fbpx

Një vizitë e dyshimtë e ministrit rus Sergey Lavrov

Ministri i Jashtëm rus Sergy Lavrov do ta vizitojë Serbinë më 7 qershor, raportojnë mediat e Beogradit. Një vizitë e papritur, po jo për tu habitur shumë duke e marrë në konsideratë aleancën historike serbo-ruse. Pushtimi rus i Krimesë dhe agresioni i shkurtit i këtij viti ndaj Ukrainës, dëshmuan se Serbia nuk e ka ndërmend të mbajë një qëndrim parimor ndaj luftës. Dhe as që i mori parasyshë sanksionet ndërkombëtare ndaj Moskës. Ky është një absurditet i shekullit si për rajonin dhe po ashtu për komunitetin demokratik ndërkombëtar, ku Beogradi këtë po e bën haptazi dhe pa pasoja para BE-së dhe SHBA-së.

Vrasjet ruse në Ukrainë, as që e kanë shqetësuar qeverinë serbe dhe as më pak mediat e Beogradit që po mbajnë anën ruse e që për fat të keq janë në shërbim të propagandës së Putinit.

Vizita e planifikuar e një zyrtari të lartë të shërbimit të inteligjencës ruse kryeqytetit serb Beogradit, kohë më parë u anulua, dhe tash Lavrovi përsëri po shfaqet në rajon në një kohë të turbullt dhe jo aq sigurtë se çka kërkon nga Serbia dhe çka dëshiron Rusia e Putinit. Kushte për luftë nuk ka në Ballkan, po ka pika të nxehta për Rusinë ku bashkë me serbët në Bosnjë dhe në Kosovën Veriore mund të nxisin aksione të ndryshme për të shqetësuar banorët e Ballkanit.

Zyrtarët e Beogradit nuk kanë kohë të vizitojnë pjesët e shkatërrura të Ukrainës, kurse mund të presin figura të larta të shtetit rus që janë pjesë e tragjedisë në Ukrainë.

Beogradit nuk i ka mbetur shumë kohë të përcaktohet ose me Perëndimin ose me Rusinë. Deri më tash ka vazhduar të qëndrojë në dy ulëse, duke marrë mjete financiare nga SHBA dhe BE, dhe nga ana tjetër duke u furnizuar me armatim ruso-kinez. Zyrtarë të lartë rus vazhdojnë të mbajnë takime të niveleve të ndryshme me përfaqësues nga Ballkani Perëndimor dhe një prani e lehtë e ndikimit rus po shihet të jetë ende aktive në rajon.

Nga ana tjetër, ashtu si lufta në Ukrainë po vazhdon, diplomatë të lartë nga BE, Ballkani dhe nga SHBA, e kanë vizituar Kievin. Kjo u bë e mundur vetëm javëve të fundit, kur forcat ruse dështuan ta pushtojnë Kievin. Kjo njëherit tregon se që nga viti 2014, forcat ukrainase janë trajnuar mirë nga NATO dhe SHBA, për një luftë tjetër që i priste. Tash evropianët e kanë më të qartë se dërgimi i armëve të forta në Ukrainë për të penguar copëtimin e Ukrainës dhe dobësimin e rusëve, është domosdoshmëri dhe në interesin kombëtar të tyre për të ruajtur paqen në BE, në Ballkan dhe në Evropën Lindore. Natyrisht, me këtë Perëndimi do të mbajë të balancuar ekonomitë nacionale dhe paqen e brendshme sociale. Ajo që mbetet e pa realizuar nga Perëndimi, është dërgimi i mjeteve të avancuara ajrore nga SHBA, që tërthorazi është e përfshirë në konfliktin ruso-ukrainas.

Përderisa diplomcia ruse po aktivizohet, SHBA duhet të veprojë në kohë të duhur për të ndikuar në raportin e forcave në terrenin luftarak dhe paralelisht në Ballkan.

Një gjë që ka ra në sytë e opinionit, është ndjeshmëria ndaj informacioneve të rrejshme që me vite kanë depërtuar në rajon nga Rusia, Serbia dhe burimet e brendshme. Qeveritë tona shumë pak kanë punuar për të përballuar propagandën ruse dhe atë të Serbisë, e cila ka qenë një ndihmëse e mirë e shpërndarjes së lajmeve të rreme dhe aktiviteteve klandestine.

Në këtë drejtim, duhet parë edhe vizitën e ministrit rus Lavrov në Beograd, ku raportet ruso-serbe priten të forcohen. SHBA ka dhënë disa sinjale se dëshiron ta shoh Serbinë në Perëndim dhe se politika e jashtme serbe duhet të pësojë ndryshime.

BE shumë pak presion mund të ushtrojë mbi Serbinë. Poqese Uashingtoni dhe Brukseli do bashkëpunojnë më mirë rreth ndërtimit të një qëndrimi më të fuqishëm dhe më të qartë ndaj Serbisë, sigurisht se politika e Beogradit do të ndryshojë jo vetëm në raport me Moskën, por gjithsesi edhe ndaj Kosovës. Një politikë e tillë e jashtme tregtare dhe strategjke serbe nuk duhet të tolerohet nga SHBA dhe BE. Se deri kur do të përkëdhelet Beogradi, kjo mbetet të shihet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button