Mësimdhënësit e Maqedonisë së Veriut rrisin pagat, por do të mbeten pa nxënës

Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Maqedoninë e Veriut thotë se ka arritur t’i përmbushë kërkesat e mësimdhënësve për rritjen e pagave prej 15 për qind dhe zbatimin e marrëveshjeve, raporton REL. Marrëveshja me Qeverinë është arritur pas një greve të përgjithshme që ka zgjatur rreth tri javë.

Në Maqedoninë e Veriut, në arsimin fillor janë të punësuar rreth 20,000 mësimdhënës, ndërsa rreth 8,000 janë në arsimin e mesëm dhe më shumë se 5,000 në kopshte.

Paga mesatare e arsimtarëve në sistemin parashkollor dhe fillor sillet në rreth 21,600 denarë (350 euro), ndërsa në arsimin e mesëm 22,500 denarë (365 euro).

Nënkryetari i Sindikatës, Tafa Ameti, thotë për Radion Evropa e Lirë se arsimi në Maqedoninë e Veriut përballet edhe me sfida tjera, si uljen e numrit të nxënësve, por edhe rënien e cilësisë në mësim.

Sipas tij, për shkak të largimit të shumë familjeve nga Maqedonia e Veriut, 2,640 mësimdhënës kanë mbetur pa orë mësimore kështu që pritet t’i humbin vendet e tyre të punës.

Radio Evropa e Lirë: Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK) ka aprovuar marrëveshjen me Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale lidhur me kërkesat për rritjen e pagave dhe marrëveshjet kolektive në shkolla dhe kopshte. Sa i ka përmbushur kërkesat e Sindikatës kjo marrëveshje?

Tafa Ameti: Në bazë të të dhënave që i grumbulluam nga të gjitha rajonet, janë gjithsej 20 rajone, në mbledhjen e përgjithshme i dhamë mbështetje kreut të sindikatës që të nënshkruajë marrëveshjen e arritur me ministritë përkatëse. Në bazë të kësaj, pjesa dërrmuese e anëtarëve të sindikatës sonë janë të kënaqur me këtë që është arritur.

Radio Evropa e Lirë: Sindikata kërkonte një rritje të pagave prej 18.4 për qind në kopshte, si dhe në arsimin fillor dhe të mesëm, por edhe respektimin e marrëveshjeve kolektive ndërkohë që marrëveshja parasheh rritje prej 15 për qind. A përmbushen kërkesat e mësimdhënësve me këtë rritje?

Tafa Ameti: Gjithmonë kur hyhet në grevë të përgjithshme, nëse realizohen 50 për qind e kërkesave të sindikatave atëherë greva konsiderohet e suksesshme. Ne kemi arritur një rritje prej 15 për qind duke nisur me pagat e shtatorit. Në negociata flitet për minimumin dhe maksimumin e kërkesave dhe në fund arrihet një mes. Por, ne kemi arritur që të marrim pjesë edhe në hartimin e buxhetit për pagat në vitin 2023 dhe këtu kemi arritur të sigurojmë edhe një rritje prej 3.4 për qind.

E dyta që vlen të përmendet janë marrëveshjet kolektive, të cilat për kopshtet do të nënshkruhen deri në fund të qershorit, ndërsa për shkollat në shtator. Këto marrëveshje kanë shumë risi dhe më kryesorja është se kemi arritur që punonjësit të marrin edhe rrogën e 13-të që ndryshe njihet si K-15, për pushim vjetor, ndërsa kemi arritur që të gjithë mësimdhënësve që udhëtojnë në punë t’u paguhet transporti.

Radio Evropa e Lirë: Cili është vlerësimi juaj sa i përket pozitës së mësimdhënësve, por edhe të punonjësve të kopshteve në Maqedoninë e Veriut?

Tafa Ameti: Ishim me pagat më të ulëta në Ballkan, pra më së keqi se të gjitha shtetet, mirëpo tani me këtë rritje arrijmë te rroga mesatare afër 500 euro. Kjo është pak, por këto janë mundësitë dhe duke marrë parasysh problemet e shumta e krizën ekonomike, ky ishte maksimumi që mund të arrihej.

Radio Evropa e Lirë: Me cilat probleme përballet arsimi, përveç atyre për pagat që tashmë besoni se është zgjidhur si problem?

Tafa Ameti: Problemi kryesor, me të cilin përballet arsimi dhe mësimdhënësit është ai i mungesës së nxënësve apo uljes së numrit të tyre pasi kemi një largim të familjeve të tëra nga shteti, pa marrë parasysh se çfarë etnie janë. Në bazë të të dhënave që i kemi marrë nga Ministria e Arsimit diku 2,640 mësimdhënës do të mbeten pa orë mësimore. Pra, po përballemi me problemin e dytë, atë të largimit të mësimdhënësve nga puna apo shpalljen e tyre si tepricë teknologjike.

Radio Evropa e Lirë: Po cili është niveli i arsimit në Maqedoninë e Veriut pasi të gjitha të dhënat, qoftë vendore apo ndërkombëtare, flasin për një rënie të nivelit të arsimit?

Tafa Ameti: Arsimi te ne është në një nivel shumë të ulët. Ndoshta edhe krizat e përgjithshme, me të cilat përballemi, e kanë bërë të veten, por edhe mosinteresimi i fëmijëve për dije. Ka 30 vjet që jam në arsim por niveli i njohurive që marrin fëmijët është për t’u mërzitur dhe nëse vazhdon kështu, ne do të vijmë në situatë të kemi atë analfabetizmin modern.

Radio Evropa e Lirë: Sa ka të bëjë kjo me pandeminë e koronavirusit, pasi këtu gati dy vjet fëmijët nuk shkuan në shkolla, ndërsa tani pati edhe bojkot të mësimit. A do të arrihet të kompensohen humbjet?

Tafa Ameti: Kjo punë i takon Byrosë për Zhvillimin e Arsimit dhe ajo do të vendosë, si dhe në çfarë forme do të kompensohen humbjet. Duhet të kemi parasysh se ne me dy javë vonesë e nisëm gjysmëvjetorin për shkak të pandemisë, por ne, si mësimdhënës, normalisht se pajtohemi për të kompensuar çdo ditë të humbur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button