur ta dija! Sot paske pasur ditën me fat”, dhe më pas shpërthen në të qeshura si kurrë më parë. Në epokën e spektaklit dhe “infotainment/informacioneve argëtuese” të prekesh dhe të puthesh pa miratimin tënd nga të huaj në mes të rrugës, duke qenë në punën tënde me gjithë kutpimin e fjalës, duhet ta quash veten me fat. Të paktën sipas pikëpamjes maskiliste dhe seksiste të moderatorëve meshkuj. Ndërsa disa zëra të pakta feministe që me të drejtë e ngritën shqetësimin në fjalë nuk u amplifikuan sikurse duhej të ndodhte, por u humbën dhe u shuan në kakofoninë shurdhuese të spektaklit të fiksuar pas manisë së klickbait-it.
Në fund të fundit të vërtetën në një kohë post truth-i e vulos publiku, audienca, spektakli dhe të gjithë aktorët që luajnë rol në industrinë e argëtimit. Vlerat dhe parimet si dinjiteti njerëzor i një gruaje, i një profesionisteje në krye të detyrës apo limitet e saja dhe miratimi nuk kanë më rëndësi.

Autor: Nada Dosti

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button