Zotëri Menduh Thaçi!

Zgjedhjet parlamentare përfunduan, secila parti mori obligimet e veta mbi supet e saj. Dikush fitoi 19 deputetw dhe festoi tërë natën, ndërsa të nesërmen në start dëshmoi pafuqinë e saj edhe më shumë sesa në të kaluarën kur kishte fituar më pak deputet. Dita e mirë thonë shihet në mëngjes, ndërsa mëngjesi për shqiptarët në politike filloi me vrënsira, me dështime, me reterime dhe me dorëzim të elitës politike në pushtet.

Nga ana tjetër, partia opozitare shqiptare mori një deputet më pak se në të kaluarën, por kjo nuk e bën atë më pak të përgjegjshme për pozicionin që ka. Andaj, duke parë një dështim total të “pushtetit” (pjesës shqiptare) dhe thuajse aspak hapsirë më për të përmirësuar atë, s’na mbetet gjë tjetër veçse t’i drejtohemi me një ton q,ortues opozitës, e cila tani e ka momentin më të mirë të dëshmojë veten dhe të shpëtojë shqiptarët.

I nderuar kryetarë i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), zotëri Menduh Thaçi, lider i opozitës shqiptare që në vete si term mban më shumë përgjegjësi dhe shumë pak komoditet. Ju si drejtues i opozitës, ku teoritikisht duhet të bëjë pjesë edhe populli, opinionistët, mediat dhe kritikuesit, kësaj radhe duhet të na dëgjoni neve që kurrë nuk ju kemi sulmuar për çështje personale apo për ndonjë qëllim të përfitimit tonë. Mbani një përgjegjësi të rëndë mbi supe, mbani dhe fatin tonë, mbani edhe fatin e atyre votuesve tuaj, por edhe të atyre që për arsye të ndryshme nuk ju kanë votuar dhe sot shprehen të dëshpëruar nga vendimi i tyre që kishin marë më 27 prill. Jo, jo, nuk do të kërkoj dorëheqjen tuaj. Këtë nuk do ta bëj për dy arsye: e para, për shkak të rezistencës tuaj rreth 20 vjeçare në politikë, dhe e dyta, për shkak se një gjë të tillë e kërkojnë ata që hanë e pijnë prej pushtetit dhe punojnë për të.

Mjafton të shikojmë se kush e bën këtë kërkesë dhe do ta kemi të qartë të gjithë se cili është roli i tyre dhe roli juaj në skenën politike shqiptare. Por, nga ju do të kërkojmë shumë gjëra të tjera. Urgjentisht tejkaloni veten, nervozën, inatet, por edhe miqësitë e ngushta. Fillimisht, harroni vesin më negativ, atë të polemikave personale me individ që nuk janë në nivelin tuaj dhe që dalin vetëm për t’ju provokuar, duke e ditur se Menduh Thaçi ndizet shpejt. Të mira apo të kqija, të korruptuara ose jo, mediat kanë fuqinë e tyre. Nëse nuk mund t’i afroni, të paktën mos ju jepni material të meren me ju. Nuk them t’ju gjunjëzoheni, por mos u jepni as edhe një sekondë nga fjalimet tuaja për t’u reklamuar ata si “viktima” të “sulmeve” tuaja. Eshtë shumë e thjeshtë, jepuni mediumeve atë që doni ju dhe ajo që është në dobinë tuaj, në formën më të shkurtër dhe më precize, që të mos kenë hapsirë kurrë t’ju manipulojnë, deformojnë dhe nxjerin prej konteksti. Nëse nuk e dini si bëhet kjo, ndiqni oponentët tuaj dhe afroni rreth vetes njerëz që dinë ta bëjnë këtë “lojë” të kohës së re, propagandën. Afroni kuadrot e përgaditura profesionale. E dimë se deri më tani, ka pasur nga ata që nuk kanë mundur të rezistojnë nga sulmet dhe goditjet e pushtetit, prandaj merrni dhe mos i nxirni në vijë të parë, mbani afër vetes për t’i pasur më të sigurtë dhe jo poshtë tek porta e partisë për të qenë gjithmonë në cak të sulmeve.

I nderuar Menduh Thaçi, shoshitni dhe një herë miqësitë tuaja të vjetra, analizoni ato dhe një herë. E kam fjalën për kuadrot me të cilat dilni dhe kërkoni vullnetin e popullit. Janë djem të mirë, po, për miq, shok, janë shumë të mirë. Por, ja që disa cikle zgjedhore po dëshmojnë se ata humbin në fshatrat, lagjet dhe komunat e tyre. Ju dhatë një mundësi, dy, tre ….mos i largoni, mos i përjashtoni, por mos vazhdoni edhe t’i lini në vijë të parë të betejës tuaj, aq më pak në ato pozicione ku ata duhet të grumbullojnë vota. Të njejtët bartës liste dhe pasuesit e tyre, në disa cikle zgjedhore humbin në mënyrë të papritur. Nuk mund gjithë fajin ta ketë populli. Mbani ata edhe më tej, ruani për drejtor e ministra, por në vend të tyre nxirni njerëz që do të arijnë të mbledhin vota jo vetëm për të fituar vetë mandat deputeti, por edhe për të siguruar fitoren dhe për t’ë siguruar postet e ministrave për këta miqt tuaj të vjetër. Kështu do të fitojnë edhe ata edhe ata të tjerët, por më së shumti shqiptarët.

I nderuari lider i opozitës shqiptare. Ju e dini fort mirë se nuk jeni pakicë, por jeni pjesë e një shumicës së përçarë e cila gjithmon humb zgjedhjet nga pakica e bashkuar. Ju kanë sharë, ofenduar, tradhëtuar ndoshta….gjëra që kanë ndodhur në skenën politike botërore. Nuk jeni i pari që braktiseni dhe tradhëtoheni. Kështu e ka politika, përplot aventura dhe njerëz labil.

Por, ja që disa prej tyre megjithatë gëzojnë mbështetje në elektorat dhe janë çelësi i fitores së opozitës shqiptare.

Ziadin Sela, mund të ketë qenë edhe i mashtruar edhe mund t’i ishte rritur mendja, të gjitha do t’i besojmë. Por, ja që në zgjedhjet e fundit u dëshmua fuqia e tij. Afrojeni, ashtu siç Edi Rama, afroi “tradhëtarin” më të madh të së majtës në Shqipëri, Ilir Metën.

Po pse jo dhe Rufi Osmanin? Kujtoni historinë tuaj të përbashkët dhe bashkoni të ardhmen, mos bini pre e provokimeve dhe lajkave të atyre që duan t’ju shohin juve dhe shqiptarëve gjithmonë në opozitë.

Ka ardhur koha që shqiptarët të kenë pushtet real dhe për këtë dikush duhet të tolerojë, dikush të sakrifikoj e dikush edhe të ulë kokën përkohësisht. Sinqerisht, habitem se si mundët të sakrifikoni gjithë ato vite opozitë, madje në disa raste edhe jetën tuaj personale, ndërsa tani nuk mund të sakrifikoni pak nga sedra juaj?

Mendoni mirë dhe veproni, nuk ka nevojë të më përgjigjeni as mua dhe as të tjerëve. Këto s’janë vetëm fjalët e mia dhe ju e dini këtë më së miri. Janë fjalët që pëshpërisin shqiptarët nëpër çdo kafene dhe rrugë. Plotsojani dëshirën çdo shqiptari….ju e dini se cila është ajo.

Lajme të ngjashme

Back to top button